Albspirit

Media/News/Publishing

 Jani Lili: O DROPULL!

 

Ja, ti o Dropull të sodis, të pikëlluar, buzagaz,
fshatrat bardhoshë dy e nga dy të çiftëzuar.
Flladin e freskët, ëmbëlsinë fluide e plot maraz,
nga ëndërrimet stërgjyshore rrethqarkuar…

Diellin, që të ngushëllon me rrezatimin ledhatar,
aureolën qiellore që tret brymën ndër agime.
Dropull i blertë, i shurdhëruar nga mërzitë që s’ të janë ndarë,
atdheu im i larë me dritë, halle dhe drithërime…

Vërtet! Ja, pleqtë, të dielave mblidhen dhe hedhin valle,
nuse të reja, shtatselvi, në mes përkulin belin.
Vajza këndojnë me nostalgji të ëmbël, nazetare,
gjyshe, pezuleve tek rrinë, të shkuarën përkëdhelin…

Burrat e tu trima të sertë që fushën e stolisin,
trupa të lidhur, plot shëndet që lodhen, stërmundohen.
E të zymtuar darkave rrugës së kthimit nisin
për fatin tënd të kuvendojnë, hepohen, zemërohen…

Do ta mbaj thellë imazhin tënd, të plotë, me tërë të mirat,
n’ arritsha ta humbas nga sytë u tretsha i mallkuar.
– Populli im që vdekje s’ke, dertet edhe dëshirat,
– fitoren – shekujt, me harresë luftojnë për ta mbuluar…

Shqipëroi Arqile Garo, Janar 2019.

Please follow and like us: