‘Venusi’ Bujar Sheshi bën përshesh Autoritetin e Dosjeve me Prokurorinë e Përgjithshme
Menjëherë pasi Prokuroria e Përgjithshme ka njoftuar se do të hetojë vetëdeklarimin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Bujar Sheshi, në kuptim të detyrimeve për zbardhjen e të shkuarës së tij, ka reaguar Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Përmes një deklarate të gjatë, Autoriteti – që është në hetim për një përgjigje për të cilën i janë dashur 3 muaj – shpjegon vonesën me faktin se ka burime të pakta njerëzore, se nuk ka sistem të automatizuar kërkimi, se ka bërë riverifikim të Sheshit në Drejtorinë e Gjendjes Civile, meqenëse ka patur mospërputhje gjeneralitetesh dhe se ka nisur hetim të thelluar administrativ në arkivë.
Në një sqarim ku nuk mungon aspekti komik, Autoriteti shton se kërkimi për dokumente ka kaluar në disa godina, që “janë larg zyrave të tij”. Më tej akoma, nëse sheh deklaratën e Prokurorisë, thuhet se kërkesa për Sheshin, drejtuar Autoritetit të Dosjeve është bërë më 26 tetor 2018, që i bie ditë e premte. Autoriteti e ka protokolluar më datë 31, pra të martën dhe pretendon se ka nisur punën me përparësi.
…Për rastin në fjalë, nga administrimi i dokumentacionit që disponojmë dhe nga verifikimet e kryera në fondet arkivore të cilat përmbajnë dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, të cilat ruhen në godina të ndryshme, shumë larg nga zyrat aktuale të AIDSSH, u ndeshëm me ekzistencën e dokumenteve kontradiktore për sa i takon të dhënave për shtetasin Bujar Sheshi, si dhe me faktin e njohjes me dokumentin e tërheqjes në bashkëpunim të shtetasit Bujar Sheshi në moshë të mitur (nën 18 vjeç). Në këtë kontekst, u zhvillua dhe procesi i riverifikimit, përmes Drejtorisë së Gjendjes Civile, të gjeneraliteteve të shtetasit Bujar Sheshi (kontradiktore me të dhënat e shënuara në Formularin e Aplikimit nga vetë z. Sheshi).
Sa më sipër, në referencë të nenit 4, “Parimet” të ligjit 45/2015, në mbrojtje të parimeve të përcaktuara në këtë dispozitë ligjore, por dhe parimit universal për mbrojtjen themelore të të drejtave të njeriut, u vlerësua të kryhet kërkim i thelluar nga administrata, në fondet arkivore të disponueshme nga Autoriteti, për dokumentimin e aktivitetit përmes kërkimit në dosje dhe në procesverbale të asgjësimit dhe në listat e veçimit, duke i qëndruar parimit të ligjshmërisë dhe transparencës në informacionin që duhej t’i jepnim Prokurorisë së Përgjithshme.
Bëjmë me dije se ky kërkim i thelluar në fondet arkivore mori kohën e vet, sepse kërkimi është realizuar pothuajse në mënyrë manuale. Autoriteti po vazhdon procesin e përpunimit të plotë të dokumenteve dhe po punon për mundësinë e automatizimit të mjeteve të kërkimit. Po ashtu, plotësimi me burimet njerëzore sipas strukturës dhe organikës të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dhe përmirësimi i infrastrukturës së ruajtjes do të ndikojë drejtpërsëdrejti në trajtimin e kërkesave në kohë sa më të shkurtër. Të gjitha këto problematika ndikuan në tërësinë e vet në vonesën e mbylljes së procedurës së shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Përgjithshme.
Nga ky sqarim rezulton se Autoriteti ka konfirmuar se Sheshi ka qenë bashkëpunëtor në moshën 17 vjeçare dhe se kontradiktat në gjeneralitetet e tij nuk do të thonë se kemi të bëjmë me dy persona. Zoti Sheshi sot ka deklaruar se do të çojë çështjen në gjykatë ndaj këtu është e udhës të kujtojmë se këmbëngulja e Autoritetit ndoshta lidhet edhe me rastin e turpshëm të Kozma Janos, për të cilin ai u shpreh se nuk ka patur bashkëpunim me Sigurimin e Shtetit.
Situata merr një tjetër kthesë kur sheh se në datën 11 nëntor 2018 kur është publikuar vendimi nga Prokuroria për zgjedhjen e anëatarëve të KLP-së, shihet se Sheshi ka qenë njeriu më i votuar. Le të sjellim fjalën e Prokurores së Përgjithshme, Arta Marku me këtë rast:
Të gjithë bashkë, sot duhet të ndihemi krenarë. Me votën tonë ne e krijuam institucionin e parë të drejtësisë së re, e hodhëm një gur themeli për gjithë sistemin e drejtësisë. Të gjithë bashkë ne dëshmuam se jemi të përgjegjshëm. Treguam se ne mundemi t’ia dalim edhe kur të gjithë janë skeptikë ndaj nesh. Treguam se jemi një model që duhet ndjekur.
Të nderuar kolegë!
Ju falenderoj nga zemra për pjesëmarrjen dhe qytetarinë e treguar gjatë gjithë procesit! Gjatë gjithë këtij procesi kemi pasur mbështetjen pa kushte të partnerëve tanë të OPDAT-it dhe EURALIUS-it, të cilët i falenderoj në emër të të gjithë trupës së prokurorëve.
Mbështetja e tyre ka qenë motivim për ne. Një falenderim të veçantë, në emër të të gjithë prokurorëve edhe për përfaqësuesit e Trupit Diplomatik të akredituar në Shqipëri, si dhe Ministres së Drejtësisë, të cilët na nderuan me praninë dhe fjalët inkurajuese gjatë pjesës së parë të procesit.
Faleminderit gjithë të ftuarve dhe të pranishmëve të tjerë, si dhe përfaqësuesve të mediave. Faleminderit dhe gjithë prokurorëve, kandidatë për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Ishin në lartësinë e detyrës dhe të denjë për garën që bënë. Suksese kandidatëve që u shpallën fitues. Po kështu edhe atyre që nuk u shpallën fitues, por që të do vazhdojnë të jenë mes nesh, prokurorëve të shtetit shqiptar. Prokurorët ia dolën!
Në fakt procesi është bërë shumë pis dhe për këtë ka vetëm një arsye: dikush është trembur keq dhe po mundohet me çdo kusht ta bllokojë atë./respublika/