Ilir Çumani: DY VJET PA DRITËRONË!
.Kaluan 2 vjet pa praninë fizike të Dritëroit tonë, pa NJERIUN, poetin dhe shkrimtarin klasik e modern, fisnikun e dhëmbjes proverbiale popullore, intelektualin e mençur erudit, filozofin humanist, që përmes forcës dhe peshës së fjalës, përmes vargut plotë jetë e dritë që e ngjizi në kohëra të vështira, me shumë tallaze e brenga, mbolli në shpirtërat tanë farën e shpresës, atdhedashurinë, frymëzimin, kurajën dhe dashurinë për jetën, për NJERIUN…
Ndodh në jetë që, individë të veçantë, sa më shumë kohë kalon kur ata janë larguar nga jeta, aq më shumë na duket se i kemi gjithmonë në mes nesh, diku rrotull. Janë kudo dhe ngado frymohet dhe jetohet në gjithçka të bukur e të begatë që ata kanë lënë pas si një trashëgimi që do të përcillet ndër breza…DRITËRO AGOLLI, është një emër i përveçëm që ka lënë gjurmë epokale. Ai është kudo nëpër Shqipëri, është në jetët tona, tek çdo plak e çdo fëmijë, tek çdo i ri dhe e re, tek qytetari e fshatari, tek bujku e blegtori. Emri tij është në kodra, male e fusha të gjelbëruara, ne lumenj e liqene, në auditore shkollash e universitete, në diga hidrocentralesh, në biblioteka e rafte librash. Kudo. Tashmë ai i përket kujtesës sonë kolektive, i përket pavdekësisë, kujtesës sonë kombëtare!
3 shkurt, 2019
Please follow and like us: