Manastiri, Alfabeti ABC, Ataturku dhe shqiptarët e tij
Bardhyl BERBERI
Manastiri është befasues në çdo stinë dhe për në shqiptarët është tej i dashur. Aty ne kemi themelet e alfabetit tonë dhe gjurmë të parëve tanë . Sa herë që mund të vish në Manastir do të zbulosh diçka të re është qyteti i dytë për nga madhësia në Republikën e Maqedonisë dhe ka sipërfaqe prej 1.716 km2. Gjendet në 630m lartësi mbidetare, 175km nga kryeqyteti Shkupi, 180km nga Selaniku dhe vetëm 15km nga kufiri grek dhe rreth 90 km larg nga dogana shqiptare e Tushemishtit. Manastiri, qytet me traditë të pasur dhe të kaluar historike të bujshme, sot është qendër e rëndësishme industriale, ekonomike, arsimore (universitare), shkencore dhe kulturore në pjesën jugperëndimore. Ditën qyteti duket si një ortek i bardhë i rrëzuar nga mali i lartë i Pelisterit ndërsa natën i tëri i prushitur në këmbët e tij. Manastiri është një qytet magjepsës, i gjallë me jetë nate, multi kulturor tradicional dhe modern, qytet plot histori trashëgimi, ku ne shqiptarët kemi pjesë të rëndësishme të historisë së popullit tonë. Këtu ka studiuar në kolegjet e Manastirit Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Migjeni etj. Parku nacional “Pelister”, vend me bukuri natyrore të rrallë, dy liqene glaciale të quajtura “Sytë e Pelisterit” dhe pisha me pesë gjethe Molika, formacione të llojit endemik terciar dhe ballkanik. Manastiri ka jetë të pasur kulturore. Përveç Festivalit ndërkombëtar të kamerës filmike “Vëllezërit Manaki” (njëri nga tre festivalet botërore kushtuar drejtorëve të fotografisë), edhe disa festivale ndërkombëtare mbahen në Manastir, siç janë “Interfest” – Festival ndërkombëtar i muzikës klasike, “Netët e Herakleas” – festival veror teatral dhe muzikor, “Trienalja ndërkombëtare grafike”, “Kolonia ndërkombëtare e fëmijëve”, Qyteti antik Heraklea Linkestis me mozaikët e larmishme në Heraklea janë ruajtur shkëlqyeshëm. Ata janë ndër veprat më të rëndësishme të artit nga ajo periudhë. Bazilika e vogël dhe e madhe me tre tempuj, amfiteatri i madh, akropoli, nekropoli, rezidenca e peshkopit, statuja e Atena Partenas, janë vetëm një pjesë e thesarit të pasur në Heraklea. Qyteti është i pasur me përmendore të rëndësishme kulturore-historike, e që janë trashëgimi nga shekujt e kaluar: Kisha katedrale “Shën Dimitrija” (viti 1830), njëra nga kishat më të mëdha ortodokse në Maqedoni me ikonostas të shkëlqyeshëm dhe me dru gdhendje me bazë ari. Bezisteni (shek. 16-19), treg i mbuluar; Çarshia e vjetër e Manastirit ( shek. 19); Sahat Kulla (shek. 17), Ajdar Kadi xhamia (shek.16); arkitektura e vjetër e qytetit (shek. 19 dhe fillimi i shek. 20). Në qytet kishte nëntë konsullata të shteteve evropiane (Austria, Hungaria, Rusia, Britania e Madhe, Franca, Italia, Greqia, Bullgaria dhe Rumania). Padyshim që një nga mrekullitë e Manastirit është Çarshia e vjetër që vendasit e quajnë “Shirok sokak” paraqet një tërësi ambientale të bërthamës së vjetër të qytetit. Kjo është zonë kalimtarësh, nëpër të cilën shtrihen shumë kafeteri, shëtitore e dekoruara dhe shumë përfaqësi konsullatash, kështu duke krijuar përsëri nga e para shëmbëlltyrën e vërtetë të një qyteti që ruan me fanatizëm të kaluarën. ‘Shirok sokak’ është reflektim materializues i kulturës së qytetit dhe qartë flet për Manastirin si qendër administrative, tregtare, industriale, arsimore dhe kulturore në këtë pjesë të Ballkanit, i njohur edhe më gjerë …
Përmendorja më e njohur
Sahat-kulla është përmendorja më e njohur me të cilën identifikohet qendra e Manastirit. Llogaritet se ajo është ndërtuar në periudhën e sundimit osman, në vitin 1830, kur edhe është ndërtuar edhe kisha Shën Dhimitrit. Thonë se gjatë kohës së ndërtimit, në materialin për lidhjen e blloqeve të gurit, janë përdorur 60.000 vezë, për arsye të fortësisë së ndërtimit.
Kulla është e gjatë 33 metra. Pjesa më e lartë është një kupolë e vogël që shtrihet në një platformë katrore, e mbrojtur me rrethues të hekurt, prej nga mund të shihet panorama e bukur e rrethinës më të gjerë. Mekanizmi i orës i integruar, në mënyrë melodike i godet orët, duke i përkujtuar kalimtarët për prezencën e saj. Kjo përmendore historike e mbajti vlerën e saj praktike për qytetarët e Manastirit, të cilët çdoherë do iu lavdërohen, se enkas kjo i jep vulën origjinale tërë qytetit. Dashuria e Mustafa Qemal Ataturkut me vajzën nga Manastiri Në vitin 1896. I riu Mustafa Kemal nga Selaniku vjen të mësojë në Manastir. Një pasdite para Pashkëve, duke shëtitur nëpër Shirok sokak, në ballkonin nga shtëpia e pasanikut manastiras Eftim Krinte e vëren të bukurën Eleni, moshataren e tij. Kjo ka ndodhur në vitin 1897. Kjo shtëpi edhe sot ekziston në kënd, menjëherë përballë hotelit “Epinal”. Kjo ka qenë dashuri fatale në shikim të parë. Mustafa, ishte i dashuruar deri në palcë me Elenin. Ata ikën në Selanik që të martohet dhe Qemali e la Akademinë. Kur të dy shkuan në Selanik, nëna e Mustafait, i ka kthyer të rinjtë mbrapsh me këto fjalë: “Nuk kemi të holla për ekzistencë dhe duhesh patjetër të mbarosh Akademinë, kurse Eleni t’i pyesë prindërit vallë e japin për ty” Mustafai dhe Eleni kthehen në Manastir duke jetuar në kasolle në vreshtat e tanishme të Lavçanit dhe Brusnicës. Thashethemet e qytetit e quajtën si skandal në çarshi, sepse e bija e Eftimit dashurohet me kadet turk. Babi i Elenit, shumë i pasur nuk ka mundur të durojë këtë, dhe për ta fshehur turpin, largohet nga Manastiri dhe blen një shtëpi në Lerin dhe ikë atje bashkë me Elenin, i largon kështu nga shikimet dhe kujtimet e manastirasve, të cilët edhe sot nuk e harrojnë këtë romancë të madhe të dashurisë. Më vonë Kemali shkon në Turqi, bëhet ushtarak i lartë dhe arkitekt i shtetit bashkëkohor, dhe fiton emrin “Ataturku babai i kombit” dhe vdes në moshën 57 vjeçare. Eleni ka përjetuar pleqëri të thellë dhe vdes në moshën 80 vjeçare në Lerin, ku edhe sot është varri i saj.
Në ndërtesën historike të Kongresit të ABC
Por ne shqiptarët kemi një vend tejet të shenjtë në këtë qytet, shtëpinë e Alfabetit Qëndroj përpara kësaj ndërtese historike në oborrin e gurtë të saj para kësaj porte historike dhe pyes veten në heshtje: “Vërtet këtu lindi Alfabeti jonë”!
Atë 14 nëntor të vitit 1908 kur delegatët nga tërë trevat shqiptare kaluan këtë prag frynte erë dhe binte borë. Dëbora i kishte veshur kësulën e bardhë Pelisterit piktoresk duke i dhënë një hijeshi të veçantë atë ditë Manastirit. Manastiri dhe tërë trevat shqiptare e ndjenë se kishte filluar një kohë e re, koha e të mësuarit të gjuhës mëmë me shkronjat e saj që shqiptarët e kishin ruajtur në shekuj si gjuhë që flitej por nuk shkruhej. Të moshuarit iu kanë transmetuar më të rinjve brez pas brezi ato ditë të jashtëzakonshme që iu hodhën shtat ëndrrave të shqiptarëve për gjuhën e tyre. Gazetari i moshuar nga Manastiri Qenam Hasani e sjell këtë çast solemn të rrëfyer nga prindërit e tij. Ai thotë:
– Qysh në orët e para të mëngjesit para kësaj ndërtese historike ishin grumbulluar mijëra shqiptarë që të ftohtin e madh e përballonin mes këngëve dhe valleve kombëtare. Kostumet shumëngjyrëshe nga të gjitha trevat shqiptare dhe hareja të jepnin idenë, se aty para asaj ndërtese zhvillohej një dasmë e madhe. Para ndërtesës historike në të dyja anët e lumit ‘Draguar’ përveç qytetarëve nga Manastiri ishin rreth 100 nxënës shqiptarë, të cilët mësonin në shkollat e mesme të Manastirit. Në këto gjimnaze kishte edhe 4-5 profesorë shqiptarë midis tyre edhe Bajo Topulli, zv/drejtor i njërit nga gjimnazet turke të Manastirit. Kënga dhe vallja pushoi duke u kthyer në ovacione të zjarrta kur filluan të vijnë delegatët pranë ndërtesës. Poeti i mirënjohur Lasgush Poradeci, atëherë nxënës në vitin e parë të kolegjit rumun në Manastir, në një skicë të tijën, ka mundësi të jetë krijimi i tij i parë, e përshkruan kështu këtë moment: – “Ishte një i ftohtë i madh me dëborë dhe ne prisnim në të dyja anët e lumit ‘Draguar’ që nanuriste me qetësi perëndie. Pas pak çastesh filluan të vijnë delegatët. Vijnë me radhë llandonët me nga katër kuaj secili të zbukuruar me flamuj kombëtarë dhe kuajve iu kishin lidhur fjongo kuqezi nëpër këmbë. Sipër mbi një karrocë fluturonte një korb. Ndalon karroca dhe prej saj del Çerçiz Topulli. Më pas ai mori në shenjë korbin duke sharë, ashtu siç shajnë burrat, kur korbi ra para këmbëve të Mihal Gramenos. -Të lumtë Çerçiz, i thotë Mihali, Kongresi i ABC së do të na vejë mbarë!” kujton atë moment Lasgush Poradeci në skicën e tij që publikohet këtu për herë të parë!
Futemi në sallën e Kongresit. Në sallën e madhe ku u futën delegatët pjesëmarrës të ardhur nga të gjitha trevat e Shqipërisë si dhe nga komuniteti shqiptar në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Amerikë etj. Në Kongres morën pjesë shqiptarë delegatë të të gjitha feve: Myslimane, katolike, ortodokse; njerëz të ditur që erdhën në këtë Kongres për një qëllim të madh kombëtar. Shfletojmë dokumentacionin e Kongresit, ato fletë të zverdhura nga koha, por që shndritin nga idetë. Aty ndodhet kumtesa e Gjergj Fishtës që njihej si Homeri shqiptar. Fjalë zemre që prek zemrat e gjithë delegatëve. -Vëllezër nuk kam ardhur këtu që të mbroj asnjë alfabet, por të gjithë sëbashku të krijojmë një alfabet të përbashkët, jemi këtu, jo për t`u përçarë por për t`u bashkuar. Kleriku mysliman Ibrahim efendiu është ngritur nga salla dhe ka shkuar tek foltoria ku fliste Gjergj Fishta dhe e ka përqafuar me lot në sy… Shfletojmë kronologjinë e zhvillimit të Kongresit. Kërkesa e delegatëve ishte, që gjuha shqipe të mos shkruhej më, as me alfabetin grek, as me atë arab, por vetëm me alfabetin latin me 36 shkronjat, të cilat përdoren edhe sot. Mjeda tepër i emocionuar e ndez sallën kur ngrihet dhe reciton vargjet e tij të skalitura mjeshtërisht:
-Përmbi za që lëshon bilbili
Gjuha shqipe m`shungullon
Përmbi erë qi nep zymbyli
pa do zemrën ma ngushëllon…
Më pas Mjeda u thotë delegatëve : -ABC-ja e Manastirit e 22 Nëntorit 1908 do të mbetet në qiellin e gjuhës dhe kulturës shqiptare si ylli i mëngjesit. Të ngjitet mallëngjimi në grykë kur shikon atë ndërtesë historike dhe atë sallë …të duket sikur trokasin përsëri pas 104 vjetësh hapat e largëta të atyre burrave flokëthinjur dhe të mençur. Ke mall të ulesh në ato karrige, të prekësh poltronin ku ishte ulur Gjergj Fishta.
Ja dhe një një vjershë e Gjerasim Qirjazit:
Do të punojmë për mëmëdhenë
Gjithë jetën sa të rroj
Do të zgjoj ata që flenë …
Aty janë kujtimet e Mihal Gramenos, i cili këtë moment historik e përshkruan kështu:
“Ah, me sa gëzim e pritëm këtë ditë të Kongresit tonë të ABC-së, sepse ky kongres nuk ishte thjesht një kongres gjuhëtarësh, por një kongres kombëtar për çështje të rëndësishme të lëvizjes sonë kombëtare. E tërë procedura e Kongresit e dokumentuar me foto dhe proces-verbali i Kongresit të Manastirit. Kryetar i Kongresit u zgjodh me vota të fshehta Mit’hat Frashëri dhe nën kryetar Luigj Gurakuqi dhe Gjerasim Qiriazi. Ja dhe dita e tretë e punimeve, u krijua komisioni i Alfabetit të gjuhës shqipe dhe kryetar i këtij komisioni u zgjodh poeti Gjergj Fishta me anëtarë të tjerë; Ndre Mjedën, Luigj Gurakuqin, Sotir Pecin, Bajo Topullin etj. Kongresi i Manastirit u nda në katër grupe dhe tre ditë rresht punuan veçmas. Grupet patën diskutime të gjata dhe të ashpra për të zgjedhur variantin e secilit grup, madje debati zgjati saqë u rrezikua edhe kompromisi. Por ka qenë këmbëngulja e Ndre Mjedës që u arrit kompromisi i madh historik. Në procesverbalin origjinal të Kongresit lexojmë : -Të nesërmen para se të fillonte punimet kongresi Dom Ndre Mjeda shkoj tek Mih`tat Frashëri dhe i paraqiti dy alfabete. Zoti Frashëri pas një diskutimi të shkurtër ngeli i kënaqur dhe i tha Mjedës që këto dy variante t`i paraqiteshin komisionit. Sapo komisioni u mblodh dhe Mjeda po paraqitte variantin latin të alfabetit pasi ky variant është më i thjeshtë më praktik që mësohej shpejt. Ky alfabet u ndërtua jo mbi bazën e shkronjave arabo -turke apo greke as me shkronja të përziera por thjesht alfabet latin alfabet ku çdo shkronjë shprehte një tingull –fonemë. Ndërkohë Luigj Gurakuqi zbulon një dërrasë të zezë që ishte në krye të sallës ku ishte shkruar ABC salla shpërthen në ovacione të gjata. I gjithë komisioni më pas nënshkruan vendimin me një penë të vendosur mbi flamurin kombëtar. të gjithë zotërinjtë delegatë dhanë besën e tyre ka thënë Fishta. Njësimi i alfabetit ka thënë Mit`aht Frashri është pema parë e kongresit por ka dhe një pemë tjetër të bukur ky është bashkimi i shqiptarëve …Qoftë ky themeli i një bashkimi të përjetshëm e ka mbyllur fjalën e tij Mit`aht Frashri.
Çfarë ka mbetur sot nga Manastiri i Kongresit?
Qyteti historik i Manastirit që ka qenë kryeqendër e shqiptarëve me popullsi dominuese atë shqiptare. Sot pas 109 vjet ka ngelur një qytet me fare pak shqiptarë, të cilët nuk janë as 7 % nga 75% që kanë qenë atëherë kur kjo ngjarje të madhe historike për gjithë shqiptarët kudo që jetojnë mori udhë. Por tek shëtit nëpër Manastir këtë qytet, i cili ka mbartur shumë ngjarje historike për shqiptarët, është e vështirë të gjesh gjurmët e dikurshme aq të lavdishme. Në udhët e tij, s’ka mbetur pothuajse asgjë. Shtypshkronjës Universale që shtypi abetaret dhe librat shqip nuk i ka ngelur as nam as nishan. Edhe pse familja Qirjazi me pesë anëtarët e saj kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për këtë ngjarje historike kur u ngrit shtypshkronja dhe që mbajti delegatët në hotelin e saj të Gërmenjëve, nuk ka asnjë rrugë emrin e kësaj familjeje në Manastir, madje para pak kohësh shtëpia e Qirjazve, i vetmi nishan prej tyre ka dalë në shitje për një pronar të ri, qëllimi është më pas shembja e saj dhe zëvendësimi me një ndërtesë tjetër. Ndërtesa historike e Kongresit të Manastirit ishte në gjendje të mjerueshme dhe gati drejt rrënimit, falë një ndërhyrjeje të para disa kohëve me parë e shpëtoi atë nga rrënimi i saj. Kati i parë i ndërtesës historike i është shitur për biznes, ish prefektit të parë të Manastirit, aty çuditërisht shiten pllaka ! Ajo që ka mbetur si gjurmë në Manastir dhe që nuk mund të zhduket është fusha e Pellagonisë që na kujton të parët tanë të Pellazgëve, Heraklea Linkesits, që të kujton fisin ilir të Linkestëve me mbretin e tyre Bardhyl, dhe emri i lumit Draguar që vjen nga fjala shqip Dragua si dhe emri i Manastirit që ka të bëje me fjalën shqip i butë.
Please follow and like us: