Sadik Premtja: Kush ishte kundërshtari i Enver Hoxhës, për të cilin tregojnë edhe legjenda me tentativa vrasjesh në Paris
Dalip Greca/
Kush ishte në të vërtetë Sadik Premtja, kundërshtari i Enver Hoxhës,për të cilin tregojnë edhe legjenda me tentativa vrasjesh në Paris.
Libri i Dashnor Kaloçit”Sadik Premtja-Historia e Panjohur e Një Disidenti”, zbardh shumë nga enigmat që regjimi u përpoq t’i fshihte dhe Enver Hoxha në librat e veta e paraqiti si renegat të ideve dhe idealeve komunsite. Libri – dossier i Kaloçit, është një libër që nuk rrëfen, nuk analizon, por vetëm ekspozon: dokumente, raporte, relacione, procesverbale, letra dhe kujtime në dorëshkrim, facsimile, dëshmi dhe foto të rralla, nxjerrë nga arkivi Qendror i Shtetit, Shqiptar, Arkivi i Ministrisë së Brendshme dhe nga arkivi personal i Sadik Premtes. Libri përbën një kontribut me vlerë në llojin e vet dhe shquhet për burime arkivore, dokumente origjinale, shumica prej të cilave botohen për herë të parë.
Kush ishte Sadik Premtja
Sadiku lindi në Gjorm të Vlorës në Janar 1915. I ati i Sadikut, Feçorr Premtja, mbas një viti martesë, vritet në Luftën e Janinës, ku shqiptarët bënin rezistencën e fundit për të mbajtur Janinën shqiptare. Ky akt suprem është përjetësuar në këngën e famshme ”Janinës ç’i panë sytë”. Një nga heronjtë e rezistencës ishte i ati i Sadikut, ndërkohë që Sadiku vetë, në atë kohë ishte krijesë në barkun e nënës. Kështu e kishte paraparë fatin Sadik Premten, të mbetej jetim ende pa lindur. Dhe si jetim u rrit.
Nëna e Sadikut ishte nuse e re 18 vjeçare, shtatzanë, kur i shoqi mbeti në luftë. Familja e martoi në Lepenicë me Tafil Hoxhën (Lepenica). Djalin ajo e rriti pranë vetes deri në moshën 5 vjeçare. Sapo mbushi 5 vjeç Sadikun e mori e gjyshja në Gjorm, ku edhe mori mësimet e para. Aty mbaroi shkollën fillore. Shkollën plotore e kreu në Vlorë me rezultate të shkëlqyera. Fati e ndihmoi Sadikun për të vijuar më tej shkollimin. Dhe ja çfarë ndodhi: Kryeplaku i fshatit Gjorm ishte i afërt i nënës së tij dhe kur deputeti i krahinës erdhi dhe po bënte fushatë për të marrë votat e fshatit, kryeplaku i thotë deputetit: Ne t’i japim votat me një kusht: Duam një bursë për në shkollën Teknike në Tiranë për një djalë jetim të fshatit që është i shkëlqyer në mësime dhe i ati ka rënë dëshmor për Janinën shqiptare”.
Deputeti e dha fjalën dhe e mbajti. Sadiku shkoi për të studiuar në shkollën Teknike në Tiranë. I vetmi kusht që iu vu duhej të punonte gjatë pushimeve verore për të shlyer bursën. Në shkollë shkëlqeu që në vitin e parë e derisa e përfundoi. Përfundimisht maturën e përfundoi me rezultate të shkëlqyera në të gjitha lëndët. Në dëftesën e tij nuk figuron asnjë notë tjetër përveç 10-tave. Gjurmët e rezultateve të tij shihen në regjistrat e shkollës teknike. Ishin ato rezultate që bënë që ai të emërohej nëpunës në zyrën e Statistikave në Kryeministri. Këtë vend pune e fitoi si student i ekselencës.
Nga republikan, komunist-revolucionar
Sadiku e pohon vetë se ishte një republikan me bindje, por një republikan i asaj kohe shumë shpejt konvertohej në komunist revolucionar. Kjo ndodhi edhe me Sadik Premten. Ndoshta, siç shkruante ai vetë, ishte pushtimi fashist i Shqipërisë, që e përshpejtoi konvertimin e tij. Ndikim pati edhe bashkëpunimi me Anastas Lulën. Vetë Sadiku shkruan në promemorien e tij: “Me Anastasin njiheshim si bashkënxënës dhe përshëndeteshim kur shiheshim korridoreve. Anastasi i kishte pikasur idetë e mia antizogiste. Unë nuk e dija me ekzaktësi se çfarë bindjesh kishte ai. Që në takimin e parë ai mu hap dhe më tregoi se me bindje ishte komunist.
Para Anastasit kryetar i Grupit të të Rinjëve ishte Sadik Staveleci, por me që ai vuante nga tuberkulozi, drejtimin e grupit e mori Anastasi dhe nënkryetar Sadiku. Për të sëmurin Staveleci, Sadiku kujton se mblodhën të holla dhe e dërguan për kurim në një Sanatorium në Bari të Italisë.”
Kush e bëri komunist Sadik Premten?
Ai vetë tregon se: ”Kontaktet e mia të para me idetë komuniste i kam pasë me Andrea Varfin, i cili vinte nga Grupi i Zjarrit.”
Takimi i parë me Andrea Varfin nuk i la mbresa të mira. Ai shkruan tekstulaisht në kujtimet e tij: “Kur u takova për të parën herë arrita në përfundimin se Andrea nuk ta mbushte mendjen se kishte ndonjë bagazh të pasur marksist dhe nuk u takova më me të.”
Së bashku me Anastasin (Lulo) Sadiku nis përkthimin nga anglishtja të “Anti Dyringut” të Marksit, “Kapitali” dhe disa artikuj të Trockit, pa e ditur se ky i fundit ishte vënë në shënjestër nga Stalini për ta eliminuar.
Sadiku tregon se celulat e parë i krijuan në Shkollën Teknike, nisën të rekrutonin anëtarë edhe nga Gjimnazi i Tiranës, Instituti Femëror, madje “rekrutuan” dhe punëtorë e katundarë. Në çdo cep të Tiranës, shkruan ai, grupi kishte bazat e veta ilegale. Sadiku shënon në memorien e tij këto baza të grupit: Shtëpia e Ije Farkës, Bije Vokshit, e Kecve, Këllëzve, Sallakve, Shoshorve e dhjetëra baza të tjera.
Në promemorien e tij Sadiku shënon edhe këtë fakt historik: Më 1940 ne e shpërndamë grupin e të Rinjve në të gjithë qytetet e Shqipërisë për të organizuar rezistencën antifashiste. Në Korçë e Kolonjë shkoi Anastasi, në Vlorë e Mallakastër shkoi Sadik Premtja, në Elbasan shkoi Kadri Hoxha dhe Ramadan Çitaku, në Pezë e Tiranë qëndruan Qazim Prishtina, Shyrete Turkeshi (Çabej), në Gjirokastër Tahir Kadareja e Bedri Spahiu, në Berat Resul Tozhari, Namik Meqemeja dhe Fatbardh Guri, në Shkodër Perlat Rexhepi, të cilin e përjetësoi në Këngën e Tre heronjëve, Kolë Jakova, duke e krahasuar aktin sublim të vetësakrifikimit të tij me atë të Oso Kukës.
Mbledhja themeluese e PK, sipas Sadik Premtes
Në Kujtimet e tij Sadik Premtja shkruan se para themelimit të Partisë Komuniste grupi i të Rinjve kishte bërë një marrëveshje me Grupin e Shkodrës; marrëveshje që synonte pikërisht kalimin nga faza e grupeve në atë të krijimit të PKSH.
I vetmi njeri që ka kundërshtuar bashkimin e grupeve që ekzistonin në Shqipëri për atë periudhë shënon Sadiku, ka qenë vetë Enver Hoxha. Sadiku i mëshon këtij fakti duke nënvizuar ”Ishim ne të grupit të të Rinjve që propozuam themelimin e PK me qëllim që të sheshoheshin mosmarrëveshjet e mëdha që ekzistonin mes grupeve. Sipas nesh, shkruan S.Premtja, themelimit të PK do t’i paraprinte një shtab drejtues i përbashkët, që do të koordinonte veprimet e përbashkëta. Mbledhja themeluse sipas S Premtes ishte e tensionuar, veçanërisht mes grupit të Korçës, që ishte aktiv e kërkonte të printe dhe grupit të të Rinjve.Për praninë e dy jugosllavëve si vëzhgues në mbledhjen themeluse ranë dakord të gjithë grupet, por Enveri i kishte bashkuar urat me jugosllavët vëzhgues para se të vinte në mbledhjen themeluse.
Gjatë pushimit të seancave, kujton Sadiku, dilnim në oborr për të pirë cigare. Në oborr ishte një man i madh. Duke pirë cigare, në një moment dallova se mbrapa trungut të manit diçka lëvizi. U afrova dhe pashë Enverin me Miladinin tek flisnin vesh më vesh. U habita dhe i pyeta: Ç’bëni këtu fshehur?
Ja, po rrinim…bisedonim-tha Enveri dhe shkoi brenda duke tërhequr pas vetes dhe Miladinin.
Më bëri shumë përshtypje të keqe fshehja dhe biseda e tyre jashtë syrit të të tjerëve… Sapo rifilloi mbledhja Miladini propozoi që zgjedhjet në Komitetin Qendror të bëheshin me numra. Emrat që fshiheshin pas numrave i dinin vetëm jugosllavët. Grupi i të Rinjve e kundërshtoi me forcë formulën, pasi e kuptoi qëllimin e jugosllavëve. Por nuk kishte fuqi të ndryshonte rrjedhën e ngjarjeve. Kur filluan propozimet, Anastas Lulo propozoi Sadik Premten si përfaqësues i grupit të të Rinjve në KQ. Në bazë të numrave bëhej dhe biografia e secilit dhe hidhej për votim secili. Biografitë sipas numrave i bënte Miladini i ndihmuar nga Enver Hoxha. Të padëshiruarve u nxihej biografia, të preferuarëve u zbukurohej.
Nga grupi i të Rinjve, nuk u preferua Sadiku, por Ramadan Çitaku, hidrauliku, që ishte edhe serbishtfolës. Duke u nisur edhe nga niveli i ulët i bagazhit intelektual, ideologjik dhe kulturor ata zgjodhën Çitakun pasi ai mund të përpunohej më lehtë dhe ashtu ndodhi.
Sadik Premtja sjell në kujtesë edhe një fakt, që Enveri e trajton ndryshe në kujtimet e tij: U kërkua me ngulm që kryetarët e grupeve të dorëzonin listat e anëtarësisë. Grupi i të Rinjve, kujton Sadiku kërkoi nga grupet e tjerë që t’i bënin aty të njohur anëtarët, por kjo kërkesë u kundërshtua. Në këto rrethana grupi i të Rinjve refuzoi dorëzimin e listave emërore të grupit të vet pasi e kuptoi qëllimin e kësaj dredhie. Mënyra se si u zgjodh KQ me numra dhe kërkesa këmbëngulëse për të dorëzuar listat ngjallte shumë dyshime.
Sadik Premtja në kujtimet e tij hedh dritë edhe mbi numrin e pjesëmarrësve nga secili grup në mbledhjen e bashkimit të grupeve. Ai kujton se nga grupi i të Rinjve kanë marrë pjesë: Anastas Lula (Kryetar), Sadik Premtja (nënkryetar), Tahir Kadare, Elami Nimani, Ramadan Çitaku… Për rolin e Enver Hoxhës gjatë mbledhjes bashkuse, Sadiku kujton se ai ishte thjesht mbajtës i protokollit dhe foli vetëm një herë gjatë mbledhjes, por foli në emër të të gjithëve, dhe vetë ai, Sadiku, e kundërshtoi rreptë duke i thënë: Kush je ti mo, që flet në emër të të gjithëve? Kush të të zgjodhi ty përfaqësues të të gjithëve?
Enveri është përpjekur ta zbusë situatën duke thënë: -Po dale mor Sadik, se unë po flas në emër të grupit Komunist të Korçës, jo në emrin tuaj.
Sadiku sërish e kundërshton:
-Grupi i Korçës e ka një kryetar. Le të flasë Koço Tashkua, pse ti?!
Enveri s’foli….
Demonstrata e 1942-it, manipulimi i Enverit, fshehja e protagonizmit të Sadikut
Enveri e ka monopolizuar rolin e tij në Demonstratën e 7 prillit 1942, e organizuar me rastin e 3 vjetorit të pushtimit fashist, duke i atribuar vetes pozicion drejtues dhe udhëheqës të saj, madje duke sajuar edhe mbajtjen e fjalimit para demonstrusve, ç’ka Sadiku e kundërshton prerazi. Ai zbardh të vërtetën: Këtë demonstratë, e kam drejtuar unë dhe fjalimin e mbylljes së demonstratës e kam mbajtë po unë-shkruan Sadiku në kujtimet e tij. Italianët qëlluan drejt meje, por isha i rrethuar me demonstrues. Kjo ishte demonstrata më e madhe antifashiste, por nuk ka rol fare Enver Hoxha në të.
Ai shton: ”Unë Enverin nuk e kam parë fare në demonstratë, por nuk mund të spekuloj mbi të vërtetën nëse ishte apo jo i pranishëm. Ndoshta mund të ketë qenë i strukur në ndonjë qoshe ose mund të ketë qenë pjesë e turmës, si gjithë të tjerët, por nuk ka pasur rol organizues apo drejtues në atë demonstratë…
Gjatë shpërndarjes së demonstratës, unë, rrëfen Sadiku, u ndoqa nga italianët, por arrita që t’u shpëtoja duke u strehuar në një bazë të grupit të të Rinjve, që ndodhej në rrugën e Elbasanit. Ajo ishte shtëpia e Shoshorëve, një nga bazat e sigurta tonat.
Në ndihmë të dëshmisë të Sadik Premtes vijnë edhe faksimilet e Komunikatave të Kuesturës Italiane të 15 prillit, apo komunikata e Kuestorit të Elbasanit, 30 maj 1942 etj.
Konferenca e jashtëzakonshme, dënimi i “armiqve”… pushkatimi në gjumë i Anastas Lulës…
Me interes janë kujtimet e Sadikut mbi të ashtuquajturën Konferencë të Jashtzakonshme të PKSH, për të cilën shkruan gjatë Enveri në librin”Kur Lindi Partia”. Bëhet fjalë për Konferencën e zhvilluar në ilegalitet në Tiranë me 28-29 qershor 1942.
Enveri shkruan: Puna e tyre tradhtare kishte arritur gjer në disa celula të veçanta partie, bile Xhepi (Sadiku) dhe Qorri (Anastasi) kishin filluar të formonin edhe celulat e tyre, me element të vet fraksionistë… Isha i bindur shkruan Enveri se Anastas Lula dhe Sadik Premtja duhej të merrnin dënimin e merituar… Dhimbja e thellë për shokët e rënë më kthehej në urrejtje për këta të dy, por unë isha i detyruar të takohesha me Anastasin e Sadikun.
Por çfarë shkruan Sadiku në kujtimet e tij?
As ai dhe as Anstas Lula nuk e dinin se konferenca mblidhej për të dënuar pikërisht ata të dy. Njoftimin për konferencën e kishin marrë me korrier. Sadiku ndodhej në krahinën e Vlorës për të organizuar luftën kundër pushtuesëve, ndërsa Anastasi në qarkun e Korçës, me të njëjtin mision. Takimi paraprak i Sadikut me Anastasin u bë në një nga bazat e vjetra të grupit në Tiranë. Sadiku i shfaqi dyshime ish kryetarit të tij, Anastasit, se diçka po kurdisej pas shpinës së tyre. Dyshimi vinte nga rrethanat e thirrjes urgjente. Në një kohë që ata ishin dënuar me vdekje dhe kërkoheshin kudo nga italianët, thirren me urgjencë nga Partia, madje pa u pajisur as me pasaportat e falsifikuara, siç veprohej në raste të atilla. Anastasi nuk besonte se ekzistonte ndonjë skenar pas shpinës së tyre pasi besonte tek sinqeriteti i vetes. Sadiku i propozon që të mos shkonin fare në mbledhje, por Anastasi, nuk u bind, nuk pranoi që të mos i përgjigjeshin urdhërit që kishin marrë me korrier: ”Shkojmë Sadik, pastaj me të parë e me të bërë”…
Ku ta dinin ata se pas shpinës së tyre pjesëmarrësit në atë mbledhje ishin përpunuar paraprakisht?! Të dy u ndodhën në breshërinë e akuzave të sajuara. U akuzuan si fraksionistë, përçarës dhe u vunë në qendër të goditjes. Pas mbledhjes u thirrën të dy në një dhomë, ku ndodhej Enveri dhe Miladini.
Ja si e kujton skenën Sadiku: “Enveri kishte futë duart mes shalëve dhe shikonte poshtë tek majat e këpucëve. Nuk e ngriti kokën të na shikonte për asnjë çast. Fliste vetëm Miladini. Ai na përcolli vendimin se ishim të përjashtuar nga Partia. Sipas vendimit, për meritat që kishim, po na jepnin dorën edhe një herë, duke na dërguar në bazë-terren, në rrethe që të edukoheshim… Anastasin e caktuan në Çetën e Skraparit si partizan të thjeshtë dhe i vunë pas për ta vrarë Ramiz Aranitasin dhe Gjeli Argjirin. Anastasi ra pre e naivitetit, idealizmit, sinqeritetit dhe besimit të tepruar se komunistët janë vëllezër, nuk mund t’i bënin keq njeri-tjetrit. Kështu kishte lexuar nëpër libra… I shkreti ai: E kapën në gjumë, e lidhën, dhe e pushkatuan diku në fshatin Gllavë. Ia morën jetën pa bërë asnjë faj. Pushkatimi pa gjyq i Anastasit u krye me aktuzën se kishte dezertuar…ku? Në gjumë!