Albspirit

Media/News/Publishing

Shaban Murati: 20 vjetori i Konferencës së Rambujesë

 

 

Në 6 shkurt mbushen 20 vjet nga hapja e Konferencës së parë Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje në vitin 1999. Kam botuar atë ditë shkrimin e mëposhtëm, të cilin po ua risjell lexuesve të mij. (Libri “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës”, Tiranë 2018, fq.11)

Mesazh historik i SHBA për Kosovën në prag të Rambujesë

Shaban Murati

Një ditë para Konferencës Ndërkombëtare për Kosovën, që do të mbahet me nismën e Grupit të Kontaktit në 6 shkurt 1999 në Rambuje të Francës, sekretarja amerikane e shtetit Medlin Ollbrajt në Uashington bëri një deklaratë vërtet historike. Duke iu përgjigjur një pyetje të drejtpërdrejtë lidhur me dëshirën e shqiptarëve të Kosovës për pavarësi, shefja e diplomacisë amerikane deklaroi: ”Ne nuk i kërkojmë atyre njerzve të heqin dorë nga ëndrrat e tyre”.
E shpallur në prag të Konferencës Ndërkombëtare, ku do të diskutohet dhe vendoset konkretisht rreth planit të përkohshëm trevjeçar të zgjidhjes së çeshtjes se Kosovës, deklarata e Medlin Ollbrajtit ka tonin dhe rëndësinë e një mesazhi historik për Kosovën dhe çeshtjen kombëtare shqiptare. Është një mesazh, që duhet ta kapin dhe të jenë mirënjohës të gjitha forcat politike shqiptare, në rradhë të parë në Kosovë.
Është e kuptueshme se qendrimi i qeverisë amerikane, i shprehur në këtë rast nga sekretarja e shtetit, përbën thelbin e linjës së diplomacisë amerikane për çeshtjen e Kosovës. Cilat jane elementet e rëndësishëm, që rezultojnë nga një mesazh i tillë i SHBA për Kosovën:
Së pari, që qeveria amerikane nuk e përjashton alternativën e pavarësisë së Kosovës.
Së dyti, që Konferenca Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje nuk duhet parë si refuzim i pavarësisë së Kosovës.
Së treti, se në një forme apo tjetër qeveria amerikane i njeh të drejtën shqiptarëve të Kosovës të ruajnë dhe të synojnë ëndrrën e tyre, që quhet pavarësi.
Së katërti, që marrëveshja e përkohshme trevjeçare duhet parë si një hap i madh i rëndësishëm për futjen e çeshtjes së Kosovës në rrugën e zgjidhjes dhe si një fazë drejt një shkalle më të lartë të statusit, dhe jo si fazë përfundimtare e procesit diplomatik të bisedimeve.
Së pesti, këtu kemi mesazhin se ky është një qendrim amerikan, që do të thotë se SHBA do ta mbrojnë qendrimin e tyre për Kosovën në të gjitha tratativat apo grupimet ndërkombëtare. Rëndësia e deklaratës së sekretares amerikane të shtetit del edhe me tepër në pah po ta vendosim në tërë kuadrin diplomatik ndërkombëtar të çështjes së Kosovës në prag të Konferencës së Rambujesë.
Është tepër e qartë për të gjithë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë patur qendrimin dhe veprimin më të qartë dhe më të drejtë për çeshtjen e Kosovës në tërë këta 11 muaj të konfliktit të përgjakshëm në Kosovë. Po të analizohen të gjitha mbledhjet e Grupit të Kontaktit, që nga 9 marsi i vitit të kaluar në Londër e deri tek mbledhja e fundit e të premtes së kaluar po në Londër, do të konstatohet mirkuptimi i theksuar amerikan për çeshtjen e popullit shqiptar të Kosovës.
Edhe marrëveshja e përkohshme trevjeçare për Kosovën, edhe arritja e konsensusit ndërkombëtar më së fundi që t’i jepet ultimatum Serbisë dhe Millosheviçit, janë kryesisht vepër e diplomacisë amerikane. Në të njejtën kohë Amerika sugjeroi formulën e diplomacisë ndërkombëtare për të kombinuar strategjinë diplomatike me strategjinë ushtarake, dhe sidomos për të imponuar jo vetëm ardhjen e palëve në bisedime në Rambuje, por edhe për të pranuar marrëveshjen e përkohshme të përgatitur.
Qeveria amerikane dhe në mënyrë të veçantë departamenti amerikan i shtetit kanë bërë përpjekje maksimale për t’u shpjeguar shqiptarëve thelbin e vërtetë të qendrimit dhe të alternativave amerikane për Kosovën. Dy ditë para Konferencës së Rambujesë zëdhënësi i departamentit amerikan të shtetit, Xhejms Rubin, deklaroi se marrëveshja e përkohshme trevjeçare do t’i japë Kosovës shkallën më të lartë të mundshme të vetqeverisjes. Ndërsa sekretarja amerikane e shtetit, po lidhur me këtë, shpjegoi se ”Kjo është shumë më tepër vetëqeverisje se sa shumica e njerzve mendojnë”.
Ajo, që amerikanët e kanë quajtur gjithë këto ditë të përgatitjes së Konferencës së Rambujesë si një “shans unik dhe historik për shqiptarët”, jo gjithmonë u kap siç duhet nga qarqet politike shqiptare në Kosovë. Disa politikanë, për motive të panjohura, ende pa studjuar dhe natyrisht pa kuptuar thelbin e gjërave, që janë dhe që mund të vijnë, nisën serinë e sulmeve dhe akuzave për Konferencën dhe për planin. Por është karakteristike se vetë këta politikanë nuk qenë në gjendje t’i thonin dhe t’i premtonin popullit shqiptar në Kosovë realizimin e ndonjë projekti më të mirë se sa plani aktual trevjeçar i përkohshëm për krizën në Kosovë, që do të diskutohet në Rambuje.
Disa politikanë shqiptarë nuk e kapën thelbin dhe mesazhin e qendrimit të diplomacisë amerikane dhe, për habinë më të madhe, u treguan më pak tolerantë me diplomacinë amerikane, se sa me atë ruse. Disa politikanë shqiptarë në Kosovë u morën më shumë me arithmetikën e ndarjes së numurave përbërës të delegacionit, se sa me njësimin e qendrimeve dhe me monolitizimin e kërkesave shqiptare në Kosovë.
Në një situatë të tillë, vetë sekretarja amerikane e shtetit Medlin Ollbrajt del dhe shpreh mesazhin historik të SHBA për Kosovën, në prag të Rambujesë, se shqiptarëve nuk u kërkohet nga Amerika që të heqin dorë nga ëndrra e tyre për pavarësi.
Një mesazh i tillë autoritativ nga Amerika çvleftëson çdo dyshim, që mund të përhapin në Kosovë apo jashtë saj politikanë të veçantë dhe të veckël, që mendojnë se vetëm duke kundërshtuar për hir të kundërshtimit apo për hir të ndonjë gjëje tjetër, fitojnë pikë. Mesazhi autoritativ i Amerikës është një mesazh, që i jepet drejtpërdrejtë populit shqiptar të Kosovës, që të kuptojë se ëndrra e tij për pavarësi kalon në rrugën e gjatë të procesit diplomatik të bisedimeve, nën garancinë e faktorit ndërkombëtar dhe me praninë e forcave ushtarake të NATO-s në Kosovë.
Kjo është një ndihmë e jashtëzakonisht e madhe, që i jepet Kosovës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është një ndihmë për delegacionin “pluralist” shqiptar, që shkon në Rambuje, i cili ka kështu pozicionin e fortë, të mbështetur nga shteti më i fuqishëm i botës.
Ne urojmë që delegacioni shqiptar në Rambuje të ketë thithur dhe kuptuar mesazhet e rëndësishme, që i kanë shkuar nga diplomacia amerikane. Ne urojmë që këto mesazhe të ndihmojnë delegacionin shqiptar të harrojë dasitë dhe numurat e pluralizmit në Rambuje. Përgjegjësia e tyre nuk ka të bëjë vetëm me Kosovën, por me gjithë çeshtjen shqiptare në Ballkan, gjë që don të thotë se ata kani mbi supe përgjegjësinë dhe emrin e dhjetë million shqiptarëve, që jetojnë në shtete të ndryshme të Ballkanit.

6.2.1999

Please follow and like us: