Albspirit

Media/News/Publishing

Në rrugët e Athinës, ku gjallon kënga shqiptare

Albert Z. ZHOLI

“…ARAT PO I  LËNË, PO MARRIN  KURBETIN, CA MALLKOJNË  TOKËN, CA MALLKOJNË  SHTETIN…”.

 

 

Reportazh

 

 

 

 

Atë ditë Athina mu duk si Tirana. Kudo ndeshja vetëm shqiptarë… Ja më tej…Ndesha një orkestër të vogël me katër vetë. Këndojnë dhe u bien veglave muzikore, duke i rënë cep më cep lagjeve të Athinës. Por më shpesh i  gjen nën këmbët e Akropolit e në  lagjen “Plaka”, ku i gjetëm edhe ne për herë të parë …

Sa i  dëgjuam, menduam se ishte  ndonjë kasetë me këngët e njohura përmetare. Së bashku me  një  shokun tim, i afruam këmbët andej nga vinte ëmbëlsia e atyre këngëve…

Ata të katërt ishin pranë murit të një ndërtese. Të katër esmerë, nga ata stërnipërit  e muzikantëve, që solli Pirroja i madh nga Egjipti, që në Përmet e gjetkë u bënë djep- kënge. Sikur ishin vëllezër ngjanin. Klarinetisti ishte pak më i shkurtër…U binin veglave dhe këndonin sic bëjnë grupet e hershme përmetare, sidomos ai më famozi, grupi i Laver Bariut. Ia kishin marrë vënçe një kënge të vjetër, sikur të ishin në  grykën e Këlcyrës e jo në këmbët e Akropolit:

Në qivur të shtrinë,

Të veshën si nuse.

Sa hije të kishin,

Të shkretat baluke!

Rreth këngës grumbulloheshin e grumbulloheshin shqiptarë e turistë të ardhur ‘pranë bukurisë  greke…Ne dëgjonim si pa marrë frymë e ata këndonin:

…Te gorica plakë,

Po ta bëjnë  varrë.

Pleqtë  po  rrëmojnë…

Beqarët po qajnë…

Edhe ne na mori kënga dhe thoshim nëpër buzë:

“Pleqtë  po  rrëmojnë/Beqarët  po qajnë…

Disa turistë nordikë, kështu dukeshin nga trupat e gjatë e nga tiparet e theksuara të bardha, sic i  themi ne shqiptarët “të shpëlarë”, hodhën disa monedha në kapakun e violinës dhe ngatërruan disa fjalë, që donin të thoshoshin, “tjetër…tjetër”

Aq donin ezmerët:

…Kishe  dalë e rrije, afër trëndafilit,

Të digjej jeleku, nga zjarret e gjirit…” Ah..zjarret…

Bravoo, bravoo!-folën dy nga “të shpëlarët”…

Neve sa nuk bëheshim me krahë nga gëzimi  e krenaria. Në ato çaste mu kujtua një thënie e një filozofi: “Popujt që kanë këngë të bukura, kanë të ardhme …”. E kujtova këtë thënie dhe psherëtiva. “Ku është e ardhmja  e këtijë populli  këngëbukur si i yni?!!…” dhe shoh me keqardhje bashkëatdhetarët e mi të ikur tufa-tufa, nëpër udhët e botës…Dhe këngëtarët derdhnin  shpirtin e tyre në këngë  për të kënaqur zotërinjtë portë më portë e lagje më  lagje. Dhe ata si ta kishin lexuar dhimbjen time, ia morën një këngë tjetër: Një këngë të dhimbëshme kurbeti:

…Ç’ka që s’mbin bari në qafë?

Nga lotët  që derdhnin gratë!

Marrin rrugën e kurbetit

Dhe s’e  dimë c’vjen prej detit?

Rruga jonë, dreq o rrugë,

Zgjatet për një  copë bukë…”.

Një vogëlushe  u lëshua nga dora e nënës dhe i dhuroi një trëndafil  të kuq atij me  klarinetë që po e magjepste me këtë kënge. Klarinetisti e vuri karafilin diku, aty nga qante klarineta dhe filloi sërish:

…Djemtë e burrat tanë, shpirt e zemër vrarë,

Arat po i lënë  pa i hedhur farë.

Arat po i lenë  po marrin kurbetin,

Ca mallkojnë tokën, ca mallkojnë shtetin…

Ikëm me dhimbjen e gëzimit, që na kish mbushur  shpirtin dhe na derdhej si kënga pambarim e katër esmerve. Puna për bukën e buka për të jetuar! Buka e artit është dhe një mesazh Shqipërie, për vendasit dhe kulturën ku ata jetojnë.

 

Please follow and like us: