Bardhyl Berberi: Historia e Dr.Jorgonit me mjeken ruse të Leninit, Kazanova
Pogradeci është shtuar shumë nga 18 mijë banorë që kishte në vitin 1990, sot numërohen vetëm në
qytet mbi 55 mijë banorë. Kishte kohë që nuk e kisha parë dr. Jorgonin …Befas një ditë në varrimin e një të afërmi e shoh emrin e tij mbi një pllakë varri. Shtanga. Ja pse nuk e kam parë dr. Jorgonin,
thashë me vete. Në moshën 95 vjeç, doktori i famshëm është ndarë nga jeta. Kisha qenë para disa kohësh në shtëpinë e dr. Jorgonit, atëherë kur ende nuk ishte ndarë nga jeta bashkëshortja e tij, Viktoria. Pasi më ftoi për një kafe…
Në katin e sipërm të një ndërtese dy katëshe shtetërore, i humbur mes kujtimesh të largëta kohëve
të mjegulluara dhe dëshira ende të pashuara për t’u shërbyer njerëzve në profesionin e tij të mjekut ndonëse ka hyrë në vitin e nëntëdhjetë e pesë të jetës së tij doktor Theodor Jorgoni, hedh shikimin tutje mbi rrugën buzë liqenit të mbushur me kalimtarë dhe fëmijë. Vështrimi i qetë dhe fytyra serioze ndonëse në një moshë të madhe, gati shekullore me një kujtesë të jashtëzakonshme. Kujton atë kohë, më 9 gusht të vitit 1958 kur erdhi në Pogradec dhe ngeli “rob” i këtij qyteti, ndonëse është një tiranas i vjetër, shtatë breza. Thotë se ai është bërë pogradecar, madje edhe ndjehet krenar, që këtij qyteti i ka falur tërë pasionin dhe dijet e tija të fituara në Universitetin e Romës ku ai është diplomuar në degën e pediatrisë kirurgjikale.
Troket dera dhe në kuadratin e saj shfaqet një grua me një foshnjë në dorë…
-Doktor Jorgoni foshnjës sime edhe pse i kam dhënë antibiotikë e nuk i bie temperatura!
-Urgjent bëji një banjë, thotë doktori, më pas do të them unë se çfarë do t’i bëjmë!
Gruaja është fqinjë me doktorin dhe largohet me të shpejtë…
Vazhdojmë bisedën me doktorin, i cili qëndroi në Itali deri në vitin 1942 dhe kthehet në atdhe pas thirrjes së intelektualëve shqiptarë për të ndihmuar atdheun nga pushtimi fashist. Fillimisht punon në spitalin
ushtarak të Tiranës e më pas në spitalin civil të Tiranës. Ai do ta quaj një fat të rrallë, që gjatë kohës që punoi si mjek pediatër në spitalin pediatrik të Tiranës, do të punonte me një mjeke të shquar ruse Kazanova, e cila për shumë vite kishte qenë mjeke personale e Leninit. Profesoresha e famshme ruse Kazanova, tregon dr. Jorgoni, ishte e moshuar dhe kishte ardhur në Shqipëri për të ndihmuar mjekët shqiptarë menjëherë pas çlirimit të Shqipërisë nga okupatorët fashistë. Ajo më ka mbajtur afër dhe
ky ka qenë një fat për mua.
Dr. Jorgoni kujton me imtësi një ngjarje. I vjen në spitalin e Tiranës një djalë 6 vjeçar nga Dunica e Mokrës, mbaj mend që quhej Çelnik, mbiemri nuk më kujtohet thotë ai. Dr. Jorgoni kujton se ky djalë kishte një sëmundje të rrallë, me bark të enjtur. Së bashku e mjekuam për tre muaj duke aplikuar metoda nga më të fundit por përmirësimi ishte i pakët. Pas një muaj mjekim doktoresha e famshme ruse Kazanova nuk u dorëzua duke më thënë mua se çfarë do t’i bënim, mjekim pas mjekimi. Por dr. Jorgoni vazhdoi që ta ndjekë me këmbëngulje edhe për tre muaj të tjera dhe thotë, se iu bënë dy metro gjatësi kartelat tek koka e krevatit. Pas çdo mjekimi mbante shënime të hollësishme dhe ia tregonte Dr. Kazanova, që i lexonte çdo ditë shënimet e dr. Jorgonit dhe çuditej me këmbënguljen dhe pasionin e këtij mjeku të ri pasionant. Pas tre muaj dr. Jorgoni arrin që t‘i sjellë Çelnikut 6 vjeçar një përmirësim të
dukshëm. Por pa dyshim me kureshtjen e një mjeku e pyesja kur pinim kafe mbi Leninin…të cilit ajo i kishte shërbyer për gati 10 vjet. Kazanova më tregonte për pasionet e Leninit, për muzikën, shahun shëtitjet me biçikletë dhe ecjet e gjata nëpër pyll krejt vetëm për gati një orë çdo ditë me një pamje meditative…Mjekja e famshme ruse tregon për verën e vitit 1918 në Taraskovë, atje ku bënte pushimet Lenini, por atje kishte shumë mushkonja. Një mëngjes ngrihet i buhavitur Lenini dhe më thotë mua, “shiko se çfarë më kanë bërë mushkonjat, më kanë grirë fare”. Urdhëroi shoferin e tij, Gilin se do të largoheshim urgjent që aty .U nisëm për në Barvihë, një kodër e pyllëzuar afër lumit “Moska”. Gjatë
kohë që i mjekoja plagët e mushkonjave befas m’u drejtua duke më thënë “më trego diçka për jetën tënde…”. Ishte shumë i dashur. Mjekja e famshme ruse Kazanova me tregoi, se e mjekonte Leninin nga
një luhatje tensioni të shoqëruar me një aritmi në zemër…
Por jeta është e çuditshme, thotë dr. Jorgoni nga viti 1958, unë emërohem në Pogradec, në atë kohë kishte vetëm një mjek, ishte vetëm dr. Misto Marko. Në qytetin turistik buzë liqenit mortaliteti i fëmijëve ishte problem. Fëmijë të paushqyer mirë vdisnin si mizat. Djaloshi nga Tirana plot pasion dhe ëndrra pothuajse e kalonte gjithë ditën në spital. Madje edhe shtëpinë ku aktualisht banon dhe sot, ia dhanë pranë spitalit të vjetër. Punonte nga 16 deri në 18 orë në ditë. Doktori kujton dimrin e vitit 1963, kur nuk mund të shkonte ambulance në Mokër dhe ka udhtuar në këmbë mbi 6 orë, duke çarë dëborën dhe arriti të shpëtojë një foshnjë 6 javshe. Por shpesh herë dr. Jorgoni fëmijëve të varfër ua blinte ilaçet nga rroga e tij. Fillimisht i është ndarë nga jeta bashkëshortja e dr. Jorgonit, Vitoria. Ai tashmë ka mbetur krejt i vetmuar, dy djemtë e tij së bashku me familjet janë në emigracion, në Kanada…
Doktori psherëtin thellë “ e kisha më tepër shoqe, se sa bashkëshorte…”. Më pas ai i përlotur thotë se “populli i Pogradecit është një popull i mrekullueshëm”, ata e kanë nderuar dr. Jorgonin. Ai nuk del asnjëherë të bëjë Pazar, sepse sapo del tek tregu i dalin të njohur dhe mundohen që t’ia japin prodhimet pa lekë, gjë që është krejt e papranueshme për këtë doktor. Mjekun dhe mësuesin, thotë dr. Jorgoni, jashtë shtetit e zgjedhin që në fillore, sepse mjeku dhe mësuesi është një figurë shumë e nderuar. Zgjedhin fëmijë me personalitet, jo alabakë siç ndodh rëndomë tek ne, kur shumë mjekë ndërtojnë nga dy tre vila dhe blejnë makina të shtrenjta luksoze. “Me çfarë, shton ai, duke rrjepur këtë popull fukara, turp por unë besoj, thotë ai, se ka një fuqi të mbinatyrshme që te godet atje ku nuk e pret”.
Në shtëpinë e dr. Jorgonit të bie në sy një thjeshtësi e jashtëzakonshme, të gjitha orenditë janë të kohës së diktaturës. Nuk na del, thotë dr. Jorgoni. Më mirë kështu thjeshtë dhe me nder. Pasuria ime më e madhe, thotë ai, është ai respekt i njerëzve të thjeshtë, që kur kaloj rrugës më flasin të gjithë me dashuri. Kjo besoj nuk është pak, thotë dr. Jorgoni. Të dy djemtë e dr Jorgonit ndodhen në emigracion. Urimi, djali madh, babai i dy vajzave dhe një djali, Aleksandrit që i ka bërë ata stërgjyshër, ndërkohë që edhe djali tjetër, Genci së bashku me familjen ndodhen në Kanada. Kemi shkuar edhe ne në Kanada, thotë dr. Jorgoni, kemi qëndruar disa muaj, por folenë e kemi këtu, në Pogradec. Dr Jorgoni është djali i një tregtari që ka shumë prona në Tiranë, por asnjë nuk e ka marrë.
Për gjithë këtë kontribut të jashtëzakonshëm të dr. Jorgoni, më 30 korrik 1984 dekorohet nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me titullin “Mjeshtër i Punës”. Doktor Jorgonit ende i vijnë njerëz me ndonjë sëmundje të rrallë dhe të gjithë i mirëpret. Një jetë e tërë pa gjumë, në shërbim të njerëzve të thjeshtë. Kjo nuk është pak, thotë dr. Jorgoni.
Shfletojmë një album dhe shohim foto të dr. Jorgoni futbollist me skuadrën “Agimi” të Tiranës, madje edhe në Itali ai ka luajtur. Miq të tij të afërm kanë qenë përveç mjekëve të shquar Theodhosi apo mjekja ruse Kazanova edhe artistët e skenës; Sandër Prosi dhe Prokop Mima…
Shikoj atë fytyrë të ëmbël të dr. Jorgonit dhe më erdhi e gjallë e gjithë biseda me dr. Jorgonin. U prefsh në paqe o njeriu i mirë që çdo pogradecar të kujton me shumë respekt…
Nëntor 2016