Albspirit

Media/News/Publishing

Dhurata e piktorit italian në studion e Anastas Kostandinit

Bardhyl Berberi
 Dhurata e piktorit italian në studion e Anastas Kostandinit ...
Në një nga rrugicat karakteristike të Pogradecit ndodhet studioja e “Piktorit të Merituar” Anastas Kostandini, studio të cilën e ka pranë shtëpisë së tij. Miqësia fëminore me piktorin më shtyn shpesh herë të shkoj në studion e tij për të parë ndonjë krijim të fundit. Para pak ditësh, krejt befasisht më tërhoqi vëmendjen një akuarel i veçantë me një pamje nga manastiri i Shën Naumit. Një akuarel me tone krejt të veçanta ngjyrash.
– Nuk është puna ime thotë Anastasi, ja shiko, këtu lexohet fare qartë firma e autorit Mario Kasteli, punuar më 24 maji 1943.
Po si ndodhej ky akuarel në studion e “Piktorit të merituar” Anastas Kostandini?
– Që kur kam qenë i vogël ky akuarel më ka përkëdhelur pasionin dhe dëshirën time për t’u marrë me pikturë. Ka qenë dhe një shkak tjetër, babai im Gjergji këtë pikturë të ushtarit italian e ka quajtur si një gjë me vlerë jo vetëm si vepër arti që është e përkryer, por edhe si një relikte që i sillte një kujtim, një intimitet njerëzor me ushtarin italian Mario Kasteli. Mbresat e babait të Anastasit (tani ai nuk jeton më), vetë koha i ka mbështjellë me një tis romantik dhe emocionues. Vetë piktori Anastas Kostandini i sjell këto mbresa krejt të gjalla. Ja akuareli paraqet një pamje nga Shën Naumi, ky manastir nga më të mëdhenjtë e Ballkanit, ku zhvilloheshin panaire dhe rite fetare nga i gjithë rajoni, ku siç thoshte i ati i Anastasit, këtu shpirti gjente paqe. Në këtë akuarel ndjehet qëndrimi romantik i autorit. Puna dëshmon për një pikturë tepër profesionale dhe njohje të teknikës. Babai më ka thënë se, ushtari italian ishte marrë nga bankat e shkollës ku studionte për pikturë. Ishte një djalosh me shpirt human paqësor, që e urrente luftën dhe fashizmin. Shpesh, Mario i thoshte babait të Anastasit, – se ne italianët nuk jemi për luftë, por vetëm për punë. Kjo pikturë nuk ishte e vetmja që Mario ka bërë në Pogradec, ku ishte vendosur reparti ushtarak i italianëve gjatë luftës së dytë botërore. Por këtë akuarel që ndodhet në studion e piktorit Anastas Kostandini, ushtari italian Mario Kasteli ia dhuroj në shenjë miqësie babait të Anastasit, Gjergjit. Me kapitullimin e Italisë fashiste, Mario vazhdonte të qëndronte në Pogradec, duke ushtruar profesionin e tij të piktorit. Por vetëm pas pak ditësh pas kapitullimit të fashistëve italianë, në qytetin e Pogradecit hyri gjermania naziste, duke kryer masakra të mëdha në qytet midis popullit dhe në radhët e ushtarëve italianë, pas kapitullimit të Italisë fashiste. Një ditë me mjegull në qytet gjermanët nazistë organizuan një masakër. Popullsia civile së bashku me ushtarët italianë, u nisën me vrap nëpër kodrat e qyteti, në drejtim të rrugës të Mokrës për t’i shpëtuar kësaj masakre. Gjermanët hapën zjarr masiv mbi popullatën e pambrojtur dhe humbën jetën dhjetëra qytetarë dhe midis të vrarëve ishte edhe Mario Kasteli. Një plumb e kishte kapur Marion prapa kokës. Babai i Anastasit, Gjergji Kostandini midis të vrarëve nga masakra gjermane, midis dhjetëra pogradecarëve të vrarë nga breshëritë e armëve të ushtarëve gjermanë, gjeti dhe trupin e pa jetë të piktorit italian Mario Kasteli. Gjergji derdhi lot të nxehtë për mikun nga Italia dhe e ka marrë trupin e pajetë të djaloshit Mario Kasteli. E mori trupin e Mario Kastelit dhe e varrosi me ngutje aty pranë kishës së qytetit të Pogradecit dhe për të mos harruar dhe për të mos ngatërruar varrin e Mario Kastelit, ai i vendosi mbi varr një balestër makine. Kur erdhi gjenerali italian në Pogradec, në vitet ‘60 për të marrë eshtrat e ushtarëve italianë, i ati i Anstasit, Gjergji, iu tregoj atyre varrin e mikut të tij Mario Kasteli. Ata hapën varrin dhe morën eshtrat e ushtarit italian, piktorit që kishte lënë studimet në mes dhe humbi jetën në mes ëndrrave të tij rinore. Ja kështu ka mbetur ky akuarel i piktorit italian në familjen Kostandini dhe më pas në studion e “piktorit të merituar” Anastas Kostandini, e cila ruhet në studion e tij midis shumë pikturave, si një relikte me shumë vlerë akuareli i djaloshit Mario Kastelit, që donte jetën dhe jo luftën, – thotë Anastasi.
Historia e 16 mijë robërve italianë në Pogradec
Më 8 shator, fashistët italianë kapitulluan dhe si vepër e fundit, atë ditë kapitullimi, ishte djegia e shtëpisë së shkrimtarit Mitrush Kuteli. Shtëpia edhe sot qëndron ashtu si 65 vjet më përpara, në një nga rrugicat karakteristike të qytetit, kur fashistët Italinë e dogjën deri në palcë, aty mbetën vetëm themelet. Në 13 shtator 2007 aty u vendos guri i themelit nga djali i Kutelit, Pandeli Pasko dhe ish-kryetari i bashkisë, Artan Shkëmbi dhe u premtua se, do të kthehet në shtëpi muze dhe njëherazi do të përfundojë edhe monumenti i Kutelit, i cili do të vendoset pranë atij të Lasgush Poradecit. Por, megjithëse fashistët italianë erdhën si pushtues, ata pas kapitullimit tani kërkonin mëshirë. Populli i Pogradecit, ashtu si gjithë Shqipëria i kishte parë avionët e tyre, që lëshonin bomba nga qielli topat e artilerisë “Obice 149”, që kishin rrahur brigje dhe kishin shkatërruar shtëpi dhe kishin vrarë njerëz. Populli i Pogradecit i kishte ende të gjalla skenat e Luftës së Pojskës, e cila më 16 korrik 1943 kulloj gjak, ku u vra komandanti i batalionit “Mokra”, Reshit Çollaku me 10 partizanë të tjerë. Megjithatë, pas kapitullimit populli pogradecar me një bujari hyjnore, iu afroj atyre shtëpinë dhe ushqimin. Haxhi Lufua nga Velçani, që mori në shtëpinë e tij 16 robër iu tha; -do të flini këtu ku flenë vëllezërit e mi, do hani edhe më shumë se ata, do të punoni më pak se unë dhe gjermani mund t’ju vrasi pasi të më ketë vrarë mua. Një prej këtyre 16 mijë robërve, që u mbajtën nga pogradecarët si djemtë e tyre ndonëse kishin ardhur si pushtues ishte edhe piktori Mario Kasteli, i cili humbi aksidentalisht jetën, por la si kujtim një pikturë që ia fali në shenjë mirënjohjeje familjes pogradecare Kostandini…
Please follow and like us: