Studentët kthehen në shesh, sot protestë tek Parlamenti
Studentët protestojnë në mënyrë simbolike para Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrisë. Vazhdon bojkoti në fakultete. Edhe stafi pedagogjik i Shkencave të Natyrës del kundër Ramës, mbështesin studentët me vazhdimin e protestës. Pedagogët kërkojnë anulimin e V.K.V-ve të fundit, të cilat cenojnë autonominë universitare
Enida Vërça
Pas bojkotit dhe ngujimit në fakultet, studentët lënë godinat për të rinisur sërish marshimet. Ditën e djeshme ata kanë dalë me vendimin për të protestuar sërish para Parlamentit, duke iu rikthyer të njëjtave protesta që ndoqën edhe përgjatë muajit dhjetor. Të rinjtë kanë vendosur që në orën 08:30 të mblidhen nëpër fakultete përkatëse dhe më pas t’i drejtohen Parlamentit, duke qenë se përkon me mbledhjen e tij. Ata bëjnë me dije se do jenë para Parlamentit në orën 10:00 për të kërkuar plotësimin e pikave dhe një arsim cilësor falas.
“Ministria nuk bën asgjë për ne”
Ditën e djeshme, studentët protestuan në 3 fronte për të masivizuar sa më shumë situatën. Rreth orës 11:00 , ata u rikthyen sërish para Ministrisë së Arsimit. Ka qenë Këshilli Studentor i Shkencave të Natyrës së bashku me studentët e Mjekësisë, që u kanë bërë thirrje studentëve të çdo fakulteti t’i bashkohen marshimit të tyre drejt Ministrisë së Arsimit, për t’i shkuar siç thonë ata, protestës deri në fund. Në vazhdimësi të “Dhjetorit të Dytë”, ata qëlluan me bojëra dhe vezë ministrinë për të treguar pakënaqësitë që kanë ndaj këtij sistemi arsimor. “Kthimi te ministria është për t’i dhënë një simbolikë të fortë kësaj ministrie. Gjatë gjithë kohës, ky institucion nuk ka dhënë asgjë për ne, asnjë shkresë zyrtare, përveç z. Kryeministër, i cili bën të gjitha rolet e ministrive, ku së fundmi ka marrë edhe Ministrinë e Jashtme. Për ne ministria nuk ekziston”, tha Dorjan Beqiri. I pyetur nëse në Fakultetin e Shkencave të Natyrës më së shumti është duke u zhvilluar mësim apo bojkot, ai tha se pjesa më e madhe e studentëve janë bashkuar votimit për bojkot. “Nuk është e vërtetë që po zhvillohet mësim. Ne para disa ditësh zhvilluam disa zgjedhje dhe me vota fitoi shumica për bojkot. 258 studentë kanë qenë për mësim dhe 512 studentë ishin për bojkot. Mos të harrojmë që shumica ishin nëpër rrethe dhe nuk ishin në fakultet, ky është bojkot. Për aq kohë sa studentët e rretheve nuk vijnë në shkollë do të thotë se janë në bojkot. Ata kanë zgjedhur këtë formë proteste, pasi nuk kanë mundësi ekonomike të qëndrojnë në Tiranë. Është paralizuar e gjithë jeta universitare, është bllokuar. Ka bojkot, ka ngujim, ka protesta si kjo e sotmja. Ne nuk jemi vetëm dhe nuk jemi pak. Pranë nesh janë pedagogë, të cilët po na mbështesin, po ashtu edhe qytetarët. Edhe pak ka mbetur për të fituar këtë kauzë të madhe”, përfundoj Beqiri.
Marshimi te kryeministria
Pas Ministrisë së Arsimit, studentët marshuan drejt Kryeministrisë, ku dhe aty nuk mungoi gjuajta me vezë dhe bojëra ndaj institucionit. Ndoj Mhilli, tha për “Shekullin” se kjo është një çjerrje e fytyrës së këtij sistemi. “Kjo nuk është dhunë, por çjerrja e fytyrës së këtij sistemi. Po paraqesim pakënaqësinë tonë ndaj një sistemi dhe disa ligjeve të cilat duhet të rrëzohen. Kjo është një formë e cila nuk duhet të kishte ndaluar dhe duhet të vazhdojë sërish. Studentët e nisën spontanisht dhe në mënyrë paqësore dhe do ta mbyllin në mënyrë të tillë. Kjo nuk është një mbyllje, por një shenjë për të treguar që MASR për ne nuk ekziston dhe ne do t’i japim atë që meriton. Kjo protestë nuk është më për tetë pikat. Sot është një protestë për arsim cilësor, që në gjenezën e saj duhet të ketë 8 pika. Sot është dita për të protestuar për dinjitetin tonë. Gjatë gjithë kësaj kohe, me në krye z. kryeministër na kanë quajtur banditë, uzurpues të fakultete, ndërkohë që këto prona janë publike dhe paguhen nga taksat tona. ne nuk jemi zaptues, as uzurpues, por jemi studentë që po protestojmë për të drejtat tona dhe të ardhmen, mbi të gjitha. Është një marshim dhe goditja me vezë ka ardhur si pasojë e irritimit të studentëve. Ne për 50 ditë me radhë kemi protestuar dhe nuk kemi marrë akoma atë që kërkojmë, ndaj ka ardhur kjo formë rebelimi, e cila do të vazhdojë edhe në ditët në vijim”, tha Mhilli për “Shekullin”. Studentët u shprehen së kanë mbi 50 ditë që po protestojnë dhe deri më tani, nuk ka pasur asnjë zgjidhje të problemeve. Teksa një pjesë e tyre ka marshuar para institucioneve, pjesa tjetër ka vazhduar ngujimin dhe bojkotin në fakultet përkatëse.
Pedagogët bashkohen me studentët
Protestuesit në mënyrë unanime kanë vendosur të mos u rikthehen më auditorëve dhe duket se këtë vendim po e marrin nga dita në ditë edhe senatet akademike të fakulteteve. Pedagogët kanë treguar se janë krah të studentëve dhe nuk u rikthehen auditorëve pa rrëzimin e ligjit të Arsimit të Lartë. Pas pedagogëve të Fakulteti të Histori-Filologjisë, Gjeologji-Minierave dhe Drejtësisë, ditën e djeshme ka dalë hapur në mbrojte të studenteve edhe stafi pedagogjik i Shkencave të Natyrës. Asambleja e Personelit Akademik të këtij fakulteti i bashkohet asambleve të fakulteteve të tjera. “1. Mbështetjen për studentët dhe kërkesat e tyre; 2. Kërkesën për Dekanatin e FSHN-së që të mos penalizojë studentët protestues për shkak mungesash; 3. Solidarizimin me deklaratat e Asambleve të Pedagogëve të fakulteteve të tjerë, duke kërkuar anulimin e V.K.M-ve të fundit, të cilat cenojnë autonominë universitare; 4. Hartimin e një ligji të ri për Arsimin e Lartë, më demokratik dhe gjithëpërfshirës; 5. Kundërshtinë ndaj fushatës denigruese të ndërmarrë nga kryeministri Rama për figurën e pedagogut. Shumësia e stafeve pedagogjike të fakulteteve po shpreh hapur mbështetjen ndaj bojkotit studentor, duke iu bashkuar atij në disa raste, dhe kupton se anulimi i ligjit është pikënisja e një reforme të thellë dhe demokratike në arsim për rritjen substanciale të cilësisë së jetës universitare”, thuhet në deklaratën e stafit pedagogjik të këtij fakulteti.
Protesta në rrethe
Bojkoti i mësimit ka vazhduar edhe në universitet e rretheve. Në universitetin e Shkodrës, “Luigj Gurkaqui”bojkoti masiv ka vazhduar në të gjitha fakultetet. Studentët mblidhen çdo mëngjes në hollet dhe klasat e fakulteteve të ndryshme duke këmbëngulur në kërkesat e tyre. Gjatë natës studentët më aktivë qëndrojnë në një sallë për të dëshmuar se janë të gatshëm ta çojnë përpara rezistencën me sakrificat më të mëdha. Edhe në universitetin e Korçës ‘Fan Noli’ një pjesë e madhe e studentëve kanë vazhduar rezistencën me ngujim dhe pjesa tjetër me bojkot. Në Universitetin e Elbasanit ‘Aleksandër Xhuvani, masivizimi i bojkotit është edhe më i madh. Studentët janë të vendosur të mos rikthehen në auditorë. Një ditë më parë, teksa kryeministri u takua me ta për të prezantuar ‘Paktin për Universitetin’ u prit me parulla në studentët. Bojkoti vazhdon të jetë edhe në universitetin e Durrësit ‘Aleksandër Moisiu’, ku studentët shprehen më shumë të vendosur për ta vazhduar. Ka qenë edhe senati akademik dhe Këshilli Studentor i këtij universiteti i cili ka mbështetur vazhdimin e bojkotit.
Bojkot dhe ngujim masiv në Fakultetin e Drejtësisë
Në Fakultetin e Drejtësisë vazhdon ngujimi dhe bojkoti në mënyrë masive. Studentët janë shprehur për “Shekulli-n” se në mbarim të javës do të nisë edhe greva e urisë si një formë përshkallëzimi e protestës. Marlin Muça student i këtij fakulteti thotë se do të nisin edhe grevën e urisë. “Praktikisht kjo është forma e fundit e protestës sonë. E nisëm paqësisht dhe duam ta përfundojmë në mënyrë të tillë. Greva është një hap ekstrem, por gjithsecili i merr vetë parasysh pasojat e këtij akti. Është një vendim individual, që sigurisht ka rrezik edhe për shëndetin. Me aq sa kam biseduar, studentët janë të gatshëm që ta hedhin këtë hap dhe ka mbetur shumë pak kohë. Kryeministri duhet të bëjë kthesën, pasi nuk ka më lojëra dhe arrogancë, studentët e kanë seriozisht dhe do t’i shkojnë deri në fund kësaj çështje”, përfundoj ai. Ergyst Shullazi, student në këtë fakultet tha se ngujimi është forma më e mirë e protestës. “Deri në fundjavë do të vazhdojmë në këtë mënyrë me diskutime, lexime librash dhe gjatë fundjavës do kemi një takim me të gjithë koordinatorët e fakulteteve të tjera, ku do të diskutohet mbi detajet e një greve, që studentët do të mbajnë ndaj shurdhërisë së qeverisë në lidhje me 9 kërkesat tona. Ne gjatë gjithë kësaj kohe, kemi marrë një sërë vendimesh hap pas hapi. Protestuam para MASR-së, nuk morëm përgjigje. Më pas te Kryeministria, as aty nuk morëm përgjigje. Protestuam te Parlamenti dhe aty sërish nuk morëm përgjigje. Kemi dy javë që ngujohemi dhe prapë nuk ka një përgjigje. Për këtë arsye, greva e urisë, si hap final dhe akt paqësor është duke u marr në konsideratë nga të gjithë studentët” përfundoj ai. Të pyetur nëse ndonjë nga kërkesat e tyre është plotësuar, ata thanë se dhe ato pika që janë plotësuar janë bërë me VKM. “Ne e dimë që ato mund të vendosen në fuqi sot dhe mund të shfuqizohen nesër nga një tjetër VKM. Ne duam ndryshimin në ligj dhe ndryshimin e reformës në arsim. Nëse kjo nuk mund të ndodhë, le të rrëzohet ligji për Arsimin e Lartë dhe të dalim me një ligj të ri, i cili do të ketë përparësi 30 vjeçare dhe të jetë afatgjatë, duke garantuar stabilitet në arsim”, deklaroj Muça./shekulli/