Historia e punësimit të Drijonës si mashtrim i trashë kryeministror
Sot Kryeministri Rama na tregoi historinë prekëse të Drijona Malevit. Ajo, sipas zotit Rama, u punësua falë portalit online që Rama e ka shumë për zemër. Se quhet e-albania, shqiperiaqeduam.al, apo punetembare.al, nuk ka rëndësi.
Është portal i një shoku, ndoshta edhe i huazuar nga LSI-ja, por gjithmonë një shok i mbarë. Por historia e Drijonës është pak ndryshe nga si e tregon Kryeministri Rama, apo më saktë, gazetarja e ERTV-së, Anjeza Maja (po kjo ku të jetë punësuar vallë?). Drijona thotë për Anjezën:
“Unë nuk e kisha menduar të punësohesha në administratë deri në momentin që aplikova online në portal për të bërë një eksperiencë kualifikimi një vjeçare”.
Më tej shpjegon ajo, “u drejtova te DAP dhe tashmë jam nëpunëse civile”. Pra pikë së pari, ajo ka nisur punë të paktën 1 vit më parë.
Së dyti, në momentin aktual aplikoi pranë DAP dhe jo në portal. Por Edi Rama e prezantoi portalin punetembare.al vetëm në 11 janar 2019 dhe njoftoi në ERTV që ishin 803 vende puna të lira deri më 10 shkurt 2019. Pak lëmsh për ta kuptuar. Mashtrimi është i qartë ama dhe për këtë mjafton të ndiqen publikimet profesionale të televizionit të palicencuar ERTV, me pronësi të dyshimtë dhe me burime të paqarta financimi.
ResPublica investigoi pak më shumë dhe zbuloi se Drijona paraqet një histori më komplekse punësimi. Ajo është punësuar për herë të parë në dhjetor 2015 dhe ka nisur punë direkt në Këshillin e Ministrave. Këtu ka qëndruar deri në prill 2017. Ndërkohë është punësuar në dhjetor 2016 në një shoqëri private, Dekliada – Alb, lidhja e pronarit të së cilës është private dhe nuk duam ta eksplorojmë. Këtu ka qëndruar deri ne shkurt 2017. Pra në këtë periudhë ka qenë e dypunësuar. Por nuk mjafton me kaq. Në shkurt 2017 është punësuar në Ministrinë e Ekonomisë, duke qenë në paralel dhe në Kryeministri. Te Ministria e Ekonomisë/Financave ka vazhduar deri në nëntor 2018, moment në të cilin ka nisur në punësimin aktual te CFCU. Pra znj. Drijona ka qenë të paktën dy herë e dypunësuar dhe ndryshe nga ç’na tregon Anjeza përpara se të fillojë në CFCU pranë MFE ka qenë në 4 punë të ndryshme. Urime Drijona! /respublica/