Ndue Ukaj: Mjerimi i madh i politikanëve shqiptarë
Atmosfera politike, në Kosovë dhe në Shqipëri, vazhdon të jetë e zymtë dhe e pashpresë, kurse mes drejtuesve të këtyre vendeve, vazhdon të ketë shumë hasmëri, mosdurim, teke, inate, akuza, por kjo nuk i pengon udhëheqësit e institucioneve të dy vendeve, që për një natë, t’i ulin shpatat, t’i ‘kontrollojnë’ hasmëritë dhe gjuhën e pështirë dhe të duket se janë të bashkuar. Po, ata mblidhen bashkë, ngrenë dolli, qeshin ose bëhen sikur qeshin dhe tregojnë para popullit të varfër, të shkretë dhe të pashpresë, sesa të bashkuar që janë. Dhe, krejt këtë e bëjnë me një foto, sipas parimit të njohur se, fotografia nuk gënjen, por, siç thotë një shkrimtar, ajo nuk e tregon gjithashtu as krejt të vërtetën.
Megjithatë, fotografia e djeshme e liderëve institucionale, të Kosovës dhe të Shqipërisë, e publikuar në media dhe e cilësuar si fotografia e ditës nga njëri prej shefave të shtetit shqiptar, për mua tregon një të vërtetë të madhe: se ata, në të vërteta, nuk janë aspak transparentë, të sinqertë dhe të vërtetë, as kur shahen dhe as kur shtiren se duhen me njëri- tjetrin.
Por, kjo mani e tyre, për të treguar se janë të bashkuar, përkundër realitetit që e njeh gjithsecili, në të vërtetë, tregon mjerimin e madh ku është katandisur politika institucionale shqiptare, e cila, udhëhiqet nga impulse dhe koncepte politike primitive, që aspak nuk kanë të bëjnë me mendësinë moderne për shtetin dhe demokracinë.
Nuk besoj të ketë udhëheqës në Europë që bën lajme më shumë sesa këta tanët, ndërkaq, nuk ka vend në Europë, ku të ketë më pak vepra e punë të vërteta, sesa në vendet shqiptare.
E, sikur të varej dinjiteti dhe përparimi i shtetit nga lajmet dhe fotografitë, sigurisht, ne do t’ua kalonim shumë vendeve të Europës dhe ndoshta të botës.
Ndërkaq, në anën tjetër, përpjekja me ngulm e këtyre udhëheqësve për të treguar gjithçka bëjnë ose për të bërë lajm gjithçka e çdo lëvizje, tregon sa ata ndjehen bosh, të shkretë dhe besojnë pak në veprat e tyre. Sepse, sikur të kishin vepra, ata nuk do të kërkonin të ekspozoheshin përditë e kudo dhe nuk do të ngarendnin pas lajmeve e mediave, sepse për ta do të flinin veprat, ashtu siç flasin për gjithë liderët e mëdhenj që i mban mend historia.
Nuk ka kurrfarë rëndësi për shqiptarët t’i shohin udhëheqësit e tyre të bashkuar rreth tavolinës së ushqimit, verës dhe thashethemeve, kur ata e dinë mirë se, të njëjtit nuk janë të bashkuar në çështje thelbësore politike.