Dita Botërore e Holokaustit përkujtohet edhe në Kosovë
Nën përkujdesjen e kryetarit të komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj për nder të shënimit të 27 Janarit –Ditës Përkujtimore të Holokausit, u shfaq filmi dokumentar “Trashëgimtarët e një Historie Shpëtimi’’, i cili është një rrëfim personal për marrëdhënien mes trashëgimtarëve të mbijetuarit dhe shpëtimtarit të tij, Arsllan Rezniqit nga Deçani, gjatë Luftës së Dytë Botërore, në Kosovë. Në ketë datë të shënuar e pranishëm ishin edhe Dr. Rachel Levy-Drummer nga Izraeli, mbesa e Dr. Haim Abravanel, mjekut hebre i cili kishte shpëtuar në Kosovë. Pasdite u mbajt një marsh përkujtimor për viktimat romë të Holokaustit. Marshi u mbajt në ora 16:30, nga sheshi “Zahir Pajaziti” – Prishtinë, për të vazhduar tek Teatri Kombëtar i Kosovës me një fjalim publik dhe pastaj një përformancë artistike pranë institucionit të lartëpërmendur. Kurse, në mbrëmë, në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha” në Prizren u shfaq premiera e monodramas “02.08.1944”, e autorit Edis Galushi. Kjo monodramë trajton temën e viktimizmit të romëve gjatë Luftës së Dytë Botërore në Kampin e Përqëndrimit në Auschvitz. Vetëm në këtë kamp thuhet se janë burgosur afër 23 mijë romë. Nata e 2 gushtit 1944 njihej si “zgjidhja përfundimtare” për romët në Auschvitz. Atë natë gjithsej 2,989, romë janë shfarrosur në dhomën e gazit. Përmes rrëfimit personal të personazhit të shfaqjes, tregohet trajtimi i tmerrshëm i romëve para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.