Ministria injoron kërkesat e pedagogëve, nis greva e urisë
Asambleja e Pedagogëve ka marrë vendimin e radhës, pas përfundimit të afatit njëjavor që i kishin lënë qeverisë për plotësimin e kërkesave të tyre të mëparshme.
Në një vendim publik, të marrë nga pedagogët e Fakultetit të Shkencave Sociale, si dhe me pjesëmarrjen e asambleve të UT, kanë vendosur:
-Të nisin grevën e pedagogëve
-T’u bëjnë thirrje asambleve të të gjitha fakulteteve të UT që të mblidhen sa më parë për të koordinuar veprimet
-T’u bëjmë thirrje të gjitha asambleve dhe pedagogëve të Universiteteve Publike që t’i bashkohen grevës së përgjithshme
Më herët ditën e sotme, Kreu i departamentit të Gazetarisë, Mark Marku në një prononcim për median është shprehur se nga takimi me Besa Shahinin nuk është arritur asgjë dhe se i kanë lënë afat deri në darkë për të marrë në konsideratë kërkesat e tyre.
“Ne diskutuam për gjendjen në universitet. Biseda ishte rreth kërkesave. Nuk pati një qëndrim konkret nga ana e ministres së Arsimit. Në tema të përgjithshme tentoi ta çonte diskutimin drejt një diskutimi jo rezultativ. Presim deri në darkë nëse ajo do të ketë një përgjigje konkrete. Pastaj ne do të mbledhim takimin e Asambleve dhe do të mbajmë një qëndrim për kërkesat tona.
U diskutua shumë por nuk u ra dakord për asgjë sepse ministrja nuk ka vullnetin për t’iu përgjigjur gjendjes adekuate në universitet. Ne do të konsultojmë asambletë sepse vendimi për kreun duhet të merret nga krerët tanë. Nëse s’do ketë qëndrim nga Ministrja, do e marrim si refuzim të kërkesave tona”, u shpreh Marku.
Më tej Marku u shpreh se ministrja u përpoq t’u mbushte mendjen sa i mirë është Pakti për Universitetin.