Albspirit

Media/News/Publishing

Çfarë po përfiton Rama duke i rënë në gjunjë Kadaresë?

 Fotografia e Ferdinand Dervishi

 

Ferdinand Dervishi
Së fundmi, që nga koha e pohimit publik të Kryeministrit Rama, se Gjeneralin Sandër Lleshaj, sot ministër i Brendshëm, ia kishte rekomanduar shkrimtari i madh Ismail Kadare, mund të supozohet se të dy këta, Kadareja dhe Rama, janë dhe kanë qenë ‘forever’ miq.
Këtë thotë edhe përshëndetja me video e Kryeministrit për 83-vjetorin e shkrimtarit, edhe vlerësimet se Kadare është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë bashkëkohore, i nominuar për çmimin Nobel, fitues i çmimit “Princi Asturias” e disa të tjerëve, se mbetet maja e penës së letërsisë shqipe, se veprat e tij janë përkthyer në 45 gjuhë të ndryshme, duke e bërë atë përfaqësuesin kryesor të letërsisë shqipe në botë.
Por e vërteta thotë se dekadat e fundit ata nuk kanë qenë miq. Përkundër. Kanë qenë armiq. Kjo e filluar, të paktën, që nga viti 1992, e vazhduar për 23 vite të gjatë dhe e vërtetuar, për të fundit herë, në hyrjen e një lokali në afërsi të Pallatit Mbretëror.
Ishte një përballje e pallogaritur që provokoi një skenë të sikletshme. Një dorë e zgjatur mbeti pezull në ajër, sepse njeriu që duket ta tokte, realizoi shpërfillje që la mbresa.
Po si filloi kjo armiqësi?
Edhe pse historia e mëposhtme është edhe e rëndomtë, edhe e pështirë, edhe shqiptare, vlen të shtjellohet e të sillet në vëmendje qoftë për një shkak të vetëm.
Për shkakun se, veç të tjerave, aty konsumohet një precedent nga ata që njerëzimi i ka dokumentuar herët në lashtësi, për t’ua lënë brezave si leksione bazike jetësore.
Mjaft të shfletosh librin “Refleksione“, shtëpia botuese “Albania“, Tiranë 1992, me bashkautorë Edi Ramën dhe Ardian Klosin dhe gjithçka është e qartë.
Në këtë libër, shkrimtari më i talentuar dhe më i dashur i shqiptarëve, njëkohësisht një ndër shkrimtarët më të shquar botërorë, është personazhi më i sulmuar.
Aty ai konsiderohet konsolidues i sistemit komunist, bashkautor në kultin e individit të Enver Hoxhës, akuzohet se ka shkruar romane që i bënin jehonë marrëzive të diktatorit për rrethimin imperialist – revizionist… se ishte aq bashkëpunëtor në mëkatet e komunizmit, saqë në një pllakat propagandistik të kohës shfaqej një punëtor duke mbajtur, në njërën dorë “Veprën e 19” të Enver Hoxhës dhe në tjetrën “Dimrin e madh” të Kadaresë…
Për veprën e tij gjykohet se ishte e vështirë të gjendej në tërë letërsinë e realizmit socialist një pasqyrim më i mirë poetik i luftës së klasave, i së drejtës së shtetit proletar për të shtypur moralisht dhe fizikisht gjithë kundërshtarët e tij, nga armiqtë e betuar, deri te gratë që bëjnë aborte dhe njerëzucët e panevojshëm…
Shkruhet se me pseudonimin Gent Arbana kishte sulmuar në mediat komuniste kolegët, si Arshi Pipën, Kasëm Trebeshinën, Kapllan Resulin, Bilal Xhaferrin… se kishte sulmuar Gjergj Fishtën dhe sidomos autorët e tjerë katolikë të veriut… se kishte përbaltur shkrimtarët “dekadentë” Kafka, Xhojs, Prust… e shumë të tjera.
Nëse dikush e kujton tendencën e kësaj kohe, të grahjes kolektive të një pjese të shqiptarëve për të përvetësuar apo emetuar vlera antikomuniste, gjithçka duket gati e natyrshme.
Të gjitha këto, pak ose shumë, kishin ndodhur, edhe pse në këtë sulm nuk ishte marrë parasysh se Kadare e kishte vuajtur denoncimin, survejimin dhe kishte kaluar në vrimën e gjilpërës, gati për të provuar prangat, pas publikimit të disa romaneve të guximshme dhe jo vetëm.
Edhe pse madhështinë e tij do ta pranonin dhe deklaronin disa nga figurat më të persekutuara nga regjimi komunist, si për shembull, At Zef Pllumi, i cili shkruante: “Historia jonë është një histori llogoret, e sot më i madhi luftëtar në mbrojtje të kulturës, identitetit dhe integrimit europian të shqiptarëve, është Ismail Kadareja, e unë gjendem krah për krah tij në ato llogore”.
Edhe pse nuk ishte bërë balanca e ushqimit shpirtëror që Kadare u kishte dhënë shqiptarëve nëpërmjet veprave të tij, me dëmin që kishin shkaktuar këto vepra për shkak të pjesëve me përmbajtje propagandistike.
Edhe pse nuk ishte marrë parasysh as respektimi i shënjestrës; sulm kundër Kadaresë si njeri, apo sulm ndaj Kadaresë si talent letrar i nivelit botëror?
Edhe pse nuk ishte bërë vlerësimi i misionit; më mirë një shkrimtar i burgosur, apo i pushkatuar qysh pas publikimit të librit të parë, apo më mirë një shkrimtar që e përmbush misionin, duke hedhur me zgjuarsi ndonjë kockë andej-këndej, sa për të siguruar mbijetesën në sistem?
Gjithsesi deri këtu sulmi edhe mund të justifikohej, pasi e tillë ishte edhe tendenca e kohës.
Ajo që nuk mund të justifikohet është konspiracioni i organizuar i një grupi publicistësh të talentuar, për të fundosur Kadarenë dhe për të nxjerrë në sipërfaqe, apo fabrikuar, një shkrimtar disident.
Ato që nuk kapërdihen, janë ecejaket që këta ndërmorën nëpër shtete të ndryshme të Europës, ku në konferenca, simpoziume apo takime të ndryshme letrare, nisën në mënyrë sistematike të nxinin me baltë “djallin komunist” Kadare, duke tërhequr pas vetes edhe një trumbë laramane, që u shkonte pas, e shtyrë më tepër nga hakmarrja e verbër se sa arsyeja.
Pasojat të gjithë i dimë. Ato ishin katastrofike, jo vetëm për Ismail Kadarenë si shkrimtar, por edhe për aspiratat e një kombi të masakruar nga historia: Edhe pse i nominuar për një kohë pabesueshmërisht të gjatë për të fituar çmimin “Nobel”, shqiptari Ismail Kadare nuk ja ka dalë.
Balta e hedhur ishte aq e shumtë saqë duket edhe anëtarët e komisionit të këtij çmimi prestigjioz e mblodhën mendjen top se shqiptarët, as nuk e donin, as e vlerësonin Ismail Kadarenë.
Por cilët ishin njerëzit që u vunë në krye të sulmit për të përbaltur e zhugatur përtokë “djallin komunist”?
Që të gjithë letrarë e publicistë të talentuar, duket ata e kishin pasur idhull shkrimtarin Kadare. Kishin hedhur shtat nën hijen e talentit të tij të stërmadh, por pa arritur kurrë që t’i afroheshin.
Duket, pamundësia dëshpëruese për t’u bërë si Kadareja, koha kur e kuptuan se ishin tepër të vegjël, ndryshimi i sistemit politik, protagonizmi për të marrë flamurin e antikomunizmit në art e letërsi, të gjitha së bashku, bënë që ata të investoheshin, të ndërseheshin që të rrëzonin apo sheshonin deri në lartësinë e hijes së tyre, malin e madh të talentit të Kadaresë.
Është një ndjesi psikologjike negative e dokumentuar qysh në Greqinë e lashtë, kur Herostrati (Herostratus), një askush që donte të bëhej i famshëm, i vuri flakën Tempullit të Artemisit, njërës prej shtatë mrekullive të Botës Antike, duke ëndërruar se pas kësaj do bëhej i njohur botërisht. Këtu konsumohet edhe ai leksioni bazik që njerëzimi ka dokumentuar qysh në lashtësi.
Po a ja arritën?
A ja dolën mbanë konspiracionistët në qëllimin e tyre?
Megjithë publicitetin e bollshëm dhe, në ndonjë rast, falsifikimin e heroizmave, shqiptarët nuk e pëlqyen penën e “disidentit” që ata nxorën me thonj në sipërfaqe. Librat e tij mbetën të palexuar, të panjohur dhe nuk u përzgjodhën për përkthim nga ndonjë shtëpi botuese e huaj.
Por edhe konspiracionistët nuk patën një fat të ndryshëm. Pas njëzet e ca vitesh nga kjo mësymje e azdisur kundër malit Kadare, pothuaj të gjithë flamurtarët janë zbythur të mundur, të turpëruar dhe të shkatërruar.
Si të vuajnë pasojat e një mallkimi të paarsyeshëm, por edhe për të rrëfyer paqëndrueshmërinë e karaktereve, sa duket, asnjë nga të katërt, apo të pestë, nuk ka ruajtur miqësinë, qoftë me njërin nga anëtarët e vjetër të celulës anti – Kadare.
Talent të spikatur letrari nuk emetoi askush, ndërkohë që edhe në publikime të zhanreve të tjera të gjithë janë duke e mbyllur ciklin duke lënë pak apo aspak shenja në memorie të kohës, dhe asgjë më tepër edhe në memorien e shqiptarëve.
Ndërsa, Edi Rama, bashkautori i dikurshëm i “Refleksione”, aktualisht miku më i ri i Ismail Kadaresë, ka një histori edhe më të shpalosur.
Pas ndryshmit të sistemit politik ai u gjend në Francë, ashtu si edhe shkrimtari i madh. Sigurisht, në pozicione aspak të ngjashme. Po të besosh ish-kryeministrin Fatos Nano, ai flinte poshtë urave, kishte thonj të paprerë dhe mbijetonte duke shitur ikona të vjedhura.
Ndërsa “djalli komunist” Kadare, ftohej herë pas here në ‘Pallatin Elize’ nga Presidenti i Francës, Fransua Miteran, për të pirë kafen e parë të mëngjesit.
Krahasuar me komplotistët e tjerë Rama nuk kishte qenë në garë të njëanshme me Kadarenë për ta konkurruar në letërsi, edhe pse duket se në pikturë ka pasur dëshirë të ishte dikushi.
Fati ja solli që në kohërat e zdërhalljes franceze ai të thirrej në Tiranë për t’u graduar ministër. Më pas, falë realitetit të shtrembëruar shqiptar, ku edhe klouni mund të bëhet mbret, nëse merr format që kërkon terreni, ai ja arriti të kapë karrigen e kryeministrit.
I mbërritur këtu, duket ai gjen kohë të mendojë edhe për dashurinë e vjetër të rinisë. Porse i dështuar në përpjekjen për të kapur suksesin e famën në mënyrë natyrale, nga poshtë – lart, ashtu siç këtë famë e sukses e kanë arritur të tjerët, sidomos Kadareja, ai po tenton ti kapë ato së prapthi, nga lart – poshtë.
Pra, po përdor mundësitë e një kryeministri dhe jo fuqinë e talentit, për të hapur ekspozita të punimeve të tij në pikturë lart e poshtë nëpër Europë apo në ndonjë tjetër rajon.
Ndërsa Kadareja, edhe pse mosha bën të vetën, ka mbetur i pandryshueshëm në njëtrajtshmërinë e vet, duke i mbetur besnik një prej thënieve të tij njohura, sipas së cilës: njeriu ka nevojë për një oqean durim.
E pra, ai duroi duke parë, mbase pa ndonjë gëzim të brendshëm, disfatën e të gjithë atyre që dikur morën flamurin e fushatës së përbaltjes, ndër të cilët i dështuari më ekzemplar do të ishte pikërisht Edi Rama.
Ai dështoi në ndërmarrjen e pashembullt për të përbaltur Kadarenë, dështoi të ishte një artist i mirëfilltë, por dështoi edhe si një politikan, të cilit ju dha e gjithë koha, pushteti dhe mundësia të linte pas ca kthesa e punë pozitive për Shqipërinë e shqiptarët, ju dha mundësia të ishte jo vetëm një kryeministër fasadash dhe i bojatisjes së realitetit.
I mbërritur në këtë ditë, me dorën pezull, të parrokur nga një njeri që ka gjithë jetën që e vështron si nga maja e Tomorrit, duket krenaria e KM arrogant të shqiptarëve është dhjaksur.
Sa duket, i ndërgjegjshëm për ndërmarrjet e rinisë së vet, i detyruar nga madhështia e patundur e tjetrit, por edhe nga pozitat aspak të rehatshme ku gjendet, ai duket ka zgjedhur të ndërrojë strategji, duke ju ulur në gjunjë Ismail Kadaresë dhe kërkuar vendosjen e paqes e marrëdhënieve.
Por a është kjo e vërteta? A kanë lidhje me historitë e vjetra, a mbetet gjithçka në kornizat e artit, artistit, talentit? A mund të thuhet se Rama, duke pranuar madhështinë e talentit të Kadaresë, sapo ka realizuar një gjest përtej vetvetes?
Shpërfillës, duket Kadareja ka pranuar miqësinë. Edhe pse diku në thellësi duhet ta ketë kuptuar se tjetri, edhe në këtë rast kërkon të përfitojë dhe se situata nuk është aspak e ndryshme nga ajo e vitit 1992, kur Rama botonte refleksionet.
Me një imazh publik që po i rrënohet përditë për shkak të korrupsionit e krimit shtetëror e ordiner, ka shumë të ngjarë që Edi Rama nuk e uli kokën në shenjë respekti për triumfin e Kadaresë si talent letrar i nivelit botëror, por e uli vetëm për të përfituar, për të zhvatur, ca vlera nga imazhi tmerrësisht i lartë dhe pandryshueshëm i shkrimtarit të madh.
Për të projektuar në petkat e tij sa të mundet ngjyrat që i mungojnë e i largohen, me qëllimin për t’u hequr si i ndryshuar, për t’u ndier i mbathur me vlera, që si ai ujku i zi lyer me miell, të ketë edhe një ndërkohë tjetër mundësi të vijojë t’i ngulë Shqipërisë dhëmbët e thonjtë në kurriz për zhvatjet e radhës.

Please follow and like us: