Albspirit

Media/News/Publishing

Gënjeshtrat dhe fshehjet e Regjimit Iranian për projektet atomike pas marrëveshjes bërthamore

Znj. Rajavi kishte paralajmëruar për mashtrimet e mullahëve

Ali Akbar Salehi, kreu i Agjensisë Atomike të regjimit të mullahëve, e ka pranuar se mullahët i kanë fshehur disa pjesë të pajisjeve të ndaluara bërthamore. Në një intervistë me një televizion shtetëror, ai tha: “tubat përmes të cilëve kalon lënda djegëse, kishim blerë tuba të ngjashëm më përpara, por nuk mund t’i deklaroja në atë kohë, vetëm një person e dinte në Iran”.

Ai vazhdoi: “Vetëm autoriteti më i lartë i regjimit (Udhëheqësi Suprem i Regjimit Khamenei) ishte në dijeni të kësaj dhe askush tjetër … Shenjtëria e Tij kishte thënë se duhet të kishim kujdes me këta njerëz (P5+1), ata nuk janë të besueshëm dhe nuk do t’i mbajnë premtimet. Duhej të punonim me mençuri dhe inteligjencë. Përveç mos-prishjes së urave mes nesh, duhej gjithashtu të ndërtonim një urë që do të na mundësonte të ecnim më shpejt po të na duhej të ktheheshim mbrapsht. Ishte një tub me diametër dy-tre centimetra dhe gjatësi tre-katër metra … Ne kishim blerë tuba të ngjashëm, me të njëjtën sasi. Na thanë që t’i mbushnim tubat kryesorë me çimento, kështu që hodhëm çimento në ato tuba … por nuk e thamë se kishim tuba të tjerë sepse po ta thoshim, ata do të na kishin thënë të hidhnim çimento edhe tek ato … Do të përdorim të njëjtët tuba tani. Tani i kemi këta tuba.” (TV Shtetëror Kanali 4, 22 janar 2019). https://bit.ly/2RLqSHH

Të mërkurën më 30 janar, Salehi tha për agjensinë shtetërore të lajmeve IRNA: “Kishim disa pjesë zëvendësuese dhe blemë edhe të tjera dhe këto gjëra nuk shkonin kundër rregullave. Nuk ishte nevoja ta shpallnim se kishim tuba zëvendësues”. Pastaj ai shpjegoi se kjo fshehje dhe shkelje e marrëveshjes ishte bërë nën urdhrin e Udhëheqësit Suprem të Regjimit, Ali Khamenei. Ai tha: “Duhet të jemi vigjilentë dhe të llogarisim procesin e një rikthimi të mundshëm. Me fjalë të tjera, nuk duhet t’i eliminojmë të gjitha urat pas nesh.”

Këto komente tregojnë qartë se qëllimet e regjimit në negociatat bërthamore, sidomos me P5+1, ishin të bazuara në falsifikim e fshehje, dhe nuk kishin qëllim tjetër veçse përfitimin e më shumë mundësive për të zhvilluar bombën bërthamore.

Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Rezistencës Iraniane, pati paralajmëruar menjëherë pas marrëveshjes më 14 korrik 2015: “Kjo marrëveshje nuk ua mbyll mullahëve shtigjet e mashtrimit dhe të aksesit në një bombë bërthamore”. Dhe më përpara, më 24 nëntor 2013, ajo kishte thënë: “Çdo butësi, ngurrim dhe lëshim nga komuniteti ndërkombëtar do ta shtyjë Khamenei-n që të punojë edhe një herë për prodhimin përmes mashtrimeve e hileve”.

Në librin e tij “Siguria Kombëtare dhe Diplomacia Bërthamore”, Rouhani, president i regjimit klerikal, shkruan: “Në vitin 2002, veprimtaritë po zhvilloheshin në një atmosferë të qetë, por Muxhahedinët (PMOI/MEK) papritmas bënë shumë zhurmë përmes akuzimeve të rreme… ndërkohë që Organizata jonë e Energjisë Atomike donte ta … njoftonte IAEA-n në një fait accompli (fakt të kryer)”.

Sunday Telegraph më 5 mars 2006, tregoi se në një fjalim publik, Hassan Rouhani kishte “zbuluar se si Teherani ishte munduar të fitonte kohë e ta mashtronte Perëndimin pasi programi i tij i fshehtë bërthamor u zbardh nga opozita iraniane në vitin 2002.”

Komiteti i Punëve të Jashtme të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit.

Please follow and like us: