Albspirit

Media/News/Publishing

E kapi me dashnoren greke: Si e dhunoi Esat Toptani valiun e Janinës

Gazeta Mapo publikoi të martën pjesë nga libri i suksesshëm i gazetarit Ilir Ikonomi me titull “Esat Pashë Toptani: Njeriu, lufta, pushteti”. Mes të tjerash, në libër tregohet për nisjen e shpejtë dhe ngjitjen e beftë në karrierë të Esat Toptanit. Në libër tregohet diçka më shumë për incidentin e famshëm të Toptanit me valiun e Janinës kur ishte komandant i xhandarmërisë në këtë qytet.

“Në atë kohë, vali i Janinës ishte Osman Tatar pasha, njeri që urrehej nga shqiptarët, siç rrëfen deputeti i parlamentit italian, markezi Antonino di San Giuliano, i cili më vonë do të bëhej ministër i Jashtëm. Atë vit markezi qëlloi të vizitonte Janinën dhe tregon se Osman pasha shkonte keq me Esatin, aq keq saqë nga Stambolli ishte dërguar një komision për të zgjidhur grindjet mes të dyve. Një të diel shtatori, kur valiu ndodhej në shtëpinë e verdhë të një bukurosheje greke, kishte plasur një skandal. Esat pasha me xhandarët kishin rrethuar banesën e grekes, kishin shpërthyer dyer e dritare dhe ishin futur brenda. Valiun bashkë me mikeshën e tij e kishin rrahur dhe nxjerrë zvarrë në rrugë. Jazëkllar ollsun sana! (paç faqen e zezë) i kishte bërtitur Esati.

Thuajse njëlloj e tregon këtë histori publicisti dhe poeti arbëresh nga Siçilia, Zef Skiroi. Ai shkruan se me paudhësitë dhe provokimet kundër shqiptarëve, valiu e kishte ndezur keqas shpirtin krenar dhe përbuzës të Esatit, saqë ky i kishte dhënë ca dacka të mira kur e kishte kapur në shtëpi me greken. Pastaj, mu në sy të saj e të disa zyrtarëve të tjerë, e kishte shtrirë për tokë dhe e kishte quajtur derr i derrave, turp për Kuranin e për Turqinë.

Ngjarja në shtëpinë e grekes bëri bujë dhe u njoftua në gazetat europiane, të cilat e përshkruanin si një histori xhelozie. Valiu deklaroi se nuk do të linte gur pa lëvizur deri sa Esati të ndëshkohej. Por shqiptarët ishin fëmijët e përkëdhelur të perandorisë dhe sulltani i trajtonte ata me kujdes e me drojë. Esatin nuk e ndëshkuan. Atë e emëruan komandant xhandarmërie në Shkodër, me mision për të riorganizuar trupat. Esati u nis për në Shkodër më 15 shtator 1902, i përcjellë me brohoritma nga njerëzit”, thuhet në libër.

Please follow and like us: