Albspirit

Media/News/Publishing

Gruaja pogradecare 115 vjeçare, që i shkroi letër presidentit Bush

Bardhyl Berberi
Të gjitha mediat amerikane dhe Zëri i Amerikës ka njoftuar se është shuar gruaja më e vjetër që jetonte në Nju Xhersi të Amerikës, pogradecarja Demire Durollari. Më 12 gusht tetë muaj, para se ajo të ndahej nga jeta, në moshën 115 vjeçare kam pasur rastin ta intervistoj në shtëpinë e saj në Nju Xhersi nënë Demiren dhe biseduam gjerësisht më shumë se dy orë. Biseda ishte tepër interesante dhe mendova ta sjell për mediat në mënyrë origjinale pa asnjë ndryshim…
Por Nënëmadhja pogradecare na tha se kjo datëlindje është sipas pasaportës amerikane pasi ajo ka një (nofuskë) siç e quan ajo pasaportën shqiptare kur ka mbërritur në Amerikë së bashku me familjen e saj. Në pasaportën shqiptare ajo është e datëlindjes 1890 dhe, sipas saj, ajo sot feston 120 vjetorin, ndërkohë që sipas pasaportës amerikane figuron në datëlindjen 1895.
Një grua me një trup të drejtë dy sy të mprehtë dhe një vështrim shumë miqësor. Ajo thotë se e merr malli shpesh për vendlindjen fshatin e saj, Hudënisht buzë liqenit në Pogradec. Edhe pse udhëton gati 11 orë me avion dhe tre orë me makinë nga Tirana në Pogradec ajo përtërihet… e kap një trishtim, “u bënë tre vjet që nuk kam ardhur në Pogradec, nuk më lejon nipi im Rrapushi, pasi më thotë me shaka, mjaft shkove në Shqipëri se do të na vdesësh në avion…”.
Kush ishte Demire Durollari?
Është larguar në vitin 1947 nga Shqipëria me familjen dhe u vendosën në Nju Xhersit ku ajo ndërroj jetë. E kujtonte largimin e atëhershëm nga “Vatani “ i saj, siç i thotë ajo atdheut. Edhe guri është më i rëndë në vendin e tij, por kur ta bëjnë jetën të padurueshme me diktaturë, kur ishte njëlloj si të jetoje brenda telave me gjemba, po ashtu dhe në qelitë e diktaturës ku nuk kishte ndryshim. Shqipëria thotë ajo ka qenë gjithmonë brenda zemrës sime edhe pse jetoja larg. Vij këtu, por mërzitem kur dëgjoj që të afërmit e mi dhe djali im nuk i merr dot pronat.
-Dëgjo, e ngre tonin e zërit, – Po nuk vajti haka tek i zoti ky vend kurrë nuk ka për t’u bërë. Sapo iki në Amerikë më merr përsëri malli për Shqipërinë”.
Më pas ajo shton, “dëgjoj që këta pushtetarët mbushin thasët me para dhe mendojnë vetëm për veten e tyre. Por ta dinë mirë se kur vjedh djersën e popullit tënd asnjë nuk ka bërë prokopi, ta dinë se në kokë do t’u bjerë dhe nuk do të gjejnë derman se perëndia nuk është mace që të zërë për sysh, ajo ta merr hakun ndryshe, atje ku ty të dhemb më shumë, të lëshon një fatkeqësi që të mos gjesh derman”.
“Shqiptarët, thotë ajo, nuk e meritojnë këtë jetë kaq të varfër. Shqiptarët janë racë e zgjuar por duhet të jenë më shumë punëtorë. Janë dy fjalë që kur vij në Shqipëri më bëjnë nervoze: Avash-avash…”
Nënë Demirja i ka shkruar letër personale presidentit Bush të asaj kohe 
-Një ditë, thotë ajo -sapo u kthye nga puna nipi im Rrapushi (i kam vënë emrin e burrit tim) i kërkova një nder. Që unë t’i flisja dhe ai t’i shkruante një letër presidentit të asaj kohe Xhorxh Bushit. Rrapushi shtangu, pasi është oficer i lartë në aviacionin amerikan.
-Nënë, më tha ai, leri këto se nuk ka lezet! Çfarë do t’i shkruash ti presidentit Bush.
Pas këmbënguljes sime e në shenjë respekti që ai ka për mua ia shkroi letrën Rrapushi me fjalët që i thashë unë:
“I nderuar zoti Presidenti Bush!
Zoti ju bekoftë ju dhe Amerikën, por jam një grua e moshuar, atëherë 112 vjeç, me orgjinë shqiptare dhe me banim prej nga viti 1947 në SHBA. Të lutem ndihmojeni Shqipërinë time se ka mbetur vendi më i varfër në Evropë…”.
Pas 10 ditësh, thotë ajo dhe tregon një kartolinë të presidentit Bush së bashku me bashkëshorten, më erdhi kjo përgjigje:
“E dashur nënë! Ju falënderoj për letrën dhe njëkohësisht ju premtoj se Shqipëria do të eci në rrugë të mbarë. Ju uroj jetë të gjatë!
Me shumë dashuri, familja Bush”.
Po cili ishte sekreti i kësaj jetëgjatësie?
Ajo vë buzën në gaz dhe thotë: “Për mendimin tim ato që e vrasin më shumë njeriun janë hallet (stresi), për mua burimi i të gjitha sëmundjeve është stresi”.
Ky stres që me sa duket nuk e ka vënë kurrë poshtë, që pas vdekjes së burrit të saj në vitin 1943, ajo ka jetuar vetëm. Do të duket e pabesueshme, por kjo grua nuk ka pasur kurrë nevojë për mjek. I vetmi rast që ajo ka shkuar tek mjeku ka qenë 11 shtatori kur ranë kullat binjake nga akti terrorist. U shqetësua shumë, pasi aty punonte nipi i saj Astriti, djali i vajzës së nënë Demires. Kur mjekët amerikanë panë konstruktin e saj dhe datëlindjen shtangën. Madje i kryen të gjitha analizat për studime shkencore.
Pyetja e parë që u bë prej tyre ishte, se me çfarë ushqehet kjo plakë e moçme?
Nënë Demirja thotë se nuk ka pirë asnjëherë as duhan e as alkool. Konsumon shumë peshk dhe zarzavate. Përdor vetëm vajin e ullirit dhe një kokërr hudhër në ditë. Por e veçanta është ajo që u ka thënë ajo mjekëve amerikanë: “Unë pi dy gota në ditë me lëng limoni të holluar përgjysmë me ujë, një gotë pasi ha mëngjesin dhe gotën tjetër në darkë pas buke. Konsumoj shumë fruta të larmishme duke i ngrënë në formën e sallatës dhe duke i mbuluar me kanellë”. Në fund të bisedës ajo na thotë: “Sikur ta dinin shqiptarët se sa të varfër janë do të pëlcisnin nga inati, thotë ajo dhe për këtë fajin e kanë politikanët shqiptarë të paaftë dhe kokëbosh”.
Në diktofonin tim të gazetarit kishte ngelur kjo bisedë interesante vetëm pak muaj para se Nënëmadhja pogradecare me banim në Amerikë të ndahej nga jeta më 29 prill 2011…
Please follow and like us: