Donika Prela njollos Vettingun, duke u pastruar politikisht
Duke vendosur që kryeprokurorja e Krimeve të Rënda, Donika Prela të vazhdojë të ushtrojë këtë funksion, Komisioni i vettingutt i ka vënë një njollë të pashlyeshme besueshmërisë dhe paanshmërisë së tij politike. Me hije të forta dyshimi për mënyrën si ka bërë të ardhurat, me truqe që të mbulojë të ardhurat e burrit të saj, me apartamente të blera nën çmimin e tregut dhe me një njollë që i vuri përfaqësuesi ndërkombëtar i OMN-së, Prela doli e diskredituar nga ky proces.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli sot se “Verifikimet çuan në përfundimin se deri më tani nuk ka indicie të nevojshme për të cuar në rihapjen e hetimeve”, duke mos përfillur të gjitha akuzat publike në ngarkim të saj.
Në datën 22.01.2019 Donika Prela u shpreh para KPK dhe Vëzhguesit Ndërkombëtar Theo Jacobs se, ajo dhe bashkëshorti i saj kanë jetuar në Shqipëri dhe jo në një nga vendet e BE prej nga vjen Z. Jacobs dhe se, në Shqiperi është normale të mospaguash taksa.
Gjithashtu ajo deklaroi se, në Shqipëri mund t’i marresh lirshëm para hua cdo personi dhe në cfarëdo shume që të duash, pa qenë e detyruar fare të pyesesh se nga vijnë këto para. Madje ajo shkoi edhe më tej duke theksuar se, në Shqipëri kështu ka qenë dhe kështu është.
Një tjetër problem është se nga hetimi i kryer prej KPK dhe ONM rreth kriterit te pasurise se Donika Prelës rezultoi se, për periudhën 2003-2012, ajo ka deklaruar si të ardhur një pagë të konsiderueshme të bashkëshortit të saj Vangjel Prela si inxhinier tek Shoqeria e Ndërtimit “Bruci” shpk. Por ajo nuk ka asnjë dokument të pagesave me bankë dhe të ketë paguar taksat dhe sigurimet shoqërore për këto të ardhura. Kështu që ajo nuk justifikon dot dyshimin se ato para nuk janë të ardhura të zeza të ardhura për një shkak tjetër.
Ndërkohë, në sitën e KPK-së kanë kaluar edhe blerjet e dy apartamenteve, që janë përfituar, sipas Komisionit, në një vlerë më të ulët se ajo e tregut. Në lidhje me këtë konstatim, Prela dhe bashkëshorti i saj kanë shpjeguar se ky çmim është për faktin se ai ka qenë punonjës në firmën e ndërtimit dhe për këtë, ka përfituar ulje të çmimit. Një fakt të tillë e ka konfirmuar edhe firma, e cila në shpjegimet e dhëna ka thënë se këtë praktikë e ka ndjekur edhe me punonjës të tjerë.
Ndërkohë, për dyshimet e ngritura nga ILDKPKI për blerjen e një sipërfaqe toke në Petrelë me çmim më të ulët se ai i referencës, KPK tha se ishte brenda çmimit të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave për këtë zonë.
Por sipas Partisë Demokratike, pas njërit prej apartamenteve fshihet një konflikt i qartë interesi.
“Një apartament që zonja Prela e ka blerë në “Rrugën Tefta Tashko Koço”, tek një Kompani e quajtur Lim-Em, Administrator i së cilës është në ndjekje penale, është nën hetim po nga Krimet e Rënda. Prokurorja e Krimeve të Rënda ka marrë një apartament, është në marrëdhënie kontraktore me një kompani, administratori i së cilës është nën hetim nga Prokuroria që ajo drejton”.
Pikërisht për këto arsye PD e ka quajtur procesin e Prelës me standarte të dyfishta. Ashtu sikurse tha përfaqësuesi i OMN, Theo Jacobs, dosja e saj “lë një shije të leqe”.
Por shije më të keqe tashmë ka lënë fakti se ajo ka gjasa të jetë shpëtuar politikisht nga komisioni i vettingut, si një njeri që ka pasuar në duar dosjet e bandave të Durrësit dhe që tani do të vazhdojë të ketë edhe ato të përgjimeve të pushtetarëve të lartë./lapsi.al/