Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Nëpërkëmbja e pafund e dinjitetit të njeriut

Abuzimi i vajzës së mitur në Drenas, reflekton atë çfarë ka mbjellë shoqëria jonë tash e sa vite: nëpërkëmbjen e pafund të dinjitetit të njeriut. Ky akt i shëmtuar është pjellë e mendësisë së mykur dhe modeleve të shëmtuara të sjelljes që i ndeshim përditë e kudo në shoqërinë tonë.
Një mjedis i ndotur moral, ku pak kush kujdeset për rëndësinë e gjuhës në sferën publike, për parime shpirtërore, për idetë që qarkullojnë, lajmet që prodhohen, pa dyshim se bëhet parajsë për gjithfarë idiotësh e batakçinjsh, të gatshëm, me helmin e tyre, të helmojnë gjithsecilin.

Abuzime të tilla ka kudo në botë, por ato dënohen dhe ndëshkohen keq. Kurse te ne, ku hallkat esenciale të sistemit rezulton të jenë të mykura, ato shpeshherë fshihen. Krejt kjo lidhet me mjedisin moral ku jetojmë, të cilin, në vend se ta emancipojmë, e kemi shëmtuar, me modele dhe sjellje akulturore që manifestohen përditë në sferën publike. E, duke mos patur modele të mira kulturore, shoqëria jonë është shndërruar në shoqëri të çorientuar.

Vaclav Havel, shkrimtar dhe politikan i ditur, si më poshtë e përshkruante atmosferën në Çekinë postkomuniste, e që i ngjan krejt atmosferës tonë:
“Jetojmë në një mjedis të ndotur moralisht. E ndotëm moralin duke thënë diçka të ndryshme nga ajo që mendonim. Mësuam të mos i besonim asgjëje, të shpërfillnim njëri-tjetrin, të kujdeseshim vetëm për veten tonë. Koncepte të tilla si dashuria, miqësia, dhembshuria, përulësia apo falja e humbën thellësinë dhe dimensionin e tyre, dhe për shumë prej nesh ato përfaqësonin vetëm veçanti psikologjike, apo i ngjanin përshëndetjeve që e kishin humbur rrugën që nga kohët e lashta, paksa qesharake në epokën e kompjuterëve dhe anijeve hapësinore…”.

Prandaj, sot, nëse duam ta shpëtojmë vendin tonë, duhet të merremi me njeriun tonë dhe me dinjitetin e tij të nëpërkëmbura dhe jo me koncepte abstrakte për shtetin. Sepse, shteti para së gjithash është njeriu dhe jo kufijtë, toka, institucionet, Brukseli, Uashingtoni…
Nëse e duam një Kosovë të shëndetshme në aspektin psikik, duhet urgjent t’i qesim taksë nëpërkëmbjes së dinjitetit të njeriut. Ky është parakushti kryesor për të hyrë në portat e shtetit normal.

Please follow and like us: