Letër-përgjigje e Skënderbeut dërguar më 1460 Princit të Tarantos, Johan Anton De Ursini
Fort i kthjellti Princ e zot i nderuar, Mora letrën e z. Suaj, e cila më çuditi fort se sa do të më hidhëronte, duke parë mënyrën, me të cilën ju shkruani. Dhe më së pari, thonë që, kur keni marrë lajmin se ne i paskemi dërguar fjalë fort të kthjelltit Madhëri Mbret Ferrant se, po të na dërgonte galere, ne do të kishim ngarkuar në të njerëz, që të shkonin për t’i dhënë zjarr Brindisit dhe për të plaçkitur vendin tuaj, nuk paskeni mundur ta besoni, mbasi më njihni për të urtë e të matur, gjersa nuk paskëshin arritur njerëzit tanë në Pulie, që t’ua vërtetonin punën.
Kësaj pjese ne po i përgjigjemi: është e vërtetë se, kur morëm vesh se ju kishit ngritur krye kundër Madhërisë së Tij, i çuam fjalë që të na dërgonte në këto anë galere dhe fuate të tjera për të marrë njerëz, këmbësorë e kalorës, sepse aq sa të donte do t’i kishim dërguar…
Brindisin nuk do ta kishim djegur, po vendet që u rebeluan… nuk do të kishin ngritur krye. Ju… do ta kishit pasur të vështirë të mbronit gjënë tuaj dhe jo më të shtinit në dorë shtetin e Madhërisë së Tij, i cili është zoti juaj e, si zot, duhet ta njihni, sepse jeni betuar. Dhe, mbasi thoni se çuditeni, … po ju përgjigjem: nëse na njihni si besnikë, ashtu si thoni se na njihni për të urtë e të matur, nuk do të çuditeni për këtë, sepse duhet të kujtoni këshillat e veprat e atij Mbretit engjëllor Alfons (të Aragonës) qenë ato që na ruajtën e na mbrojtën (kundër) … mizorive të turqve, armiqtë tanë dhe të besimit katolik, dhe, po të isha thyer unë, sigurisht që Italia do ta kishte ndjerë rrjedhimin dhe, në atë rast, ai zotërim, që ju thoni se është juaji, do të kishte qenë i turqve.
Kur thoni se prej këtij Mbretit Tuaj (të Francës) ne mund të presim të mira të mëdha… po ju përgjigjemi: unë nuk e njoh, as nuk dua ta njoh, as nuk dua ta di veçse si armik… (Dhe) të pafetë (turqit) nuk çmojnë as nuk kanë frikë veçse nga flamujt e lavdishëm të shtëpisë së Aragonës, për të cilën dua të vdes.
Më tutje thoni, që nuk duhet të mendoj se mund ta ndihmoj Mbretin Ferrant të përmendur, mbasi kundër tij kanë ngritur krye pothuaj të gjithë banorët e popujt e mbretërisë, po ju përgjigjem: nëse tani… është në gjendje të vështirë, faji është juaji për të gjitha të këqijat që do të rrjedhin si dhe për turpin e poshtërsisë… (dhe) keni vepruar si gratë e përdala, të cilat, kur plaken, bëhen kodoshe, që me fjalë të ëmbla tërheqin të tjerat të bëjnë atë, që ato vetë kanë bërë, ashtu (si) ju keni tërhequr baronët e popullsisë si deshtë në thertore.
Por ne nuk e gjykojmë se për këtë, Mbreti Ferrant ka humbur… Por e mbani mend, se më e madhe ishte fuqia e Sulltanit sa është juaja as e Zotërisë që përkrahni, dhe kur, më pat mbetur vetëm qyteti i Krujës… dhe kur atje u gjeta i rrethuar, unë e mbrojta kundër gjithë asaj fuqie dhe e mbajta, gjersa turqit, me dëm e me turp, u hoqën dhe unë, në një kohë të shkurtër e me pak veta, shtiva në dorë prapë atë që shumë armiq e në më shumë kohë kishin fituar.
Kështu që, aq më tepër, duhet shpresuar për përtëritjen e shtetit të Mbretit Ferrant, i cili, edhe vetëm Napolin të ketë, të jeni të sigurt se do të dalë ngadhënjimtar. Dhe mbasi thoni se me shqiptarët unë nuk do të mundem ta ndihmoj, as ta mbroj, as t’i dëmtoj armiqtë e tij të fuqishëm, po ju përgjigjem: ka ndryshuar puna dhe, nëse kronikat tona nuk gënjejnë, ne quhemi epirotë dhe duhet të keni dijeni se, në kohë të tjera, paraardhësit tanë kaluan në vendin që ju mbani sot dhe patën luftime të mëdha me romakët dhe ne e dimë se, më të shumtën e herës, u ndanë me nder sesa me turp, por unë do të shtie në punë të gjitha fuqitë më të mëdha, me cilësitë e mia, si dhe me të gjithë miqtë e besëlidhurit që kam për të ndihmuar e për t’i dhënë dorë zotit tim, Mbretit Ferrant…
Kur ju më nxitni t’i tërheq njerëzit e mi e më thoni se, po pata dëshirë të luftoj, ja ku i kam turqit, … po ju përgjigjem: unë prej jush nuk dua nxitje, as këshilla; njerëzit tanë nuk i kemi dërguar që të kthehen kaq shpejt, por që t’i shërbejnë Mbretit Ferrant gjersa të ketë bashkuar Mbretërinë e tij. Dhe ata janë nga ata burra, që, po të jetë nevoja, vullnetarisht përballojnë vdekjen në shërbim të Madhërisë së Tij. Por ata që kemi dërguar s’janë asgjë kundrejt atyre që kemi vullnet të dërgojmë, nëse i pëlqen Madhërisë së Tij, e po qe nevoja do të vij unë personalisht me aq njerëz sa, jo vetëm me ndihmë të Zotit besojmë se do ta shtiem në dorë Pulien, por do të mjaftonin ta popullonin të gjithë, mbasi është e shpopulluar.
Dhe aftësinë e turqve ne s’mund ta mohojmë, si na e vini në dukje, sepse me ta kemi luftuar për një kohë të gjatë pa turpin tonë…, por tani, mbasi ju na e dhatë shkakun, kemi bërë armëpushim për tre vjet, që të përmbushim urdhrat e zotit tim, Mbretit Ferrant.
Por ai këshilli juaj do të kishte qenë i denjë për lavdi më të madhe dhe më të shëndetshëm për shpirtin e trupin tuaj, po t’i kishit bërë vetes, sepse, duke qenë ju plak i kaluar nga mosha dhe më afër turqve se çdo tjetër zotëri italian, do të kishit mundur t’i shpenzonit ditët tuaja, as të hollat tuaja, në një ndërmarrje më të lavdishme… dhe lëreni në qetësi atë Mbretëri me gjithë Mbret, të cilit as ju, as unë nuk mund t’i mohojmë sa i detyrohemi etj.
Lëshuar në Krujë, ditën e fundit të tetorit.
Gjergj Kastrioti, i quajtur Skënderbe.