Biseda e panjohur e Fadil Hoxhës me ambasadorin Sokrat Plaka
Sakip Cani
VAZHDONI TË NA MBËSHTETNI JO VETËM NË FUSHËN E ARSIMIT, KULTURËS DHE SHKENCËS , POR EDHE NË FUSHËN EKONOMIKE
(Nga biseda e ambasadorit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë në Beograd, Sokrat Plaka me liderin e Kosovës në vitet ’80, Fadil Hoxha).
…Fadilin e takoj për herë të tretë nëpër pritje. Dy herët e para bisedën na e kanë ndërprerë funksionarët e protokollit dhe nuk na kanë lënë të bisedojmë. Këtë rradhë biseduam lirisht, në këmbë, në pritje dhe mbase kjo mund të jetë një arsye që Fadili foli më gjatë.Biseda ishte e qetë dhe ai vetë donte të fliste. Kur vinte ndonjë personalitet për t’u takuar, bisedën e kalonte menjëherë nga temat e Kosovës në marrëdhëniet midis dy vendeve.
Kështu shkruan ambasadori i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë në Beograd, Sokrat Plaka në informacionin që i dërgon MPJ të Shqipërisë në datën 1 dhjetor 1980. Kryesisht Fadili preku tre çështje:
- Marrëdhëniet kulturore, arsimore dhe shkencore të Kosovës me Shqipërinë po ecin mirë, po shkojnë përpara dhe të vazhdojmë kështu sepse është mirë. Vizita e ministres së arsimit Tefta Cami në Kosovë përfundoi me sukses. Tani duhet të zhvillohen edhe marrëdhëniet ekonomike.
Mendoj se e ka mirë, sugjeron ambasadori Plaka në relacionin e tij drejtuar MPJSH sepse ekonomia siguron unitetin kombëtar të kombit.
Ne kemi qenë bashkë gjatë sundimit turk, vazhdon bisedën Fadili, pastaj na ndanë e kështu kemi dhjetra vjet, koha ka bërë punën e vet, prandaj është e nevojshme të forcohen lidhjet midis atdheut amë dhe popullsisë shqiptare në Kosovë dhe në viset e tjera. Ne këtu në Jugosllavi deri më 1963, kur Kosova ishte nën Serbi nuk ishim mirë, kurse që nga ajo kohë riafirmimi kombëtar i popullsisë shqiptare ka ecur.
Detyra jonë kryesore këtu është të formojmë ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve dhe në këtë proces kemi nevojë të madhe për përkrahjen e Shqipërisë, për përkrahjen e saj morale dhe të gjithanshme. Procesi i riafirmimit kombëtar të shqiptarëve në Jugosllavi ,edhe tani pas Titos do të vazhdojë. Kjo tani nuk mund të kthehet mbrapsht.
Në të vërtetë kontaktet e popullsisë së Kosovës me Shqipërinë filluan në vitin 1971. Deri në atë kohë nuk lejoheshin kosovarët të shkonin në Shqipëri. Kjo u bë e mundur vetëm pas takimit tim me Titon.
- Mendoj , theksoi Fadili që mardhëniet midis dy shteteve, Shqipërisë dhe Jugosllavisë të jenë vazhdimisht korrekte dhe të mira sepse çdo përkeqësim i tyre ndikon në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare dhe anasjelltas marrëdhëniet e mira ndikojnë tek ne. Në një mbledhje të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë jugosllave, ku para disa vjetësh merrj apjesë edhe unë, Tito u bëri vërejtje gjeneralëve që në ndonjë rast agresioni, Shqipërinë të mos e konsideronin armik, por aleat, sepse shqiptarët nuk luftojnë kundër shqiptarëve.
- Fadili sugjeroi që vizitat ndërshtetërore të kalonin në nivele të larta ndërshtetërore, pavarësisht pikëpamjeve ideologjike dhe politike sepse ka çështje me interes të përbashkët.
Në kushtet e Jugosllavisë, ne shqiptarët mundëm të bëjmë kaq sa bëmë. Le të na gjykojë koha. Unë do t’i heq kapelen me kënaqësi kujtdo që do ta bënte detyrën tonë këtu më mirë se sa e kam bërë unë dhe shokët e mi dhe do t’ia lija me gjithë qejf pozitën time.
Sot në Kosovëka 50 mijë studentë, nga të cilët 37 mijë shqiptarë, gjë që as që mund të imagjinohej 30 vite më parë… Për 10 vjet shqiptarët do të jenë kombi i tretë në Jugosllavi për nga numri i popullsisë. Kur u shpallën rezultatet e regjistrimit të poullsisë në vitin 1971 më thirri Tito, nënvizon Fadil Hoxha dhe më tha se në Kosovë janë bërë fallsifikime të regjistrimit të popullsisë në favor të popullsisë shqiptare. Kjo nuk është e vërtetë, i thashë Titos, sepse në krye të Komitetit të Regjistrimit në Kosovë ishte serbi Ilia Vakiçi. Kështu u hodhën poshtë ankimet dhe kërkesat për riregjistrim në Kosovë.
Pothuajse gjatë gjithë bisedës, informon ambasadori Plaka, Fadili vinte theksin në vështirësitë që kishin dhe në ndihmën që kërkonin nga Shqipëria.