Krimi shtetëror në tragjedinë e Fekenit
Çerçiz Loloçi
38 vjet më parë dhe pikërisht më 6 shkurt 1981, gjatë stërvitjes dimërore që zhvillonin studentët e ish-Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerëve në Feken, humbën jetën 11 ushtarakë (3 pedagogë dhe 8 studentë). E konsideruar si “Tragjedia e Fekenit” ajo mori 11 jetë të pafajshme dhe konkretisht: komandantin e batalionit të parë të këmbësorisë Dushan Shameti nga Dorëz i Tepelenës, Çlirim Pulaj-shef i planëzimit nga Tragjasi i Vlorës, Nikollaq Bero- pedagog taktike nga Berati, Besnik Shehu- student gjitharmësh nga Picari i Gjirokastrës, Ilir Gramatikoi-student i degës prapavijë nga Tirana, Bujar Ago-student i degës prapavijë nga Tirana, Aleko Gjoni-student i degës prapavijë nga Nivica e Sarandës, Pëllumb Rrapo-student i degës prapavijë nga Berati, Qemal Lika-student gjitharmësh nga Tirana, Bilbil Pashaj-student gjitharmësh nga Kremenari i Mallakastër, Nexhip Çoba-student i viti i dytë nga Kavaja; mbeten të gjymtuar rëndë Përparim Veliu-student i degës prapavijë nga Saranda, Luan Muça-student gjitharmësh nga Peshkopia si dhe u plagosën 70 vetë.
Që nga dita e rënies deri më sot 11 të rënët e Fekenit janë përkujtuar në ceremoni të përvitshme, ata janë shpallur dëshmorë të atdheut, janë bërë disa dokumentarë dhe janë nderuar përherë nga familjarë dhe bashkëkohës.
Por që atëhere edhe deri më tani nuk është thënë asnjëherë se ky është një krim i pastër shtetëror, që mund të evitohej dhe që mund t’i shpëtonte jetët e pafajshme të oficerëve dhe studentëve të Shkollës së Bashkuar. Jetët e humbura, të gjymtuara apo dhjetra të sakatosur nuk u shkaktuan në një betejë me armiq të jashtëm, por thjesht e vetëm gjatë një stërvitjeje, gjë që kjo mund të kryhej edhe në një periudhë tjetër. As nën diktaturë dhe as në demokraci nuk u krye një hetim i pavarur, nuk u hap një proces gjyqësor për të gjetur urdhërdhënësit e kësaj tragjedie që, për shkak të marrëzisë komuniste, hapën 11 varre me djem të rinj dhe mbushën me lotë jetët e qindra familjeve.
Përkundër kësaj ngjarje makabre dua të sjell një shembull nga SHBA: Amerikanët e NASA-s nuk bënë lëshimin e anijes kozmike, në ditën dhe orën e caktuar, për shkak se në majë të saj qëndronte një zog; jeta e një shpendi ishte më e rëndësishme se sa planifikimi i lëshimit të anijes kozmike.
Përfytyroni shpenzimet në miliarda dollarë, merrni me mend vëmendjen e gjithë planetit ndaj kësa ngjarje të jashtëzakonshme e megjithatë shpendit iu shpëtua jeta dhe anija kozmike u nis ditë më vonë.
6 shkurt 2019.