Stoltenberg: Rusia përpiqet të ndërhyjë te vendet e Ballkanit
NATO-ja tha se Rusia ka bërë përpjekje të ndërhyjë dhe të ndikojë te vendet e Ballkanit që duan t’i bashkohen aleancës ushtarake të mbrojtjes.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i bëri këto komente në një intervistë ekskluzive për Euronews-in në Bruksel.
Ai foli në ditën kur Republika e Maqedonisë së Veriut nënshkroi një pakt që do t’i hapë rrugë këtij vendi për anëtarësim në NATO.
“Rusia përpiqet të ndërhyjë, Rusia përpiqet të ndërhyjë në proceset politike në shtetet sovrane. Mendoj se një gjë e tillë është gabim”, tha Stoltenberg.
“NATO i respekton, ne i respektojmë vendimet e shteteve të pavarura sovrane, pavarësisht nëse duan të hyjnë në NATO ose nëse nuk duan të hyjnë në NATO”, shtoi ai.
“Në Shkup kemi parë se shumica në parlament, shumica e partive politike e duan anëtarësimin në NATO. Ne e mirëpresim këtë. Por në Serbi, për shembull, e kanë thënë qartë se nuk duan të hyjnë në NATO dhe ne e respektojmë këtë. Andaj, Rusia duhet t’i respektojë vendimet e marra nga kombet sovrane, edhe nëse duan të anëtarësohen në NATO, edhe nëse nuk duan”, tha shefi i NATO-s.
Stoltenberg foli edhe për largimin e Uashingtonit dhe të Moskës nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme.
Pakti, i cili, sipas SHBA-së, është shkelur nga Rusia, i ka ndaluar dy vendet të përdorin raketa me rreze të shkurtër dhe të mesme.
“Nuk duam një garë të re armësh dhe do të përpiqemi ta bindim Rusinë që të kthehet në përputhje me traktatin”, tha Stoltenberg.
“Është një periudhë gjashtëmujore derisa procesi i tërheqjes të finalizohet. Gjatë kësaj periudhe, Rusia mund të kthehet. Përgjigjet tona do të maten, ato do të jenë mbrojtëse. Ne do t’i shqyrtojmë jo vetëm pasojat ushtarake, por edhe atë se si mund të marrim iniciativa të reja mbi kontrollin e armëve. Duhet të sigurojmë që NATO – në një botë pa Traktatin e Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme dhe me më shumë raketa ruse – është në gjendje të ofrojë mbrojtje efektive”, tha Stoltenberg.
Traktati është nënshkruar në vitin 1987 nga presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Ronald Reagan, dhe udhëheqësi sovjetik, Mikhail Gorbachev.
Traktati, i cili ka eliminuar një klasë të tërë të raketave nga Evropa, konsiderohet kyç për stabilitetin strategjik mes Uashingtonit dhe Moskës.