Droga/Prokurori italian i Antimafias: Miliona euro pastrohen në Shqipëri
Prokurori italian i Antimafias, Federico Cafiero De Raho vizitoi sot Tiranën, nga ku deklaroi se milionë euro të të drogës investohen në Shqipëri. Ai ishte në Drejtorinë e Burgjeve, ku është instaluar sistemi i kamerave që do monitorojë burgjet 24 orë. Ky regjim ruajtje është vendosur për 270 të burgosur, të cilët dyshohet se e ‘luajnë’ drogën dhe nga qelia.
“Organizatat kriminale investojnë qindra milionë euro në aktivitetin ekonomik në Shqipëri, në mënyrë që të kushtëzojnë zhvillimin e ekonomisë legale. Kjo është bërë më parë në Itali dhe po bëhet tani në Shqipëri. Për këtë u ktheva në Shqipëri, pasi duhet të kemi një bashkëpunim jo vetëm eksperiencash formimi dhe informimi, por është e nevojshme që të kemi bashkëpunim kundër këtyre grupeve kriminale”, tha prokurori italian.
De Raho më tej u shpreh se grupet kriminale shqiptare janë prezente në trafikun e të gjitha llojeve të drogërave, duke bashkëpunuar ngushtë me organizatën mafioze italiane “Ndrangheta”.
“Bashkëpunojnë ngushtë me ‘Ndrangheta dhe kështu kanë përfituar nga kjo aleancë një zhvillim të madh në lidhje me trafikun e lëndëve narkotike. Prandaj bashkëpunimi mes institucioneve shqiptare dhe atyre italiane çon në dobësimin e këtyre grupeve kriminale. Me rëndësi është goditja e pasurisë së tyre”, deklaroi ai.