Kristo Frashëri: Kush mbizotëronte në Epirin antik, helenët apo ilirët?
Historiani anglez N. Hammond thekson se afërsisht në fund të epokës së Bronzit në Epirin qendror zhduken varrezat tumulare. Në vend të tyre praktikohet varrosja me gropë. Në viset e tjera të Epirit gjurmët e varrezave tumulare ndeshen për disa kohë dhe më vonë. Nuk ka dyshim se ky ndryshim i ritit të varrimit nënkupton ardhjen në Epir të një popullsie të re. Kemi përshtypjen se N. Hammondi del jashtë parametrave të një historiani objektiv kur në çdo moment të historisë ai sheh vetëm helenë – kur bartësit e varrezave tumulare i quan greqishtfolës; kur edhe ata që në të njëjtën kohë praktikonin varrosjen me gropë i quan helenë; kur bartësit e varrezave tumulare të zbuluara në viset ilire të Matit dhe të Kukësit ishin, sipas tij, greqishtfolës dhe kur lë të kuptohet se këto fise e përhapën praktikën e varrezave tumulare, pra edhe greqishten në Greqinë qendrore, e të tjera, e të tjera. Në të vërtetë, historianët evropianë mendojnë se kjo popullatë e re i përkiste etnikonit ilir. Përkundrazi, sipas Hammondit, këtu nuk ka ndodhur ndonjë ndryshim etnik, mbasi ashtu siç i quan bartësit e kulturës tumulare greqishtfolës, po ashtu edhe popullatat e ritit të ri të varrimit ishin për të, siç u tha, greqishtfolëse. Madje, ai thekson në mënyrë të habitshme se me këtë rast në Epir u forcua edhe më tepër helenizmi.
Hamondi pranon se dëshmi për praninë e një popullate të re në Epir janë objektet arkeologjike të zbuluara në varret me gropë, të cilat i përkasin fundit të epokës së Bronxit dhe fillimit të epokës së Hekurit. Vetë Hammondi rreshton këto objekte: amuleta bronzi, unaza me fund spiralor, unaza bronzi të incizuara dhe thika të llojit hungarian. Sipas mendimit të arkeologëve dhe të historianëve evropianë, bartësit e kësaj kulture materiale qenë padyshim ilirët, të cilët pas shtegtimit të hershëm nga stepat e Rusisë jugore ku ndodhej vatra fillestare drejt Perëndimit dhe pasi qëndruan për disa kohë në hapësirën e sotme gjeografike të Europës qendrore, u dyndën në masë drejt jugut.
Ndoshta ne nuk jemi në gjendje të kuptojmë logjikën e arkeologut anglez, sipas të cilit si popullatat e varrezave tumulare të dyndura në fillim të epokës së Bronzit, ashtu dhe popullatat e varrezave me gropë të kulturës “hungariane”, që u dyndën 1000 vjet më vonë t’i përkisnin të njëjtit etnikon helen.
Dihet se ilirët brenda një kohe të shkurtër u vendosën në viset e Ballkanit perëndimor që nga Istria e tatëpjetë. Gjurmë të kulturës materiale të tipit “hungarian” që përmend Hammondi, të cilat sipas vlerësimit të arkeologëve i takojnë shekullit IX p.e.s., tregojnë se ilirët kishin arritur deri në Epirin jugor.
Sipas Strabonit, me ardhjen e popullatave të reja në Epir, popullata e mëparshme e thesalëve pellazgë që banonte në këtë trevë, u shpërngul drejt lindjes duke u vendosur në Thesalinë e sotme.
Shtrirja e ilirëve drejt jugut nuk u krye vetëm nëpër tokë. Gjithnjë sipas Strabonit, liburnët ilirë, pasi e krijuan atdheun e tyre në Dalmacinë qendrore, me anijet e shpejta që ata ndërtuan, pushtuan edhe ishullin e Korkyrës, duke nënshtruar banorët e mëparshëm, feakasit pellazgë. Historianët mendojnë gjithashtu se nga brigjet e sotme të Vlorës apo të Himarës ilirët shtegtuan në viset italike të Apulisë dhe të Kalabrisë. Prania e tyre në këto vise vërtetohet edhe nga burimet e shkruara antike, madje edhe nga mbishkrimet e varreve të shkruara në gjuhën e tyre amtare. Shkurt, provinca e Epirit mori të paktën në shekullin IX p.e.s nga fytyrë etnike pellazge në identitet etnik ilir.
Emrin që mbante më parë provinca e Epirit para se të vendoseshin aty ilirët, nuk e dimë. Dihet vetëm se fillimisht fjala Epir nuk ishte apelativ as gjeografik, as etnik, as administrativ. Fjala Epir është greqisht. Në përdorimin e përditshëm do të thotë stere, tokë kontinentale. Fjala i takon greqishtes së vjetër.
Dëshmitë e hershme
Si dëshmi më të hershme të këtij vështrimi kemi Homerin. Në të dyja poemat e tij epike, “Iliada” dhe “Odiseu”, të cilat mendohet se janë regjistruar në shekullin VIII p.e.s., ai përmend emra fisesh që banonin në trevën epirote, si thesprotët, kaonët, molosët, hyllejtë etj., por vetë emrin “Epir” të trevës dhe atë të epirotit, si banor, nuk e zë në gojë. Straboni, shkruan se Homeri me fjalën Epir nënkuptonte vendet përkarshi ishujve të Jonit, duke përfshirë edhe Akarnaninë. Kjo tregon se në shekullin VIII p.e.s. kur janë regjistruar poemat homerike, fjala epir përdorej ende me kuptimin e steresë. Emërtimi Epir u shndërrua në apelativ gjeografik vetëm pas shekullit VIII p.e.s. kur helenët e Korinthit u vendosën në ishullin Korkyra (Korfuz) dhe dëbuan këtej liburnët ilirë. Kështu, fjala “epir”, stere u shndërrua nga një emër i përgjithshëm në një emër të përveçëm. Në fillim apelativi Epir përfshinte edhe krahinën e Akarnanisë, në jug të gjiut të Ambrakisë. Më vonë ndërsa në jug emërtimi u tkurr deri në Gjiun e Ambrakisë, në lindje ai u shtri deri në malet e Pindit. Duket se emërtimi Epir si emri i provincës u përgjithësua dalëngadalë pas shek. VI, ndoshta vetëm në burimet e shkruara. Shkurt, emërtimi Epir është një apelativ i importuar nga jashtë. Pra, ka vetëm vështrim gjeografik dhe jo etnik.
Më vonë, rreth vitit 400 p.e.s. kur në këtë trevë u mëkëmb Mbretëria Epirote, Epiri mori edhe vështrim politik. Kufijtë maksimalë apelativi Epir i mori në kohën e mbretërimit të Pirros, i cili vdiq në vitin 272 p.e.s. Kur në vitin 167 p.e.s. Mbretëria Epirote u shemb, Roma krijoi në sistemin e saj administrativ Provincën e Epirit me qendër Nikopojën (Nikopolis), afër Prevezës së sotme. Kështu, emërtimi “Epir” nga vështrimi gjeografik që pati në fillim dhe pasi mori për disa kohë vështrim politik, me pushtimin romak u vesh me vështrim administrativ.
Pas këtij evolucioni që pësoi apelativi “Epir”, shtrohet pyetja: Çfarë kuptojmë me Epir në kohën antike dhe cila ishte shtrirja e tij territoriale?
Epirin e zënë në gojë poshtë-lart pesëdhjetë autorë grekë, romakë dhe bizantinë. Ata u përkasin dymbëdhjetë shekujve – që nga Skilaksi i shekullit VI p.e.s. deri te Stefan Bizantini i shekullit VI e.s. U përkasin pra, periudhave kur Epiri ka patur vështrim gjeografik ose politik, ose administrativ. Shumica dërrmuese e autorëve antikë grekë, romakë nuk japin njoftime për kufijtë territorialë që përfshinte emërtimi Epir.
Disa njoftime deri diku të hollësishme mbi to jep Straboni, gjeografi grek i shek. I p.e.s. Straboni shfrytëzon të dhënat që jep Theopompi, shkrimtari grek i shekullit IV p.e.s, vepra e të cilit nuk ka arritur në ditët tona. Ai shkruan:
“Theopompi thotë se fiset e Epirit janë katërmbëdhjetë. Më të dëgjuarat prej tyre janë kaonët dhe molosët. Dikur ato kishin sunduar mbi të gjithë Epirin – kaonët më parë dhe më vonë molosët, të cilët morën fuqi më të madhe për shkak të fisit mbretëror dhe për shkak se në vendin e tyre ishte faltorja e vjetër dhe e dëgjuar e Dodonës. Kaonët dhe thesprotët, e pas këtyre me radhë kasopët banojnë në bregdetin që nis nga malet Keraune (malet e Llogorasë – K.F.) deri tek gjiri i Ambrakisë (gjiri i Prevezës – K.F.), një vend i begatshëm… Në këtë hapësirë bregdetare ndodhet Panormi (Porto Panormo në Himarë – K.F.), liman i madh midis maleve Keraune dhe më tutje një tjetër liman i quajtur Onhesmi (Saranda – K.F.), kundrejt të cilit ndodhet bregu perëndimor i Korkyrës”.
Pas gjeografit grek Straboni, është shkrimtari romak Plini Sekundi ai që na jep njoftime deri diku të pasura mbi Epirin. Plini Sekundi jetoi ashtu si dhe Straboni, në kohën kur Epiri ishte shndërruar në njësi administrative romake. Ai njofton:
“Epiri, i marrë në përgjithësi, fillon te malet Keraune. Ai përfshin në fillim kaonët, prej nga vjen emri Kaoni, tesprotët, antigonët, vendin Aorn me gazrat e këqija për zogjtë, kestrinët, perrebejtë, tek të cilët është Pindi, kasopët, dryopët, selët, helopët, molosët, ku ndodhet tempulli i Zeusit në Dodonë, i përmendur për orakullin e tij, mali Talar (është fjala për malin Tomar – K.F.), me njëqind burimet që gurgullojnë në këmbët e tij, mal i lavdëruar nga Theopompi. Epiri i vërtetë, duke u zgjatur në drejtim të Magnezisë e të Maqedonisë, ka në shpinë të tij dasaretët, fis ilir. Në bregdet… fortesat Meandria, Kestria, Thyami, lumi i Thesprotisë; Buthroti koloni; gjiri i Ambrakisë, kaq i përmendur… Brenda në gji ndodhet qyteti i Ambrakisë; Arta dhe Arathi janë lumenj të molosëve”.
Emrat e fiseve, qyteteve, maleve dhe lumenjve të Epirit, që na japin shkrimtarët e tjerë grekë, romakë dhe bizantinë për trevën epirote përputhen me këtë përvijëzim të shtrirjes territoriale të hapësirës gjeografike të Epirit antik.
Si përfundim, nga tërësia e këtyre të dhënave del në mënyrë të përmbledhur, se treva e Epirit antik shtrihej që nga malet Keraune (malet e Llogorasë) në veri, deri në gjirin e Ambrakisë (gjiri i Prevezës) në jug; që nga deti Jon në perëndim deri në malet e Pindit në lindje. Në verilindje ai shtrihej deri ku banonin parauejtë, banorët e rrjedhës së sipërme dhe të mesme të lumit Vjosë, i cili u dha edhe emrin (para auej, pranë Vjosës, pranëvjosarët). Këto kufij për Epirin antik janë pranuar në përgjithësi pothuajse nga të gjithë historianët dhe gjeografët e kombësive të ndryshme të ditëve tona. E theksojmë këtë, pasi sikurse do të shihet në vendin e duhur, qeveritarët grekë së bashku me historianët e kohëve të reja, i ndryshojnë arbitrarisht kufijtë e Epirit antik, duke përfshirë edhe qarkun e Korçës, i cili nuk ka bërë asnjëherë pjesë në provincën epirote.
Ndërsa për shtrirjen gjeografike që zinte në Antikitet Provinca e Epirit pikëpamjet e shumicës dërrmuese të historianëve ndërkombëtarë janë në unison me përjashtim të historianëve grekë – çështja ndryshon kur vjen puna te përkatësia etnike e banorëve epirotë. Kjo për arsye se problemi është në vetvete i ndërlikuar; se në prapashpinë të problemit vegjetojnë motive politike; se të dhënat burimore nuk janë të prera; më në fund se metodat studimore të përdorura nga historianët janë të ndryshme.
Vështirësinë e parë e kanë shkaktuar drejtpërdrejt autorët antikë. Të gjithë flasin për Epirin si provincë, por asnjëri prej tyre nuk thotë prerazi se ishte provincë greke. Disa prej tyre, edhe pse të pakët, i shtrijnë kufijtë e Helladës deri në malet e Pindit ose deri në gjirin e Ambrakisë. Me këtë shtrirje ata lënë të kuptohet se Epiri nuk bënte pjesë në Helladë. Megjithatë, historianët e Greqisë së re të përkrahur nga ndonjë historian evropian ngulin këmbë pa argumente se Epiri i lashtë ishte një provincë greke dhe se banorët e tij i përkisnin etnikonit helen. Edhe në këtë rast, asnjë autor antik nuk e pohon prerazi se epirotët ishin grekë. Ndërkohë, disa prej tyre i cilësojnë fiset kryesore epirote si popullata “barbare”.
- Gjerojani, historiani grek i Paraluftës, e thjeshtëzon problemin me një formulim didaskalik. Ai thotë se banorët e lashtë të Epirit përderisa qenë pellazgë, vetvetiu qenë helenë. Ai nuk e mohon faktin se në shekullin VIII p.e.s. në Epir u dyndën popullata ilire, por këto popullata, sipas tij, u helenizuan shumë shpejt. Sesi u helenizuan ai nuk e shpjegon.
- Hammondi, nga ana e tij, ngul këmbë se ilirët e hershëm të Epirit u helenizuan nga dy faktorë – pjesërisht nga karvanet tregtare greke gjatë udhëtimeve të tyre drejt brigjeve të Jonit për të lundruar që këtej në Itali – pjesërisht nga një dyndje grekësh nga viset veriore drejt jugut. Nuk kuptohet se si karvanet tregtare në udhëtim tranziti të helenizojnë një trevë? Në lidhje me viset veriore nga ku u dyndën drejt jugut fiset greqishtfolëse, historiani anglez është padyshim i pakapshëm. Sipas tij, disa tipe poçerie të Bronzit të hershëm të zbuluara në Dodonë, tregojnë se banorët e saj greqishtfolës ishin në kontakt të afërt me banorët e Maliqit dhe të Trenit, madje edhe me ata të Maqedonisë, Kërkyrës dhe Ilirisë, të cilët rrjedhimisht edhe këta qenë greqishtfolës (sic!).
Në një vend tjetër, ai shkruan: Pas Luftës së Trojës, viset e sotme të Maqedonisë Perëndimore, të Shqipërisë Qendrore dhe të Epirit Verior pësuan nga brygët, të cilësuar “grekë”, dy valë dyndjesh. Deri sot ne dimë se brygët nuk i përkisnin etnikonit helen. Skymni, gjeografi grek i shek. III-II, në veprën e vet “Përshkrimi i botës” (Orbis Descriptio), thotë për brygët se ishin “barbarë”, domethënë jo helenë. Sipas njoftimit gjeografik që ai jep, duket se ata banonin në Shqipërinë e sotme juglindore, në trevën e sotme të Devollit. Kjo del kur ai thotë se brygët “barbarë” banonin afër liqenit Lyhnid (liqeni i Ohrit) dhe ishullit Diomeda, i cili duhet lokalizuar me ishullin Maligrad të liqenit të Prespës. . Brygët i përmend edhe Straboni, por as ky nuk i quan fis helen. Përkundrazi, Straboni brygët i rreshton në listën e fiseve ilire që banonin midis Epidamnit (Durrësit) dhe maleve Keraune (Llogorasë), pra krahas bylinëve, taulantëve dhe parthinëve, të cilët dihet se ishin fise ilire. Por, N. Hammondi nuk na thotë se ku mbështetet kur pohon se brygët ishin popullatë greqishtfolëse. Madje, fisin e brygëve ai e cilëson si një popullatë që përhapi helenizmin në shek. XII në Maqedoninë Perëndimore, në Shqipërinë Qendrore dhe në Epirin e Veriut. Gjithnjë sipas tij, brygët pasi shtinë nën zotërim Maqedoninë Perëndimore (ku Hammondi përfshin edhe trevën e sotme të Korçës), në Shqipërinë Qendrore dhe në Epirin e Veriut, – ndërmorën dyndje në dy drejtime: njërën drejt Epirit jugor, Thesprotisë nga ku dëbuan thesalët pellazgë, tjetrën drejt Shqipërisë Qendrore dhe Epirit Verior, nga ku dëbuan dorët. Pra, siç shihet, me këto dy njoftime historiani anglez në vend që të pranojë dyndjen e ilirëve brygë në Shqipëri dhe në Epir, pohon në mënyrë të habitshme se me dyndjen e brygëve, të cilët me hamendje i quan greqishtfolës, në Epir u krye vala e dytë e helenizimit të trevës. Tekstualisht ai shkruan se me këto dyndje “Epiri e rrezatoi jashtë trojeve të veta valën e dytë të madhe të fiseve greqishtfolëse”.
Po objektet ilire të zbuluara në Epirin jugor si i shpjegon Hammondi? Brygët, popullatë greke, shkruan ai, i mësuan objektet materiale ilire kur banonin në viset e Shqipërisë së sotme Juglindore, fqinjë me ilirët. “Janë këta grekë, shkruan Hammondi, që i çuan këto materiale ilire në Epirin jugor”. Si rrjedhim, edhe prania e këtyre objekteve ilire provon, sipas tij, praninë e popullatave greke në Epir. Natyrisht kemi të bëjmë këtu me një ndërtesë të ngritur në rërë. Sipas dëshmive historike që provojnë se brygët qenë ilirë, teoria e tij mbi objektet ilire si dëshmi të kulturës helene, bie vetvetiu poshtë.
Tashmë historikisht është provuar se në shekullin VIII p.e.s. me ekspansionin ekonomik që pësuan qytetet-shtete të Helladës, është e lidhur historia e themelimit të kolonive helene në brigjet e Jonit dhe të Adriatikut. Pasi kolonistët e Korinthit dëbuan liburnët nga Korkyra, krijuan këtu kolonitë e para tregtare helene në ishujt e Jonit. Që këtej ata u hodhën në stere. Këtu, në brigjet e Jonit, themeluan dy kolonitë e hershme helene – në Buthroton (Butrint) dhe në qytetin e ambrakëve. Themelimi i kolonisë greke nuk do të thotë se në Buthroton dhe në Ambraki nuk kishte banorë ilirë. Praninë e banorëve ilirë të paktën në Buthroton e kanë vërtetuar objektet arkeologjike antike të kulturës ilire të zbuluara në këtë vendbanim pranë objekteve arkeologjike helene, madje edhe emra jo të paktë banorësh ilirë të qytetit të zbuluar në gërmadhat e tij nga arkeologët e kohëve moderne.
Njoftimi i Plini Sekundit, shkrimtarit romak të shekullit II e.s., ka rëndësi për faktin se me përjashtim të Buthrotonit dhe të qytetit të ambrakëve, të cilat i quan koloni helene, të gjitha vendbanimet e Epirit i cilëson si vendbanime epirote. Kjo do të thotë se vendbanimet e cilësuara epirote nuk qenë helene. Deri sot nuk kemi ndeshur ndonjë burim antik që të pohojë praninë e vendbanimeve greke në brendësi të Epirit.