Albspirit

Media/News/Publishing

Projektuesi francez, që e donte Pogradecin si Venecian e Ballkanit

Bardhyl Berberi

 

Në Pogradec ka ekzistuar në formën e rrëfenjës, për një francez që ka jetuar në Pogradec, i cili ka ndërtuar një plan urbanistik për këtë qytet… Në vitin 1988-të më vjen në zyrën e gazetës, së bashku me një përkthyes Edmond Garikun, i cili më dha për të botuar në gazetat e asaj kohe një material të babait të tij, ing. Alber Gariku të titulluar “Pogradeci, Venecia e Ballkanit”. Materiali ishte i gjatë, rreth 17 faqe, i shoqëruar dhe me disa skica dhe plan-vendosje të projektit konkret. Në ato vite nuk munda ta botoj, pasi drejtuesit partiakë që kontrollonin shtypin nuk pranuan që ky material të botohet, me frikën sipas tyre, se nuk e dimë veprimtarinë e këtij autori në Francë.
Po kush ishte Alber Gariku?
Alber Gariku ka ardhur në qytetin e Pogradecit gjatë Luftës së Parë Botërore si oficer i ushtrisë franceze. Ai me profesion ka qenë ekspert dhe projektues ndërtimesh. Por bukuria e liqenit dhe qyteti i bukur në breg të tij lanë mbresa të veçanta tek oficeri francez, i cili mendoj të braktisi frontin e luftës dhe të jetojë në këtë qytet me të cilin siç shkruan ai në kujtimet e tij u dashuruar marrëzisht. Kjo e detyroi Alber Garikun që të ndërtojë në breg të liqenit një vilë të bukur dyaktëshe, e cila është prishur në vitet `70. Atje ku sot ndodhet hotel turizmi “Enkelana” të gjithë pogradecarët i thoshin shtëpia e Garikut. Albert Gariku jo vetëm që u bë banor i Pogradecit, por krijoj miqësi me pogradecarët dhe tërë dijet e tij në fushën e ndërtimit filloj t’i vërë në shërbim të qytetit të Pogradecit që ai e ka quajtur që në momentin e parë si “Venecia të Ballkanit”, madje dhe projektin e tij do ta titullojë “Pogradeci – Venecia e Ballkanit”. Gariku së bashku me të shoqen Viktorinë lindën në qytetin e Pogradecit tre fëmijë: Madelonë, Edmondin dhe Renonë, të cilët i ka pagëzuar në kishën e qytetit të Pogradecit. Të moshuarit tregojnë që ai ishte i pari që solli nga Franca në qytetit e Pogradecit rrjeta peshkimi, varka metalike me motor. Njihet nga të gjithë miqësia shumë e ngushte e tij me shumë qytetarë pogradecarë
Cili ishte projekti i francezit?
Gjatë viteve që qëndroi në Pogradec Alber Gariku hapi së pari rrugën buzë liqenit deri tek spitali i vjetër i Pogradecit (bulevardi kryesor aktuali i qytetit), më pas projektoi rrugën nga këmbët e kalasë deri tek sheshi i autobusëve. Ishte rruga e dytë e saj paralele dhjetëra metra mbi të parën dhe mbi këto rrugë që ngjajnë me dy drejtëza paralele, njëra përgjatë bregut të liqenit dhe tjetra në pjesën e sipërme të qytetit, të priten nga pesë rrugë perpendikulare, të cilat zbulojnë panoramën e liqenit dhe që andej të shikoje kurorën e kodrave me gështenja. Kështu rruga e parë ishte planifikuar ku ndodhet sot rruga “Rinia”, rruga e dytë tek këmbimi i Valutës, rruga e tretë përbri gjykatës së qytetit, rruga e katërt tek Qafa e Pazarit dhe rruga e pestë përbri Lumit të Madh të qytetit. Francezi parashikonte që ta ngrinte spitalin e qytetit tek “Qoshku”, një vend piktoresk në kodrat e gështenjave pranë lagjes “Goricë”. Gjithashtu projekti i francezit ishte që ujërat e zeza të qytetit të largoheshin me tuba çeliku, në drejtim të Blatës së Zagorçanit dhe të hidheshin në kanale të thellë të Blatës dhe duke kaluar nëpër torfën e Blatës në një distancë prej 3 km larg bregut të liqenit, ato janë krejt të padëmshme. Projekti kishte plot surpriza gjithashtu edhe për dy lumenjtë që ka qyteti Lumin e Madh dhe lumin e Vërdovës. Nga Gariku ishte planifikuar që këta dy lumenj të thelloheshin nën nivelin e ujit të liqenit dhe pasi të hynin ujërat e liqenit në këto dy lumenj, më pas me kanale të gjëra dhe të thella dhe të lidheshin nga kodrat lart të Goricës dhe të dilnin mbi kodrat e Vërdovës të bashkoheshin me njëri tjetrin dhe të bëheshin të lundrueshëm duke vozitur nëpër qytet me varka si në Venecia. Kalanë e bukur të mbushur me vreshta që e ka qyteti si kurorë francezi e kishte projektuar një kamping të madh pushimi dhe që andej të zbrisje direkt në liqen nëpërmjet një teleferiku me shina hekuri. Pjesa tjetër e projektit kishte të bënte me ndërtimet që do të kryheshin në qytet. Ato duheshin të ngriheshin në funksion të pesë rrugëve dhe ndërtimet duhej të fillonin në një distancë nga bregu i liqenit. I tërë bregu do të ketë ndërtime vetëm në pjesën e sipërme të rrugës ku do të kishte ndërtesa të ulëta që do të fillonin njëkatëshe në brezin e parë, dykatëshe në brezin e dytë, trekatëshe dhe do të do tu rriteshin katet gradualisht pas largimit nga bregu shkallë-shkallë deri në kodrat e qytetit dhe nga çdo pozicion i qytetit të shikoje pasqyrën e liqenit si një skenë të madhe ujore të këtij amfiteatri. Nga i gjithë ky plan thotë Edmondi, i biri i Garikut “babai ndërtoj bulevardin kryesor të qytetit, kinemanë e qytetit, shtëpinë e tyre (që janë prishur me kalimin e viteve ) dhe centralin elektrik. Dhe kur Gariku u bind se nuk mund të realizonte projektin e tij në vitin 1933 u largua nga Pogradeci familjarisht në qytetin e tij të lindjes në Perpingan të Francës. Gariku iku familjarisht në Francë, duke marrë me vete kujtimet më të bukura për Pogradecin dhe miqësinë e sinqertë të banorëve. I biri Edmondi erdhi dy herë të tjera në Pogradec, duke i falur qytetit projektin “Pogradeci, Venecia e Ballkanit”.
Në vend të epilogut
Pogradeci në vitet e tranzicionit, nga 18 mijë banorë që kishte qyteti para vitit 1990 sot ka shkuar në 55 mijë banorë. Qyteti është shpërfytyruar duke u masakruar, duke u ndërtuar ndërtesa pa kriter që jo vetëm janë bërë në breg të liqenit me dhjetëra kate, por edhe duke i marrë frymën liqenit dhe qytetit. Në Pogradec, sipas një evidence zyrtare, mbi 60 % e ndërtimeve janë pa leje. Qyteti është asfiksuar dhe nga projekti i Garikut i ka mbetur shumë pak. Dy rrugët paralele dhe tre degëzime që zbresin poshtë nga liqeni lart, por degëzimet janë ndërprerë nga ndërtimet pa leje. Megjithë kontributin e francezit Albert Gariku, asnjë rrugë që ai ndërtoi nuk mban emrin e tij apo një titull nderi nga Bashkia, pasi kush nuk ka marrë tituj!
Please follow and like us: