Albspirit

Media/News/Publishing

Albert Z. ZHOLI: Nga jeni, ju zonjushë?

 

Skicë
Sa më shumë ju njoh, aq më shumë më çudisni ju shqiptarët – më tha Jani, pronari i kioskës “Everest”, Athinë, duke më ofruar gazetat e ditës.
-Ke ndonjë të veçantë ?- e pyeta unë, -se ti je si mulliri i kafesë këtu, që kokrrat venë nga venë e këtu rrotullohen, vazhdova në pritje të “çudisë” së Jani Planopullos.
Dhe ai nisi të më tregonte:
“…Kam bërë çudi me një vajzë të bukur, aty tek të 18-at. Vinte çdo ditë e lexonte gjithë titujt e gazetave. Nga një hetë ndalonte e lexonte më gjatë…E niste nga gazeta greke e mbaronte tek ato shqiptaret. Në fillim nuk më bënte përshtypje, por ajo vazhdoi kështu me muaj. Çdo ditë e çdo ditë të nëjtën gjë: e niste nga gazeta greke e shtet më shtet dhe në fund mbetej tek gazeta shqiptare. Nuk m’u durua dhe një ditë e pyes:
-Nga jeni ju zonjushë ?
Ajo më pa drejt në sy dhe foli zë ëmbël.
-Nga Shqipëria!
Unë mbeta. Nuk prisja që gjithë ai portret bukurie të ishte shqiptare.
-Dini ndonjë gjuhë të huaj, veç greqishtes?-se greqishten e fliste më mirë seç e shkruajnë gazetat tona…
Ajo me delikatesë fluture, mori nga një gazetë, aty ku ishin dhe nisi të lexonte. Lexoi në fillim greqishten, pastaj në anglisht, frëngjisht, italisht e së fundi në gjuhën e saj të lindjes. Lexonte e qeshte me sy, se buzët i kishte të zëna, me ato gjuhë që mua më çuditën. Fjalët e saj mua më vinin në vesh me harmoninë e një kënge.
Iku, duke më përshëndetur në gjuhën e saj, sikur donte të më thoshte akoma.
“Jam shqiptare”!
Iku me flokët e verdha që i hidheshin mbi supe.
Dhe prej asaj dite nuk erdhi më.
Hë, ç’të mos çuditesh?! Sa më shumë ju njoh, aq më shumë më çudisni ju shqiptarët…”. Jeni të zgjuar, jepni jetën për miqësinë, por ju kanë hedhur në hendek politikanët.Meritoni tjetër fat!
Please follow and like us: