Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Bini, moj daulle bini…

Është një nga ato thëniet e popullit, e cila edhe pse banale ia vlen të kujtohet. E sidomos sot. Kur po çahet interneti. Sot aty gëlon debati vulgar midis kryeministrit Rama dhe Sali Berishës. Na hëngsh atë që s’thuhet, thotë i pari… o i sëmurë psiqik, ia kthen i dyti.

Këto janë ca dialogje që karshi trendit social dhe të themi zhvillimeve ekonomike të Shqipërisë, përkojnë përpikmërisht me kokat dhe mjekrat që i kemi për shtat. Sepse i tillë është vendi, ashtu do bëhet dhe kuvendi. Megjithëse në një situatë normale e kupton se është kaq dërmuese, mjerë kujt i bie për pjesë dhe se nuk e di se ç’emër t’i japësh. As ai i absurdit nuk i shkon për shtat.

Një shoë virtual që ka kapur çatinë e një gjendje sociale së cilës nuk mund t’i thuash as humor, as politikë, as debat, as dialog pozitë e opozitë. Është një mishmash leshrash e përzierjesh që të sjellin zorrët tek fyti. Por prapë gëlon plot me humor mes shqiptarëve, kryesisht mes palëve. Sa të kujton një thënie po të vet shqiptarëve, që, bini moj daulle bini se mut kishit e mut do merrni… (Mos u hidhëroni e të më kujtoni vulgaritetin e fjalorit, pasi do ju kujtoja se këta, njëshat, a të parët, paria…, na kanë vjedhur edhe privilegjin). Është nga ato barcaletat që thuhen nën zë, një kënaqësi e lëngshme për sytë dhe gojët tona. Më duket se e ka origjinën nga ato dasmat me bujë, me shtatë palë saze siç i thonë. Me garën e dorovitjeve pa fund, xhërr e me djegie shamish. Kur njëra palë mburrte dhëndrin e tjetra nusen. Ca perversite kohësh nga ato pëshpëshet se kë ka pasur ky apo ajo, se çfarë soji është ky e çfarë soji ajo. Nuk donte ky a nuk donte ajo, e më the e të thashë. Megjithëse faqe lagjes dasmorët këndonin e lavdëronin çiftin, ata që i kishin ftuar në dasëm, nën zë pëshpërisnin duke tallur pala palën, bini moj daulle bini se mut kishit e mut do mirrni.

Që kohët që po jetojmë janë një mashtrim total, këtë e kanë kuptuar të gjithë, veç shqiptarët jo. Sidomos ata që kanë mbetur aty dhe që mendojnë se prosperiteti i vendit tonë do vi nga kuvendime të tilla. Ndërkohë që paralelisht nga investigimet dhe parametrat ekonomikë janë totalisht katastrofë sa intelektuale, sociale a kulturore. Sipas ‘Birn’ a ‘Zërit të Amerikës’, nga investigimet e votës, rezulton se vetëm ne shqiptarët jemi dorëzuar para praktikës votë. Këto demonstrohen qartë nga bisedat e publikuara që bënë këto agjensi lajmesh mbi grupin e Shijakut. Fraza si kjo, “kam filanin këtu me gjithë gruan, vet i gjashtë, i thuaj Vangjushit të nisi paratë që këta t’i japin votën”.

Jo rastësisht Edi Rama pra e quan kazan edhe ‘Zërin e Amerikës’. Nga ana tjetër edhe oponenti i tij Sali Berisha, dikur, në një periudhë referendumi, (më 1996 në mos gaboj) nuk i pati punët mirë me këtë agjensi prestigjoze lajmesh. Mirëpo ne fusnim dorën në zjarr, besonim, fluturonim… Megjithëse ishte pikërisht ‘Zëri i Amerikës’ që i dha një suport të konsiderueshëm në kohën kur shqiptarët po përmbysnin diktaturën komuniste. Jo më shumë se 12 orë një tjetër agjensi lajmesh, a një stacion televiziv si ‘Top Channel’ zbërtheu luftën kriminale të kartelit të drogës në Elbasan. Fal mosmarrëveshjeve tashmë me KM, pasi dikur ishin bashkë KM-ja dhe ‘Top Channel’, po shohin sot me sy degradimin tonë social. Dhe ku, në Elbasan, truallin e arsimit dhe të kulturës…një mori vrasjesh e asgjësimesh, deri tek ulogu në shtrat.

Nuk e di se çfarë zoti, kanuni, a bese mund ta shpjeri makabritetin njerëzor deri këtu, shqiptarët e bën. Dhe kjo më shumë se vdekje është ajo që rishtas nuk e di se çfarë emri t’i vësh?! Të gjitha janë si rezultat i kuvendimeve të tilla, pasi si ata që vrasin dhe pashai që i mbron janë pjesë vitale e politikës.

Jo më shumë se 12 orë një tjetër agjensi publikon se si pastrohen paratë në Shqipëri. Rasti i Lezhës, dhuratës prej pesë milion eurosh etj. Vetëm në Shqipëri ndodh të vijnë xhentëlmen të tillë, të të japin dhuratë, jo pak por pesë milionë euro! Se si një deputet del me dokumenta në një allishverish. Dhe sot me kurajon e kulturës që nuk e di se ç’emër t’i vësh, flet edhe ai me ca metafora nga privelegji i gurrës së shtresave, qelbës, qelbësira. Në fund e gjitha qelb, e gjitha mban erë.

Nga ta kapësh, nga të kthehesh. Kë të zësh etj. Aq sa, sado i hedhim humor, humor virtual… Me meme, me karikatura hipopotamësh, gorillash, me diçitura plot kripë rruge, ata na kanë vënë poshtë.

Na kanë mundur!

Please follow and like us: