Albspirit

Media/News/Publishing

Veton Surroi: Një policë sigurimi e Rusisë për Serbinë…

…apo një sistem i korruptuar antivirus për Perëndimin

1.

Javier Solana thuhet të ketë qenë në Moskë, në cilësinë e shefit të parë të diplomacisë evropiane dhe pas disa vizitash nëpër Rusi, me një ton prej simpatiku të mosdijes së shtirur i pyet nikoqirët, përfshirë edhe prijësin e ri rus, Vladimir Putin:

“Dakord, ju jeni një fuqi e madhe, por më tregoni ju lutem se pos armatimit, naftës e gazit, çfarë prodhimesh të tjera keni Made in Russia? Nuk është se kam parë ndonjë TV apo celular që eksportohet nga ju”.

Nikoqirët thuhet se e tejkaluan këtë pyetje episodike, duke e trajtuar si të tillë, pra episodike, por kjo shtrohet në forma të tjera çdoherë që dëgjohet për ndonjë veprim të prijësit rus në skenën botërore.

Natyrisht, qe krejtësisht pyetje legjitime javën e kaluar kur në lajmet qendrore televizive të botës perëndimore u shfaq pritja madhështore për presidentin Putin në Beograd, një prej atyre skenave që i kishte parë Beogradi në vitet gjashtëdhjetë, kolona të gjata pionierësh dhe klasë punëtore duke pritur ndonjërin prej miqve të Jugosllavisë socialiste.

Pyetja e Solanës mori përgjigje të thjeshtë në Beograd. Putini shkoi atje për të eksportuar armatim, gaz dhe naftë. Nuk kishte TV e as celular, e as ndonjë gjë tjetër që mund të quhet mall konsumi.

2.

Në fakt, përgjigja është më e komplikuar se kaq. Dhe duhet të jetë më e komplikuar se aq, sepse çfarë do të duhej të ishte arsyeja që mediat kryesore perëndimore të regjistronin si lajm vizitën e kryetarit të një shteti që shtrihet në Evropë e Azi, ka 145 milionë banorë, por që ka ekonominë e vëllimit të shteteve të Beneluksit (Holandës, Belgjikës dhe Beneluksit). Po të ishin nisur në Beograd në vizitë të përbashkët kryeministrat e Holandës, Belgjikës dhe Luksemburgut lajmi do të hynte në kategorinë e kurioziteteve, por jo të meritonte as pritjen e pionierëve dhe klasës punëtore, e as vendosjen në tri lajmet kryesore të emisioneve qendrore informative në Londër, Paris dhe Berlin.

Dallimi qëndron në faktin se Vladimir Putini ishte në Beograd për të shitur jo vetëm armë, naftë dhe gaz, por një mall që nuk e kanë shtetet e Beneluksit: influencë. Shkuarja e tij në Beograd ishte për të rikonfirmuar se në aspektet thelbësore gjeostrategjike, ato të sigurisë, Beogradi mund të llogarisë se do të mbrohet nga Rusia. Dhe kjo mbrojtje mund të bëhet duke eksportuar armë (dhe blerë molla të Serbisë e fruta dhe zarzavate që kontrabandohen nga vendet e regjionit, përfshirë Shqipërinë, me letra eksportuese serbe), por më së shumti bëhet duke e përkrahur Serbinë kundër Kosovës.

3.

Tashmë 20 vjet, Rusia ka zhvilluar njërin prej operacioneve më mbresëlënëse në pengimin e shtrirjes së Perëndimit në Ballkan, duke u fokusuar në Kosovë. Rusia u pajtua që lufta e NATO-s kundër Serbisë të përfundojë me tërheqje të forcave serbe, por edhe me vendosjen e Kosovës në administratë të OKB-së deri në gjetjen e zgjidhjes së statusit të Kosovës. Serbia vendosi që të pamundësojë funksionimin e tërësishëm të Misionit të OKB-së dhe institucioneve të ndërtuara prej tij, dhe pastaj vendosi të mos pranojë rezultatin e procesit negociator të OKB-së që do të rezultonte me Pavarësinë e Kosovës. Rusia kishte investimin minimal me të ardhura maksimale, duke mos bërë gjë, por vetëm përkrahur Serbinë aty ku kishte influencë për të shitur: në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Gjatë njëzet vjetëve, Rusia me një votë në KS të OKB-së pengoi misionin e NATO-s, atë të OKB-së dhe pastaj të Bashkimit Evropian. Formula ishte e thjeshtë: Rusia do të përkrahë çka do që të dojë Serbia, duke i thënë Serbisë ndërkohë që të kërkojë çka të dojë e kur të dojë me Kosovën.

Kështu, kur më 2019 pritet të zhvillohen negociatat Kosovë-Serbi për arritjen e “Marrëveshjes së obligueshme” nën udhëheqjen e BE-së, dhe presidenti Trump u shkruan presidentëve të Kosovës dhe Serbisë se do të mirëpresë nënshkrimin e saj në Shtëpinë e Bardhë, është një shtet që nënkuptohet ta ketë ftuar veten në këtë proces, Rusia; me asnjë investim tjetër pos votës në KS të OKB-së, për ta ndryshuar eventualisht Rezolutën 1244 të KS të OKB-së.

Dhe, Rusia do të jetë e interesuar për një gjë të rëndësishme në këtë proces: çfarë precedenti do të vendosin negociatat? Nëse ka ndarje territoriale, Rusia ka nja pesë konflikte të ngrira prej Ukrainës në Gjeorgji, që do t’i zgjidhte disi siç do të bënin tregtarët e pakicave (jo tregti me pakicë, por me pakica, aso etnike) në Serbi e në Kosovë.

4.

Si u mbërrit te ky rreth i plotë për njëzet vjet? Ka shumë për të shkruar, ndonëse është shkruar jo aq pak, për kapësit e shtetit të Kosovës, që, duke i dobësuar deri në dërrmim institucionet, u bënë aleatë të Rusisë, e cila deshi mu këtë, deinstitucionalizimin deri në formimin e klaneve, regjionale a kriminale a çfarëdo qoftë.

Por, kjo është fotografia e vogël. Ajo e madhja është e Vladimir Putinit, i cili ka njëzet vjet që ka hyrë në mëhallën e Perëndimit në Ballkan dhe, sikur në filmat e Padrinos, shet polica të sigurimit, duke i premtuar atij që nuk do t’i blejë se ndoshta do të pendohet nesër.

Apo në versionin e sotëm kompjuterik, të prodhuesit të programeve antivirus për kompjuter, i cili ua shet të gjithëve në Perëndim të lumit Vollga, me premtimin e verifikuar se në mungesë të këtij software, i tërë programi operativ perëndimor do të shembet.

Please follow and like us: