Albspirit

Media/News/Publishing

Vjedhja në Pashaliman, shkarkohen 15 ushtarakë

I gjithë zinxhiri komandues në bazën ushtarake detare të Pashalimanit është shkarkuar. Bëhet fjalë për 15 ushtarakë, duke nisur që nga komandanti i Bazës dhe zëvendësi i tij, të cilët janë ndëshkuar për vjedhjen e ndodhur natën mes 9 dhe 10 Janarit, brenda mjediseve të bazës, ku u morën disa armë dhe sasi të ndryshme fishekësh dhe granatash.

Vendimi është marrë pas përfundimit të një hetimi administrativ të kryer nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë, i cili ia ka propozuar masat ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka. Kjo e fundit ka firmosur ndërkohë kërkesën dhe për shkarkimin e komandantit të Forcës Detare, Gjeneral major Ylber Dogjani. Që të gjithë janë gjetur përgjegjës për mangësi në masat e sigurisë në bazë.

Për ngjarjen e ndodhur u arrestuan menjëherë dy oficerë përgjegjës dhe dy roje, të cilët akuzohen për “shkelje të rregullave të shërbimit të rojës në objektet e rëndësishme me pasojë vjedhjen e armatimeve”.

Sipas të dhënave zyrtare në depon ushtarake të bazës detare u vodhën 2 pushkë automatike, një karabinë, 40 granata dhe rreth 5500 fishekë të llojeve të ndryshme, përfshirë edhe municione blindshpuese. Nga hetimet dyshohet se vjedhja u krye kur roja përgjegjës kishte braktisur postin dhe ishte strehuar në një mjedis tjetër ndërkohë që nuk ishin respektuar praktikat e kontrollit të shërbimit dhe ndërrimit të rojeve.

Baza e Pashalimanit është një nga objektet më të rëndësishme të sigurisë ushtarake në Shqipëri që shërben për flotën bregdetare e cila kryen kontrolle të regjimit kufitar detar shqiptar dhe operacione në kuadër të forcave të NATO-s.

Please follow and like us: