Albspirit

Media/News/Publishing

Gjykata urdhëron KLP: Emëro prokuror bashkëshortin e ish-ministres së PS

Një vendim i Gjykatës Administrative për bashkëshortin e deputetes së PS-së, Ermonela Felaj ka rikthyer në vëmendje një çështje të 2015-ës. Asokohe presidenti Bujar Nishani pasi kreu verifikimet e tij, e rrëzoi “me heshtje” propozimin e Prokurorit të Përgjithshëm, duke refuzuar emërimin e bashkëshortit të ish-ministres Felaj në detyrën e “prokurorit” në rrethin gjyqësor të Kukësit me arsyetimin se nuk ishte magjistrat, pra nuk kishte përfunduar shkollën e magjistraturës. Por Valikaj ngriti padi ndaj Nishanit në Gjykatën Administrative ku kërkonte “Konstatimin e paligjshmërisë së veprimit administrativ të President të Republikës; detyrimin e Presidentit te Republikës për të marrë në shqyrtim propozimin e Prokurorit të Përgjithshëm për emërimin “prokuror” të kandidaturës së Bledar Valikaj. Detyrimin për t’u shprehur në lidhje me propozimin e Prokurorit të Përgjithshëm për emërimin prokuror të kandidaturës të Bledar Valikaj”. Gjykata Administrative, në maj 2016 pranoi kërkesën e plotë të paditësit Bledar Valikaj. Por pasi ish-presidenti Nishani nuk u shpreh sërish, paditësi Valikaj iu drejtua me kërkesë Gjykatës Administrative të Apelit, në të cilën kërkon saktësimin e vendimit të shkallës së parë dhe, më konkretisht, kërkon “Detyrimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë të bëje emërimin si prokuror të paditësit Bledar Valikaj”. Ndërkohë sot Administrativja e ka hedhur poshtë vendimin e Nishanit, duke e pranuar kërkesën e Bledar Valikajt për rikthimin në detyrë. Nëpërmjet një urdhri gjykata detyron KLP-në që të emërojë prokuror bashkëshortin e ish-ministres socialiste. Por paradoksi këtu lidhet me rregullat e reja të reformës në drejtësi, pasi Kushtetuta parashikon që prokurorë mund të emërohen vetëm studentët që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës. Tashmë, pritet përgjigjja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit, për bashkëshortin e Ermonela Felajt./shqip/

Please follow and like us: