Historia e trishtë pas fotos së famshme të Stalinit
Fotografia e famshme e Joseph Stalinit me një vajzë të vogël që e mbante në krahë, e portretizoi atë si një lider të dashur. Mirëpo, kjo fotografi nuk pati të njëjtin impakt për vogëlushen që shfaqet në të, Engelsina Markizova, prindërit e së cilët u vranë.
Në vitin 1934, Engelsina Markizova, një vajzë sovjetike 7-vjeçare, kaloi 15 minuta me udhëheqësin sovjetik, Joseph Stalin. Ardan Markizov, babai i Engelsinës ishte një komunist i devotshëm, i cili ia vuri emrin vajzën së tij sipas Friedrich Engelsit, dhe djalin e tij e quajti Vladlen, sipas Vladimir Leninit. Markizov ishte një zyrtar i suksesshëm sovjetik. Në vitin 1936 punoi si Komisar Popullor i Bujqësisë në Republikën Autonome Sovjetike-Socialiste të Buryat-Mongol-it në Siberi. Ishte një nder i madh për Markizov që të udhëtonte në Moskë me një delegacion zyrtar të Buryat-Mongol-it, vetëm për të takuar Stalinin, por ishte vajza e tij ajo që e vodhi shfaqjen.
“Gjithashtu kam dashur të shkoj të shoh Stalinin dhe iu luta babait tim që të më marrte me vete, por ai kundërshtoi”, – kujton disa dekada më vonë Engelsina, shkurt Gelya.
“Nuk je anëtare e delegacionit, që të lejojnë të hysh” , – i thoshte babai. Nëna, megjithatë e përkrahte. Çuditërisht, doli se fëmijët u lejuan të vizitonin Kremlinin pa një leje të veçantë, kështu Markizov e mori Gelyën me vete. Në një moment, pasi u habit me fjalimet e pafundme të zyrtarëve mbi përparimin në fermat e tyre bujqësore, fëmija 7-vjeçarja vendosi të përqafonte udhëheqësin sovjetik.
“Kam marrë dy buqeta me lule dhe shkova në presidium, duke menduar që unë do t’i jap atij këto lule”, – tha Markizova. Megjithëse i habitur, Stalini dukej i lumtur, madje e mbajti Gelyan në krahë dhe e vuri në tryezën e presidiumit. Ajo i dha atij lule dhe, kur e përqafoi, gazetarët filluan të fotografonin.
“A të pëlqejnë orët?”, – e pyet Stalini vogëlushen. “Po” ishte përgjigja e vajzës, ndonëse ajo kurrë nuk kishte pasur një të tillë. Dhe udhëheqësi i dha Gelyas një orë prej ari dhe familjes së saj një gramafon. Por, ato nuk do të ishin dhurata e vetme që ajo do të merrte.
Anatoli Alay, drejtori i filmit të papërfunduar “Stalini dhe Gelya”, citon kryeredaktorin e gazetës “Pravda”, Lev Mekhlis: “Perëndia vetë na e dërgoi këtë vajzë të vogël nga Buryati. Do ta bëjmë ikonë të një fëmijërie të lumtur”. Dhe kështu ndodhi, pasi fotografia Stalinit dhe të Gelyas u botua në të gjitha gazetat dhe u quajt “Miku i fëmijëve”.
“Kur hyra në sallën e hotelit të nesërmen, dhoma ishte e mbushur me lodra dhe dhurata të tjera… dhe kur prindërit e mi dhe unë u kthyem në Ulan Ude, njerëzit më përshëndetën njëlloj sikurse më vonë do të përshëndesnin astronautët”, – kujton Markizova. Georgy Lavrov, një skulptor i famshëm, krijoi një monument për Stalinin dhe Gelyan, i cili u bë shumë popullor. Gelya ishte kudo, por jo për shumë kohë. Një vit e gjysmë më vonë, në vitin 1937, gjithçka përfundoi: Ardan Markizov, i përkushtuari komunist i cili adhuronte Stalinin, u arrestua.
“Babai ishte i sigurt se ishte një gabim dhe se ai do të kthehej”, – kujton Gelya. Por, kjo nuk ndodhi. Ai u dënua padrejtësisht për spiunazh për Japoninë dhe u qëllua në qershor të vitit 1938. Letrat e të bijës për Stalinin, ku ajo i lutej për mëshirë, nuk ndihmuan.
Udhëheqësi nuk u ndie kur jeta e Gelyas po copëtohej. Autoritetet arrestuan edhe nënën e saj Dominika dhe e dëbuan atë në Kazakistan, ku u zbulua në vitin 1938. Markizova besonte se edhe nëna e saj ishte vrarë: kreu i shërbimit sekret vendës i dërgoi një letër Lavrenty Berias, shefit të policisë sekrete të Stalinit, ku shprehte shqetësimin se Dominika mund të përpiqet të nxjerrë veten të pastër duke përdorur “lidhjen” e vajzës së saj me Stalinin.
“Me këtë kërkesë, Beria shkroi me një laps blu: Eliminoje” , – tha Gelya. Sa i përket vetë Gelyas, ajo u fshi nga raportet zyrtare. Një çështje e ndërlikuar – Stalini nuk mund të dilte në foto me “bijën e armikut të popullit”. Por, gazetat ishin botuar tashmë dhe skulpturat ishin bërë, kështu që prej nga ai moment vajza nëpër foto u quajt Mamlakat Nakhangova. Gelya Markizova u fshi.
Jetimja 9-vjeçare kishte mbërritur në Moskë, ku ka jetuar me hallën e saj, duke marrë dhe mbiemrin e saj Dorbeyeva. Për fat të mirë, autoritetet vendosën kundër eliminimit të saj. Ajo u martua dy herë dhe punoi si orientaliste e specializuar në Kamboxhia. Në vitin 2004, vetëm disa javë pasi Anatoli Alay filloi të drejtonte një film rreth saj, Engelsina vdiq. Ajo ishte 75 vjeçe.
“Vetëm pasi njerëzit filluan të kthehen nga kampet e punës dhe të vërtetat u zbulua për epokën e Stalinit, e kuptova çfarë ishte ai”, – tha ajo duke kujtuar se pavarësisht të gjithave ajo ka qarë e ka bërtitur ditën e vdekjes së Stalinit, ashtu sikurse edhe shumë sovjetikë të tjerë. Kaq shumë karizmatik kishte qenë “miku më i mirë i fëmijëve”. /Russia Beyond/Gazeta Tema/