Albspirit

Media/News/Publishing

Fadil Lepaja: BUBRRECI MBI RROTËN QË (NUK) SILLET

Dy presidentët, ai i Kosovës dhe ai i Serbisë, u patën bërë aq të afërt , dhe aq  identik me retorikën dhe me qëndrime me njëri tjetrin, sa filluan në publik me u pa si “vëllezër sijamez”, të lidhur politikisht, kokë për koke. Çka e fillonte njëri, e përfundonte tjetri,  duke e plotësuar  për mrekulli, njëri tjetrin në lojën e “tyre” të luftës, me kufijtë. Tash, prej kësaj perspektive është e qartë, (pa)fuqia e tyre, por veç para pak muajsh zëri i tyre dallohej prej të gjithëve dhe jepte përshtypjen e fuqisë me u përballë me të gjithë. Por doli të jenë vetëm zëdhënës.

Njëri fliste për Millosheviçin si burrështetas të madh , me qëllime të mira (Serbinë e Madhe) ndërsa tjetri, për Luginën që do e marrim prej Serbisë, pa i dhanë asgjë asaj ( Shqipërinë etnike). Njerëzit shikonin, dëgjonin dhe nuk besonin.

Kështu, shpërtheu koncepti i ndryshimit të kufijve me shumë mjegull e paqartësi, dhe që të dy e mbronin me këmbëngulje, nën përshtypjen e përgjithshme se po i kërcejnë vetes në bark.  Ai që ashiqare punon kundër interesave të veta, dhe që mbron pikëpamje të cilat nuk kanë përkrahje në komunitet, është ose revolucionar, ose fanatik i gatshëm të sakrifikohet për ide dhe qëllime të veta, ose është në shërbim të dikujt më të fortë, ose është i detyruar  nga dikush apo me diçka.

Natyrisht ka edhe mundësi të tjera, por për nevojat e këtij shkrimi ato mbeten jo relevante. Sidoqoftë, teoritë konspirative u ngritën pikërisht mbi këto arsye. Dikush i quajti spiunë, dikush tradhtar, dikush i shpalli të frikësuar prej gjykatës,  dhe sido që të jetë, ata ende vazhdojnë të përsërisin herë pas here idenë të cilën shumica e deklaruan të dështuar. Rrota ngeci!

Duke ndjekur , “historikisht” modelin se si funksionon presidenti kosovar, dikur e pata krahasuar me bubrrecin i cili e sjell rrotën e mullirit dhe rreh gjoks, nëpër media, për këtë. Fabula thotë, se  kur e patën pyet bubrrecin, përse nuk e sjell në anën tjetër rrotën e mullirit, ai qenka përgjigjur, se ai e sjell  vetëm andej kah mund të sillet. Kjo fabul duket të jetë bërë pikërisht për politikanët ballkanik .

Pra, rrota, presidenti dhe mielli i pa bluar i Kosovës, në agjendat ndërkombëtare, janë elementet kyçe të këtij shkrimi, lidhur me konspiracionet  dhe  jetën tonë në geto.

Duke mos hyrë më thellë, në zonat e errëta të para luftës, të errëta në kuptimin e mungesës së informatave, rrota e parë që e solli me vrullin rinor, presidenti, ishte ajo e Rambujesë. Kur ajo pas lufte filloi të konsumohet, ky filloi të sjellë rrotë të tjera, sidoqoftë ishte në dispozicion.

Në çastet vendimtare atë, e hipnin mbi rrotë dhe i thoshin, sille. Ky e sillte. Ashtu e solli më vonë edhe rrotën neo-osmaniste që sillej ngjitur me  atë të antiterrorizmit,  dhe me po aq vrull e solli rrotën e (anti)korrupsionit,  e cila rrotullohej në një unitet të të kundërtave me atë të korrupsionit, për të përfunduar kështu, me atë të lëvizjes së kufijve. Kufijtë u pa se janë ingranazh ndërkombëtarë, rrotë e madhe mbi të cilën e vunë pasi fitoi kondicion dhe përvojë për të manovruar në mes fuqive.

Për dallim prej rrethanave kur rrihte gjoks se po e lufton terrorizmin dhe korrupsionin,  gojëkëqijtë flisnin me zë  se po e sjell rrotën në të dyja anët, pra po e sjell terrorizmin edhe anti terrorizmin, po e sjell korrupsionin dhe anti korrupsionin.

Kjo  e përjashtonte atë prej rolit të bubrrecit lokal, dhe i jepte fuqi më të madhe, sepse ai duhej të ishte  mirë me të dyja anët, të kontrollonte të dyja anët , së paku në Kosovë, pra edhe terrorizmin edhe kundër terrorizmin, edhe korrupsionin edhe kundër korrupsionin. Gjithsesi, në këtë periudhë, tejkaloi përmasat e Kosovës,  por në përmasa ndërkombëtare, sidomos rajonale  vazhdoi të mbetet i njëjtë, pra të sjell rrotën që sillet. Rrota e kufijve, filloi të sillet pikërisht kur menduam se po mbylleshin konfliktet…

Por, çështja e kufijve, në të cilën u përfshi qysh me përcaktimin e kufirit me Malin e Zi, të cilin dyshohej se me qëllim e la keq,  e ngriti atë në një lojtar rajonal.  Duke u dëshmuar si krijues krizash dhe kontrollues  gjakftohtë i tyre, si politikan që di të nxis emocione kolektive,  ky u ngrit në rang rajonal, kështu u ul në karrige afër, në krah apo prapa, me burrështetas të globit, dhe e hipën përsëri në rrotë, kësaj radhe mbi një rrotë të madhe e cila to të ndryshonte rrënjësisht gjendjen në Ballkanin Perëndimor.

Kah po sillet rrota? Ka filluar të duket tashmë,  se atë po e sjellin fuqi të mëdha si Rusia, Turqia, e së fundmi po shihet gjithnjë e më qartë, edhe administrata e presidentit Trump. Kompromisi Evro-Aziatik i Presidentit Trump, që u pa në Siri, po merr formë edhe në regjionin e Ballkanit, duke krijuar  turbulenca në Evropë dhe në vet SHBA, duke rrënuar konjuktura dhe parime, përfshi edhe ato për zgjidhjen e krizës Ballkanike.

Kur flasim për rajonin, rrota ka ngecur në Kosovë. Edhe në Serbi. Ka ngecur edhe dialogu, ky biznes  përfitues i burokracisë evropiane, për të cilin, megjithatë,  të gjithë janë të një mendje se duhet të rinisë. Edhe nëse nuk është vetvetiu biznes, dialogu do të rregullojë  edhe pozicionet e vendeve (jashtë) ballkanike në bizneset rajonale, në Ballkanin e pasluftës. Do të krijohet konjuktura për disa dekadat e ardhshme dhe kjo nuk varet nga Ballkani.

Këtu është vetëm arena ku (anti) globalistët po masin forcat! Erdogan- Gylen, Trump-Soros, evroskeptikët- eurointegristët, …! I kujtohet kujt, ende, si ishte kënga e moçme? “Deri te vija e kuqe, kufiri i Kosovës”…?!

Please follow and like us: