Albspirit

Media/News/Publishing

Haradinaj i jep ultimatum Ramës: Mos u përzje me punët e Kosovës!

Darka e shumëpërfolur në shtepinë e re të Hashim Thaçit duket se nuk e ka lëkundur kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai është i prerë për të mos ndryshuar kufijtë e Kosovës pavarësisht presionit që bën presidenti Thaçi dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Në një intervistë për emisionin “Pressing” në televizionin “T7”, Haradinaj zbuloi se ishte Rama ai që kishte iniciuar këtë darkë të parashikuar fillimisht në Tiranë dhe që më pas u mbajt në Prishtinë. “Ka pasur një iniciativë prej kryeministrit Edi Rama për një takim të përbashkët. Në fillim ishte ideja që takimi të ndodhte në Tiranë, por ndodhi në Prishtinë. Ka qenë një bisedë e kujdesshme. Janë të njëjtat tema që i dijmë: taksa, dialogu, opsionet e zgjidhjes finale. Këto kanë qenë bisedat por nuk ka pasur ndonjë ndryshim qëndrimesh. Ka qenë në tërësi bisedë e dinjitetshme”, – tha Haradinaj që shkoi edhe më tej me zbulimin e prapaskenave. Kreu i qeverisë së Kosovës tha se e shihte të paarsyeshëm zellin e disa politikaneve dhe gazetarëve për të ndryshuar kufijtë. “Janë këta që shkojnë dhe u ofrohen atyre në Bruksel dhe Beograd me formula. Nuk u ka thënë askush ta bëjnë. Unë vetë nuk kam marrë nga askush prej SHBA një indicie që të favorizojë një variant. Presidenti Hashim Thaçi dhe gazetari Baton Haxhiu nuk kanë arsye të na bindin se ky është opsioni i duhur. Ne nuk jemi të paditur. E shoh Baton Haxhiun të involvuar në axhendë të tejskajshme. Për të na bindur për diçka që nuk është e nevojshme. Nuk e kuptoj misionin e zotit Haxhiu që është angazhuar të na shpjegojë sa i mirë është ky, apo ai opsion. Ai është gazetar dhe mund të ketë opinionet e tij, por nuk mund të kërkojë të bindë politikanët për idetë e tij” – tha Haradinaj. Por cili është roli i Edi Ramës në këtë situatë? Haradinaj tha se Rama është angazhuar dhe e ka shprehur qëndrimin e tij në tavolinë, por duhet të ndalë lotimin pasi vendimin për kufijtë e Kosovës e marrin politikanët e Kosovës. “E respektoj mendimin e secilit. Rama le të thotë të vetat. Përgjegjësia e tij është Shqipëria. E shoh në rregull deri tani, por nuk duhet t’i japë vetes më shumë ngarkesë sa mund të mbajë. Ne jemi vetë këtu vendimmarrës” – tha prerë Haradinaj. Kryeministri i Kosovës thotë se Rama dhe Thaçi po armiqësohen me vendet kyçe të BE me qëndrimin për ndryshimin e kufijve. “Kosova dhe Shqipëria kanë nevojë të jenë të përkahur nga vendit kyçe të BE. Kemi interesa strategjike me disa vende të BE. Sot ideja e kufijve bie ndesh me interesat e këtyre vendeve. Nuk e di, a e bëjnë me vetëdije apo jo? Aktualisht lidershipi i Shqipërisë dhe Kosovës ndodhen në pozita të kundërta me atë që po mendon BE. Nëse presidenti ynë flet për kufij, kjo nuk i vjen mirë Merkelit. Vuçiçit ia kanë kundërshtuar idenë e ndryshimit të kufijve. Nëse do flasim për ndryshim kufijsh duhet me i dhënë tokë të Kosovës Serbisë dhe unë nuk kam guxim ta bëj këtë. E ka thënë qartë Kushtetuta” – tha Haradinaj.

Please follow and like us: