Turkish Stream/Gazjellësi rus në Ballkan me sherre gjeopolitike
Shaban Murati
Rusia ka shpallur se në fund të vitit 2019 do të përfundojë gazsjellësi i saj i ri, që do të kalojë nëpër Ballkan, dhe që ka marrë emrin “Turkish stream”, sepse nga Turqia do shpërndahet gazi rus. Paradoksi është se Moska akoma nuk e ka përcaktuar se cili do të jetë në Ballkan shteti hyrës i gazsjellësit të ri rus, që do të lidhet me Turqinë, dhe cilat do të jenë shtetet tranzituese në Ballkan.
Në 23 janar presidenti Putin njoftoi se pjesa tokësore e gazsjellësit në Ballkan do të ndërtohet po aq shpejt sa pjesa e tij detare, (e cila u përurua në 19 nëntor 2018 në Turqi), por nuk specifikoi se në cilin shtet. A do të jetë pikë lidhëse Greqia apo Bullgaria?
Gjatë vizitës së tij në Beograd në 17 janarPutin bëri të ditur se Rusia do të investojë 1,4 miliard dollarë për ndërtimin e sektorit serb të gazsjellësit të ri rus, që do të kalojë nëpër Serbi, por ai nuk deklaroi se nga do të vijë gazi rus në Serbi. Në të dy variantet, qoftë nga Bullgaria, qoftë nga Greqia, Serbia do të jetë me siguri shtet tranzitues për gazsjellësine ri rus, sepse industria e gazit dhe e naftës në Serbi është pronë ruse, ndaj edhe Putini e shpalli investimin.
Mirëpo as Bullgaria dhe as Greqia nuk janë njoftuar zyrtarisht nga Moska se cila prej tyre do të jetë shteti hyrës i gazsjellësit të ri rus. Portali rus “eadaily.ru” shkruante në 25 janar se deri në momentin e fundit kanë ekzistuar dy variante të furnizimit të gazit për BE-në me “Turkish stream”: përmes Greqisë ose përmes Bullgarisë. Asnjë njoftim nuk ka edhe Maqedonia, të cilës i ka qenë premtuar zyrtarisht nga Moska se gazsjellësi rus do të kalonte nëpër territorin e saj drejt Serbisë.
Paradoksi, që gazsjellësi i ri rus i quajtur “Turkish stream” mbaron këtë vit dhe akoma nuk njoftohet rruga e kalimit të tij në Ballkan, nuk tingëllon shumë i habitshëm për ata, që kanë ndjekur sistematikisht politikën energjitike ruse në rajon.
Kemi të bëjmë me taktikën tradicionaletë Moskës të lojës me dy apo më shumë porta, për të mbajtur në ankth energjitik dhe strategjik, shtetet, që varen prej gazit rus. Për Rusinë, gazi dhe gazsjellësit nuk kanë qenë asnjëherë një projekt i pastër ekonomik apo energjitik. Ato kanë qenë dhe janë projekte të mirëfillta politike dhe gjeopolitike. Është gjeopolitika ruse, që dikton si trajektoren e gazsjellësve, ashtu dhe hartën e ndërtimit të tyre dhe shtetet tranzituese.
Është me interes të përmendet këtu se kur presidenti Putin shpalli në 1 dhjetor 2014 se Rusia do të ndërtojë gazsjellësin e ri “Turkish stream”, ai deklaroi se Rusia do ta çojë gazin në kufirin turk dhe BE le ta marrë atje. Ishte një bllof energjitik, sepse Moska ndërkaq nisi menjëherë tratativat me disa shtete ballkanike për të përcaktuar hartën e tranzitimit të gazit rus. Kryeministri rus Dmitri Medvedev njoftoi në maj 2017 se Moska po zhvillon bisedime edhe me Greqinë, edhe me Bullgarinë, lidhur me pikën hyrëse të gazsjellësit. Presidenti Putin deklaroi në konferencën e shtypit në Moskë me kryeministrin grek Cipras në 7 dhjetor 2018 se shtrirja e gazsjellësit rus nëpër Greqi është plotësisht e mundur. Pak më parë ai i kishte dhënë sigurime kryeministrit bullgar Borisov gjatë vizitës në Moskë se gazsjellësi rus do të niste shtrirjen në Bullgari.
Një bllof të njëjtë po luan edhe tani Rusia, që nuk e shpall se cili do të jetë shteti hyrës i gazsjellësit të ri nga Ballkani në Europë, Bullgaria apo Greqia? Kjo don të thotë se Rusia ka nxitur qëllimisht një rivalitet dhe konkurencë midis dy shteteve anëtare të NATO-s dhe të BE, të cilat i përplas në interesin për të qenë sa më joshës ndaj Rusisë dhe sa më pranë interesave të saj.
Portali bullgar “bnr.bg” shkruante se “Greqia ka shprehur qëllimin e saj që të konkurojë me Bullgarinë, gjë që i bën gjërat më të vështira”. Duke nxitur Greqinë dhe Bullgarinë të rivalizojnë midis tyre për të qenë porta e gazsjellësit rus, Moska ndërkaq rrit kushtet dhe kërkesat, të cilat u përshtaten interesave jo thjesht dhe vetëm energjitike ruse nëtë dy shtetet ballkanike.
Kriteri kryesor rus në zgjedhjen e portës hyrëse në Ballkan do të jetë në rradhë të parë i natyrës gjeopolitike. Ndaj po luan me të dy shtetet ballkanike, anëtarë të BE dhe të NATO-s, ndërsa përshtat këtë kriter me zhvillimet politike në këto dy shtete dhe në Ballkan nga pikëpamja gjepolitike.
Në vështrimin ekonomik mund të duket sikur Bullgaria është më e përshtatshme që të lidhet me gazsjellësin rus “Turkish stream”, për ta dërguar gazin në qendër të Europës. Kjo do të përbënte një ringjallje të projektit të dështuar rus të gazsjellësit “South stream”, që ishte planifikuar të kishte pikë hyrëse Bullgarinë nga Deti i Zi dhe madje kishte nisur punimet në Bullgari dhe në Serbi.
Presidentit Putin nuk i ka ikur akoma inati me Bullgarinë, të cilën e fajëson për dështimin e gazsjellësit “South stream” në vitin 2014, për shkak të përplasjes me legjislacionin energjitik të BE. Dukej sikur kjo rrethanë favorizonte kandidaturën e Greqisë. Por nënshkrimi i marrëveshjes së Prespës në qershor të vitit 2018, që hap rrugën e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, shkaktoi zemërim gjeopolitik në Kremlin. Pas dështimit me Gruevskin në Maqedoni, Rusia po pësonte dështim edhe me Ciprasin, i cili nuk po bëhej pengesë për futjen e Shkupit në Nato.
Acarimi midis Rusisë dhe Greqisë për shkak të ndërhyrjes së shërbimeve sekrete ruse në organizimin e protestave në Greqi kundër marrëveshjes në fjalë dhe në mobilizimin e kishës ortodokse greke në favor të politikës ruse, bashkë me dëbimin e dy diplomatëve spiunë rusë nga Athina, e larguan akoma më shumë perspektivën e Greqisë si portë hyrëse e gazsjellësit të ri rus.
Dështimet e mësipërme ruse në Ballkan duket se mënjanuan përfundimisht edhe Maqedoninë nga planifikimet dhe premtimet ruse për kalimin e gazsjellësit nëpër territorin e saj. Në shenjë pakënaqësie dhe presioni ndaj Shkupit për anëtarësimin e ardhshëm në NATO, Moska nuk e përmend më mundësinë e kalimit të gazsjellësit nëpër Maqedoni, duke harruar që ambasadori i Rusisë në BE, Vladimir Çizhov, kishte deklaruar publikisht se “nëse shihni gjeografinë e rajonit, Maqedonia është vendi më i mirë për shtrirjen e gazsjellësit “Turkish stream”.
Duke ndërtuar gazsjellësin e ri nëpër Ballkan, Moska krijon një sherr midis Ukrainës dhe Ballkanit, sepse mënjanon kalimin e deritanishëm nga Ukraina të gazit rus për në Ballkan. Gazsjellësit e rinj rusë “North stream 2” dhe “Turkish stream” e mënjanojnë komplet Ukrainën si vend i rëndësishëm tranziti i gazit rus për në Europë dhe Ballkan. Ukraina pritet të humbë 500 milion dollarë në vit nga ndërtimi i gazsjellësit rus në Ballkan. Kjo është pjesë e strategjisë ruse të bllokimit të Ukrainës dhe e presionit rus mbi shtetin, me të cilin praktikisht ndodhet në një gjendje lufte për shkak të konfliktit të armatosur, të nxitur nga Moska në pjesën lindore të Ukrainës.
Është lehtësisht e kuptueshme se gazsjellësi i ri rus , që do kalojë nëpër Ballkan, do të rrisë varësinë energjitike dhe influencën politike të Rusisë në vendet tranzituese. Ai jo vetëm është rival, por edhe një kundërshtar i hapur i gazsjellësit europian TAP, të cilin po përpiqet që ta sabotojë në disa drejtime. Gazeta e mirëinformuar ruse “Komersant” shkruante se “mendohet që Greqia do ta zëvendësojë gazin nga Azerbajxhani me gazin nga Rusia, kur ndërtimi i TAP-it të përfundojë në 2020”.
Kjo përbën një sinjal të strategjisë ruse për të rusifikuar gazsjellësin TAP dhe nga ana tjetër për të bërë të dështojë strategjia e BE për pakësimin e varësisë energjitike të Europës nga Rusia.
Ndërtimi i gazsjellësit të ri rus nëpër Ballkan krijon një situatë të pakëndshme gjeopolitike për BE dhe për NATO-n në rajon. Për këtë arsye është thelluar edhe përplasja midis SHBA dhe Rusisë për çeshtjen e gazsjellësit rus nëpër Ballkan. SHBA u kanë bërë të qartë vendeve ballkanike, anëtarë të NATO-s, se është kundër kalimit të gazsjellësit rus nëpër Ballkan. Ambasadori i SHBA në Gjermani në 13 janar u dërgoi një letër kompanive gjermane, ku kërcënonte me sanksione ato kompani, që bashkëpunojnë me Rusinë për eksportin e gazit të saj nëpërmjet “North Stream 2” dhe “Turkish stream”.
Çeshtja e gazsjellësit rus nëpër Ballkan ka krijuar lëkundje në kohezionin perëndimor. Sipas burimeve diplomatike, Gjermania, Franca dhe Austria nuk janë kundër ndërtimit të gazsjellësit rus nëpër Ballkan, duke u distancuar nga kundërshtimi amerikan. Duket se kjo ndarje qendrimesh për gazsjellësin rus duhet të jetë ndikuar edhe nga rrethanat e reja gjeopolitike, të krijuara së fundmi në kampin atlantik, ku po dalin mbi ujë divergjenca të qëndrimeve për Ballkanin midis SHBA dhe Gjermanisë.
Gazsjellësi i ri rus nëpër Ballkan shfaqet si një projekt, që po shton sherret e llojeve të ndryshme në rajon dhe rreth rajonit. Në këtë kuptim duhet pritur që ndërtimi i këtij gazsjellësi, përveç shtimit të ndikimit rus në rajon, të sjellë edhe një komplikim më të madh të rrethanave të brendshme politike dhe një pasiguri më të madhe gjeopolitike.
Presioni rus ka një avantazh në Ballkan se ka përballë shtete të vegjël dhe të dobët, me të cilët Kremlini mund të luajë sipas humorit të tij energjitik dhe gjeopolitik, gjë që në fushën e gazsjellësve nuk e bën dot me shtete të fuqishëm si Gjermania dhe Turqia. Është një dimension i ri i luftës për influencë në Ballkan, i cili ka dhe pritet të ketë pasojat e veta direkte dhe indirekte edhe në shtetet e tjera të rajonit, të cilat janë ose nuk janë pjesë e projektit rus të gazsjellësit, përshirë edhe Shqipërinë./gazetadita/