Albspirit

Media/News/Publishing

Parlamenti grek ratifikon “Marrëveshjen e Prespës” me 153 vota

Parlamenti i Greqisë ka votuar Marrëveshjen e Prespës për ndryshimin e emrit të Maqedonisë. Seanca maratonë që nisi ditën e djeshme, zgjati plot 38 orë dhe folën 200 deputetë. Marrëveshja e Prespës u ratifikua në Parlamentin grek me 153 vota pro, duke përfshirë edhe votat e 8 deputetëve opozitarë. Kundër kësaj marrëveshje votuan 146 deputetë. Për disa minuta votimi u pezullua për shkak të deputetit të “Agimit të Artë”, Kostas Barbarousis, i cili bërtiti në Parlament “Jo për tradhëti” dhe më pas u largua. Kryetari i Parlamentit e ftoi deputetin e “Agimit të Artë” që të votonte përsëri pasi nuk mund të regjistrohet asnjë votë “jo për tradhëti”. Kostas Barbarousis ishte larguar tashmë nga salla dhe vota e tij kundër u konsiderua e pavlefshme. Kreu i Demokracisë së Re Qirjakos Micotaqis, tha se nuk përjashtonte mundësinë e bllokimit të procesit të antarësimit të Maqedonisë në BE nëse zgjidhej kryeministër. Micotaqis është kundërshtar i marrëveshjes, ndërkohë që marrëveshja është debatuar sot ashpër në Kuvend. Grupimet e ekstremit të majtë protestuan gjatë natës në Athinë, ku u vunë flakën flamujve të SHBA-së, BE-së e NATO-s. Protesta parashikohen edhe gjatë ditës së sotme, ndaj në qendër të Athinës janë angazhuar një numër i lartë policësh.

Please follow and like us: