Stalini, i përjashtuar nga shkolla dhe oficer Stalini i stadiumit të futbollit
Bardhyl Berberi
Quhet Stalin. Edhe pse emrin ia kanë ndërruar para disa vitesh dhe ia kanë kthyer Jovan, të gjithë të njohurit në qytetin e Pogradecit i thërrasin Stalin. Stalo-n (kështu i thërrasin të gjithë) sot tregton çajra mali që nga ora shtatë e mëngjesit, deri në orët e vona të pasdites, ndonëse është 70 vjeç. Duke folur për jetën e tij, thotë se emrin ta vendosin të tjerët dhe je i detyruar që të përballesh me të mirat dhe problemet që mund të hapë ky emër. Unë, thotë Stalini, kam lindur në vitin 1945, fill pas çlirimit dhe babai im, Koçi, që kishte simpati të madhe për udhëheqësin e Bashkimit Sovjetik, Stalinin, mori vendim që mua të ma vërë emrin Stalin. Por peshën e këtij emri, tregon Stalini, unë e kuptova kur u futa në shkollë. Të them të drejtën, thotë Stalini, si për ironi të fatit, mua nuk më jepej fare për të mësuar. Isha nxënësi më i dobët i klasës. Filluan të më gjykojnë se unë duhet të mësoja natë e ditë, që të mos turpëroja emrin e Stalinit të madh, mikut të popullit shqiptar. Mbaj mend, thotë Stalini, që më mbanin mësuesit për të bërë punë të diferencuar pas mësimit dhe më jepnin edhe dru që unë të isha të paktën nxënës mesatar. Mbaj mend që kam ngrënë dru nga mësues Dalipi dhe Tushi, më goditnin me vizore druri në kokë, duke më thënë: “Na turpërove more edepsëz, turpërove emrin e madh që ti ke… (!) Më së fundi, edhe pse arsimi tetëvjeçar ishte i detyruar, sapo mbarova klasën e katërt, me një vendim nga Seksioni i Arsimit dhe drejtoria e shkollës, vendosën të më heqin nga shkolla ende pa mbaruar klasën e katër fillore. Kështu shkolla shpëtoi nga sikleti dhe unë shpëtova nga druri. Por, – thotë Stalini, – emri i Stalinit nuk kishte vetëm dru dhe pasoja. Rreth moshës 12-vjeçare kam rënë duke luajtur në një gropë gëlqereje, në afërsi të Turizmit të vjetër. Gëlqerja ishte duke u shuar dhe vala përvëluese e saj më dogji krejt. U vunë të gjithë në lëvizje për të më shpëtuar jetën. Të shpëtohet Stalini me çdo kusht. Vetëm kujdesi i jashtëzakonshëm që mu bë mua me mjekë të ardhur enkas nga Tirana, arritën të më shpëtojnë jetën. Emri i Stalinit, kësaj radhe, bëri që të më shpëtojnë jetën, por njëkohësisht edhe të më heqin emrin e Stalinit me një vendim të veçantë të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit. Kishte plot njerëz disidentë të regjimit komunist, që nuk dilnin hapur, por shfrytëzonin ngjarjen dhe flisnin kudo hapur nëpër qytet: “A e morët vesh, ka rënë Stalini në gropën e gëlqeres, apo na është djegur Stalini”.
Vendimi i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit
Diktatura nuk mund ta përtypte këtë lloj ironie. Në zyrën e gjendjes civile në Pogradec, gjendet edhe sot një vendim i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit më datën 06. 06. 1957, mbi heqjen e emrit të Stalin Niçes dhe vënia e emrit (Jovan). Por, edhe pse ma hoqën emrin zyrtarisht, të gjithë njerëzit më thërrasin Stalo. Edhe pse pa shkollë pothuajse fare, më sistemuan në punë të mira, – rrëfen Stalua. Kam punuar në Drejtorinë e Furnizimit të Bujqësisë, si punëtor magazine, ndonëse isha pa shkollë. Shokët e mi pa shkollë hapnin kanal në ndërmarrjen bujqësore apo ishin nëpër galeri miniere. Kurse unë, thotë ai, bëja punë të lehtë, sistemoja ndonjë vegël në magazinë dhe rrija gjithë ditën. Rroga ishte e mirë, edhe pse emri u ndërrua në gjendjen civile, të gjithë më thoshin Stalin. Stalini, me buzë në gaz, më thotë se ka edhe një Stalin tjetër në Pogradec, ai ka qenë oficer dhe pas lirimit nga ushtria punonte në stadiumin e qytetit, si përgjegjës i fushave të futbollit. Stalini është një baba shembullor. Ka edukuar vajzat e tij, madje njëra prej tyre ka mbaruar shkollën e lartë për mësuesi. Të gjithë flasin me respekt për Stalon, si njeri i urtë, i dashur me shokët dhe fqinjët. Ndonëse ka dalë në pension, qëndron gati tetë orë çdo ditë tek tregu i qytetit duke shitur erëza të ndryshme dhe çaj mali për të siguruar diçka plus për familjen e tij. Ndërkohë që ne jemi duke biseduar, dikush i thërret; Stalo, dua dy tufa me çaj mali. Stalua më buzëqesh dhe më thotë: “A e shikon që të gjithë Stalo më thonë”?
Please follow and like us: