Albspirit

Media/News/Publishing

Çitaku i kundërpërgjigjet fuqishëm Daçiqit për UÇK-në

 

Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së është duke u raportuar për Kosovën. Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, i është kundërpërgjigjur ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq.
Në raportin e tij, ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, akuzoi ish-Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), për krimet ndaj shqiptarëve dhe serbëve. Mirëpo, pas kësaj ka reaguar ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku. Ajo i ka thënë Daçiqit se e gjithë bora e din se të gjitha luftërat e ish-Jugosllavisë janë kryer në sytë e të gjithëve. “Luftërat e ish-Jugosllavisë janë kryer në sytë e të gjithëve….. dhe ka vetëm një adresë dhe ajo është Beogradi. UÇK nuk ishte kriminele, por ka qenë një forcë e cila është themeluar nga burra e gra të reja për ta luftuar Millosheviqin

___________________________________________

Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka nisur sonte seancën e rregullt në Nju Jork mbi raportin e punës së UNMIK-ut për periudhën 16 tetor 2018 deri më 15 janar 2019, të cilin e prezantoi shefi i këtij misioni, Zahir Tanin. Në këtë seancë ka folur edhe Vlora Çitaku, ambasadorja e Kosovës në SHBA. Ajo është shprehur e nderuar të jetë në dhomën e Kombeve të Bashkuara për shkak të respektit dhe vlerësimit që ka për të.

Pjesa e parë e fjalimit të Vlora Çitakut: 

“Kosova nuk është një temë e re për këtë dhomë. Për shumë njerëz në botë ishte lufta e viteve të 90-ta, ajo që e solli Kosovën në vëmendjen tuaj, por lufta nuk ishte përvojë e izoluar për popullin tim”, tha Çitaku. “Gjithësesi, vitet e gjata të shtypjes, shfrytëzimit, vitet kur neve na është mohuar e drejta jonë elementare. Nuk kemi pasur të drejtë të lexojmë e shkruajmë në shkolla, e as të këndojmë në rrugë”. “Vitet e heshtura nën zhurmën e armëve të Serbisë, vuajtje që përfunduan pikërisht kur pararendësit e juaj, të ulur këtu, para 20 viteve më dhanë zë mua dhe vendit tim”. “Vendi ynë u ngrit nga pluhuri i luftës dhe ishte pikërisht ambasada e Kombeve të Bashkuara që na ndihmoi të rritemi, kjo dhomë ka ofruar udhëzime dhe ka ndërmjetësuar debate të shëndosha për të ardhmen dhe ndërtimin e Kosovës”. “Zonja dhe zotërinj, me gjitha këto fakte dke i marrë parasysh, iu adresohem juve me korrektësi dhe nder. Dhe them, seriozisht pse jemi mbledhur këtu sot? Dhe atë, për herë të tretë brenda 4 muajsh dhe po flasim për Kosovën”. “Është e pabesueshme që ky Këshill ka mbledhur sesione më shumë për Kosovën sesa Sirinë, Jemenin ose Venezuelën”. “Kjo dhomë tashmë është shndërruar në një teatër, një vend ku Serbia i tregon prralla botës, madje të shpikura që as vet nuk iu besojnë”. “Kjo dhomë po keqpërdoret për konsum të brendshëm. UNMIK-u nuk ka rol në Kosovë, madje as mandat për ta ushtuar rolin e saj”. “Këto obsesione kanë humbur sensin. Kjo që po ndodh këtu tregon se Serbia nuk është e sinqertë. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk ishte, nuk është dhe kurrë nuk do të jetë për të drejtën e Kosovës për të ekzistuar si komb i lirë”. “11 vite më parë, mu këtë muaj, një Republikë e re lindi në Evropë dhe Kosova, as sot dhe as nesër, dhe as kurrë nuk do të negocioj shtetësinë e pavarësinë”. “Ne jemi të gatshëm për të ndërtuar marrëdhënie konstruktive si fqinj, si të barabartë, por mu këtu qëndron problemi. Serbia vazhdimisht kundërshton idenë që Kosova është e barabartë, prandaj edhe kërkojnë drama të panevojshme”. “Ata kanë një refuzim tejet këmbëngulës për tna pranuar se jemi të barabartë, por fundja është problem i tyre. Unë nuk e kuptoj pse duhet të mbledhemi kaq shpesh dhe të diskutojmë për një univers paralel që ka krijuar Serbia dhe jeton vetëm në të”.

______________________________________________________

Shefi i diplomacisë së Serbisë, Ivica Daçiq tha se vendimi i Prishtinës për vendosjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe është politik. Ai në fjalimin e tij në KS të OKB-së, tha se vendosja e kësaj takse është e ‘palogjikshme’, ndërkohë që Serbia është përmbajtur nga aktet e njëanshme për shkak të mos themelimit të asociacionit serb dhe vendimit të Kosovës rreth statutit të Trepçës. “Vendimi për taksën është i motivuar politikisht dhe ka penguar vazhdimin e dialogut. Serbia beson se dialogu është e vetmja mënyrë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura”, tha Daçiq. Duke folur për rishqyrtimin e misionit të UNMIK-ut në Kosovë, shefi i diplomacisë serbe tha se stafi i këtij misioni së fundi është reduktuar së bashku me buxhetin e tij, duke kërkuar nga vendet e OKB-së që të mos nguten me rishqyrtimin e vendimit rreth këtij misioni në Kosovë. Ai ndërkaq ka rikujtuar se kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka akuzuar UNMIK-un se po shkruan raporte të shpikura, duke akuzuar edhe BE-në se ka ngulfatur dhe mbytur procesin e dialogut. Daçiq përsëriti se Serbia është për vazhdimin e dialogut, por sipas tij kjo do të ndodhë vetëm kur Prishtina të heqë taksën. “Është koha për një paqe të qëndrueshme mes serbëve dhe shqiptarëve”, tha ai. Ai ka thënë se i mbështesin akuzat e Gjykatës Speciale dhe presim që akuzat të behën zyrtare sa më shpejtë. Shefi i diplomacisë serbe tha se Serbia ka paguar 750 milionë dollarë dhe do të paguaj edhe mbi 200 milionë dollarë në emër të borxhit që kishin marrë për Trepçën. “Ne jemi të përkushtuar në dialog, por ne këtë do ta bëjmë pas vendimit që do të marr Prishtina për heqjen e taksës. Ne i përshëndesim të gjitha shtet që kanë kërkuar heqjen e taksës, por ne kërkojmë që të bëhet më tej presion për heqjen e taksës. Ne nuk do të vazhdojmë dialogun pa hequr taksën. Ne jemi të vendosur që çështja të zgjidhet përmes dialogut, duke e ndjekur kursin e paqes dhe kërkojmë që edhe pala tjetër të përmbahet nga provokimet”.

Please follow and like us: