Cikël poetik nga Mimoza Pulaj
Shikim poetësh
Në emër
të horizontit të ardhshëm.
Shpërthim lulesh.
Çdo petale: fjalë.
Çdo dridhje: kujtesë.
Gjëmim dallgësh.
Mes ëndrrash që nuk flenë: anija e tij.
Pranvera,
në çdo stinë
vertikal i bie.
Si një velë.
Me fëmijën lind.
Çdo vdekje aty e rikthen.
Treni i qetësisë
Në formën e reve
të gjitha mendimet e mia.
Të fundosura fjalët.
Në zhurmën e rrotave,
fishkëllimave e bilbilave,
thirrjet e zemrës së coptuar.
Si lule vjollcat
ndërmjet binarëve,
marrë psherëtimat e mia
e në tingullin e trenit përplasur.
Ëmbëlsisht.
Për të kthyer mbrapsht lotët.
Në heshtje për të qarë. Brenda.
Pemë arratisëse!
Plot gjethe e petale
të parfumit tim:
puthje të zjarrta jetuar
e në ajër lëshuar.
Si harqe.Vizatime pulëbardhash.
Nga dritarja e ulur
si një erë
e paarritshme,
vrapo!
E lirë. Pa formë e kohë.
Duart e frymës së re
Të zgjatura: derë shprese e hapur.
Të ethshme. Pa to, ajri akull.
Të përkryera. Dhe ndryshim kërkojnë.
Tragjedi tonat: të gjitha njëlloj.
Moment agu
Asnjë
nuk mundi të lexojë
faqen tjetër të hënës.
Aty rrinë kodet e panjohura.
Ngushtë e ngushtë. Të gjalla.
Në një shtrirje që e di
çfarë i mungon.
Edhe pse nuk do ta dijë.
Por dhe në një humbje. Të palëvisshme.
Si një pëshpëritje gënjeshtare. E çmendur.
Ngjyrat përgatit qielli.
Piktor i dehur.
Zgjohen tashmë, pemët.
Segment elastik
Me bukurinë gëzoj.
E një segmenti elastik.
Nga e majta në të djathtë: unë.
Pa ndryshim skajesh,
në kah të kundërt zgjatet: ti.
Kam gjithnjë idenë e shikimit tënd.
Për të qenë e ëmbël fjala
andej nuk lodhet kurrë.
Më kërkon, më gjen: rrebesh, (jo rrallë herë).
Si një pikë lot
në dorën tënde më mban.
Të rrimë bashkë duam.
E bëhemi…një grusht ujë.
Ditar
E ëmbël drita e agimit.
E varur.
Pa bërë zhurmë
marr frymë:
poshtë gjetheve të rëna fle dimri.
Mbi fytyrën time
ditarin
shkruan Dielli.