Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Letra dashurie

Tregim
Me pak fjalë Xhena ka gjetur një të dashur. Ky burrë jeton larg dhe ajo është e dëshiruar të komunikojë me letra. Ka gati një vit e ca kjo punë dhe ajo i përjeton gjërat në varësi të përmbajtjes së tekstit në letrën e radhës. Koha nga letra në letër zgjat zakonisht dhjetë ditë dhe në këtë boshllëk ajo nuk ndihet. Por sapo i vjen letra e radhës të afrohet me një djallëzi të këndshme, sikur do të të zbulojë të fshehtën më të madhe për një nga gratë e punës. Dhe me sa kam kuptuar, këtë strategji e përdor me të gjithë ne. Nuk ka grua apo burrë, studentë që punojnë me kohë të pjesshme, të mos e dijë që Xhena ka një të dashur. Megjithatë ajo ndihet mirë kur të tjerët e përflasin. ”Më kanë zili, por unë as që dua t’ia di”, kështu më tha dikur.
-Po mirë pse nuk përdor kompjuterin, facebook-un, është pa paguar? – e pyeta.
-Jam me kohët e shkuara, romantike, nuk jam njeri kompjuteri, – tha duke më tundur përpara fytyrës një letër të porsa ardhur.
Buzëqesha në stilin e saj, me djallëzi.
-Eshtë këtu me pushime, – vazhdoi ajo dhe sytë me cepa iu mbyllën fare nga kënaqësia.
-Do takoheni? – e pyeta unë.
Xhena nuk foli por vazhdoi me të njëjtën vetkënaqësi qeshje ku kësaj here iu krijuan edhe dy rrudha tek goja e vogël. Vërejta se qimet e rralla në mjekërr i ishin ashpërsuar. Zakonisht ajo nuk harronte aq gjatë.
-Dhe po u takuat do bëni ashtu, – i thashë unë duke i shkelur syrin.
Xhena u kënaq pa masë.
-Se mos na bën kalamaj, – e ngacmova.
-Pse bën vaki? – më pyeti duke ndërruar menjëherë çehren e fytyrës.
-Janë punë të Zotit, nuk i dihet, – ia ktheva.
-Mua nuk më pëlqejnë fëmijët, – tha ajo prerë.
Në dhomë jehoi zhurma e motorit të frigoriferit me pije freskuese. Ajo më shikonte çuditshëm duke pritur që unë t’i thoshja diçka në lidhje me fëmijët. Ndofta Xhena pret që ta kundërshtoj për faktin se jam i martuar dhe kam një djalë.
-Më mjafton vetëm të martohem dhe kaq, – tha ajo.
-Kështu thosha edhe unë por ja që ndodhi, – ia ktheva.
Xhena u bë kurioze….
-Pse ndodh ajo gjë, padashje?
-Sigurisht.
U mendua një copë herë pastaj ma ktheu me entuziazëm.
-Ka ardhur me mamanë dhe ndodhet në Majemi.
-Si me mamanë?
-Me mamanë! Eshtë djalë i mirë ai, nuk është dosido…, i shërben mamasë. Kështu më shkruan…
Ajo i mban flokët e shkurtra, biles me baluke të prera në vijë të drejtë mbi ballin e saj të vogël ku feksin fort dy vetulla të shkurtra, me faqe të mbushura në anët e të cilave tek vija e nofullave i mbijnë shpesh qime sikur të ishte burrë. Shtatshkurtër me vithe të gjëra, bark të kërcyer përpara dhe për shkak të streçeve që mban, i dalin në pah këmbët hollake. Duket si një nga ato krijesat e revistave që ilustrojnë dialogët humoristikë, por që sigurisht ajo as që e çon ndërmend të krahasohet. Jeton në mënyrën e saj dhe sikur gjithçka përreth të përmbyset, asaj nuk i lëviz asnjë muskul. I vetmi shqetësim i këndshëm është tymi i cigares që hera-herës e detyron të shkeli njërin sy.
Pasi më lexoi letrën me qejfin më të madh në botë, ku duhet të them se nuk dëgjova që i dashuri ta kishte njoftuar për ardhjen në Majemi, mua drejtua seriozisht.
-Ime motër më thotë se të gjitha janë fantazira, por ja ti e shikon letrën, – tha ajo dhe ma zgjati mua. -Unë e di ajo vepron kështu që të më pengojë. Ka frikë se mos iki nga shtëpia dhe ngelet vetëm. Po një ditë do të ndodhi përderisa jam e lidhur me dikë, apo jo?
-Po, po – ia ktheva unë.
-Përse e bën këtë?
-Kushedi, nga xhelozia.
-Të njëjtën gjë më tha dhe Alisha.
-Veçse ta dish, kjo është xhelozi e mirë.
-Një ditë e mbylli qenin në banjo si dënim nga që atij i pëlqen të rri në dhomë time.
-Ashtu?!
-Po unë nuk e çaj kokën.
-Mirë bën?
-Ia tregova edhe asaj letrën por ajo nuk më beson.
-Punë e madhe.
Xhena qeshi e kënaqur dhe lëvizi në karrike me sytë herë nga unë dhe herë nga dera. E thirrën në intercom dhe ajo shkoi të paraqitej në vendin e saj të punës. Unë rashë ne mendime gjysmë gazmend. Thua me të vërtetë dikush i shkruan Xhenës?!
Kur dola përjashta dielli kishte filluar të ulej nga gjiri i Meksikës dhe gjelbërimi i pemëve frymohej nga një fllad i këndshëm. Me mijëra gërguj kishin pushtuar hapësirën e parkingut duke u sjellur sa lart në degët e pemëve dhe poshtë në asfaltin e zi. Toka buronte një ajër të ngrohtë ndërsa qielli i kaltër e zbuste sapo takoheshin. Zogjtë gumëzhinin duke shtyrë njëri-tjetrin dhe nuk u tunduan fare prej meje.
Një makinë e madhe foristradë, e tipit Ford ndaloi në parkingun e parë dhe që andej zbriti motra e Xhenës.
-Je në pushim? – më pyeti duke buzëqeshur.
-Po, – ia ktheva shkurt.
Asaj nuk i pëlqeu toni im. Nuk kisha folur asnjëherë me motrën e Xhenës, por e njihnin njëri-tjetrin. Ajo e sillte në punë në mëngjes dhe e merrte kur mbaronte.
-Edhe ti më urren për shkak të Xhenës, – më tha me qesëndi. -Nuk ka problem sepse nuk je i pari dhe unë jam lodhur duke i treguar botës të vërtetën.
Mua më erdhi turp, por nuk e dhashë veten. Gjithsesi ajo më shpjegoi pa gajle se Xhena ia postonte vetes ato letra me bindjen se dikush i shkruante në të vërtetë.
-Ka mbi dyzetë e kusur vjet që e bën këtë punë, – tha ajo. -Sot që po flasim është gjashtëdhjetë e dy vjeçe.

Please follow and like us: