Ndue Ukaj: Tym
Lajmet e mira nuk vijnë si melodia e zogjve:
Na ishte njëherë pranvera, shpresa,
Dhe ideja se liria është mungesë e robërisë.
Tani ka tym e gaz,
E pranvera i ngjan vjeshtës.
Mbi kokat tona valëvit pikëllimi
Ky flamur morti që si një kortezh trishtimi
Bredh prej dore në dorë.
Lajmet e mira nuk u ngjajnë ëndrrave.
Shkruhen tuneleve ku mungon drita,
Aty ku terri shtrin pushtetshëm fuqinë
Mbi rojet e fatit-
Ata njerëz që luajnë në teatrin e demokracisë.
Qyteti fle i trazuar
Zgjohet i trazuar
Qan e qesh i trazuar.
Kafet janë mbushë më fantazma
Dhe kukurisje lajmesh që mbllaçiten keq.
Ka tym dhe një flamur pikëllimi
Që është shtri si shall dhimbjesh
Në qafën e rënduar të një populli
Që kërkon të pëlcasë nga trishtimi.
Unë mora me vete një thes ëndrra
Dhe dola rrugëve pa shpresa.
Pashë njerëz të shndërruar në hije
Dhe një pallat të vetmisë me rekuizita trishtuese
Dhe mbishkrimin:
“Liria është mashtrim i madh”.
Rrugës shkelmova gurë të hedhur pikëllimi.
“Sa shumë marrëzi mban qyteti im mbi supe”-
M’ tha vajza me shallin e bukur rreth qafës saj të ambël.
Dhe një çantë të zezë trishtimi që e mbante me vete.
(Nga libri, Gjithmonë diçka mungon, OM, 2017 © )