Albspirit

Media/News/Publishing

Komploti anglez për vrasjen e Xhorxh Uashingtonit

Stephen Brumwell

Mëngjesin e 28 qershorit 1776, një turmë e madhe njerëzish, mësyu në një fushë pranë Baueri në Nju Jork, për të parë ekzekutimin me vdekje të ushtarit të ushtrisë kontinentale, Tomas Hikej. Një irlandez që kishte shërbyer fillimisht në ushtrinë britanike, përpara se ta braktiste dhe të kalonte me forcat rebele që tani po luftonte për pavarësinë, Hikej u dënua se po komplotonte trazira dhe kryengritje me “armiqtë e kolonive të Bashkuara të Amerikës”.

Në librin e tij “Komploti i parë:Komploti i fshehtë për të vrarë Xhorxh Uashingtonin”, Bred Melcer dhe Xhosh Mensh pohojnë se Hikej jo vetëm që mori pjesë në një plan për të sabotuar mbrojtjen e Nju Jorkut kur britanikët ishin të gatshëm të sulmonin, por mendoi diçka më të keqe – vrasjen e komandantit të shquar të revolucionit.

Megjithëse u harrua shpejt nga ngjarjet më të rëndësishme – Deklarata e Pavarësisë dhe humbja e Xhorxh Uashingtonit në Lartësitë Bruklin – raportet e kohës mbi “Komplotin Hikej”, tronditën mbështetësit e pavarësisë amerikane. Kirurgu ushtarak, Uilliam Eustis, e përshkroi atë si “përpjekjen më të madhe të bërë ndonjëherë kundër vendit tonë”, ndaj “njeriut më të mirë në botë”.

Sipas  Melcer, një shkrimtar thriller dhe Mensh, një regjisor dokumentaresh, reagime të tilla u justifikuan plotësisht nga një episode, që ata besonin se synonte të afronte fundin e Luftës Revolucionare, e cila sapo kishte filluar. Historia e tyre përqendrohet në pranverën dhe verën e vitit 1776, pasi Uashingtoni i dëboi britanikët nga Bostoni, dhe i transferoi trupat e tij në Nju Jork, për të pritur kundërsulmin e pashmangshëm.

Gjatë atyre muajve të tensionuar, ai u përball me sfidën e mbrojtjes së portit jetik të vendit, me një ushtri të shkatërruar nga lija dhe dizanteria, dhe të joshur nga tavernat dhe bordellot e Manhatanit. Melcer dhe Mensh, ofrojnë një perspektivë të re duke u fokusuar në ngjarjet e çuditshme dhe të habitshme që vijnë nga skemat e britanikëve, për të minuar urdhrat e Uashingtonit nga brenda dhe mbi iniciativat për të penguar përpjekjet e tilla përmes formimit të një “Komiteti Sekret”, duke përdorur metoda që përkufizojnë sot “kundërzbulimin”.

Një lojtar kyç në “Konspiracionin e Parë” është Uilliam Trion, guvernatori mbretëror i Nju Jorkut, i cili ishte zhvendosur për shkak të valës në rritje të revoltës, por që me kokëfortësi u përpoq të përmbushë detyrat e tij nga një anije tregtare e ankoruar në det.

I përkushtuar për të rivendosur autoritetin mbretëror, Trion krijoi kontakte midis simpatizantëve të kurorës (ose Lojalistëve) të cilët u grupuan në Nju Jork dhe Luginën Hadson. Në librin e Melcer dhe Mensh, ai del si një organizator dinak pas një plani kompleks për të destabilizuar revolucionin e ri duke përdorur falsifikimet, armët dhe në fund të fundit, një kryengritje të luajalistëve që të përkonte me pushtimin e parashikuar britanik.

Melcer dhe Mensh, shqyrtojnë një gamë të gjerë provash. Përfundimi i tyre se Uashingtoni ishte objektiv i një atentti, mbështetet mbi zërat e një komploti “të tmerrshëm” që nisën të qarkullojnë disa ditë përpara ekzekutimit të Hikej. Por asnjë nga të dhënat zyrtare, duke përfshirë edhe gjykimin e Hikej, nuk zbulojnë synime të tilla gjakatare.

I arrestuar fillimisht me akuzën e falsifikimit të parave, Hikej, një nga truprojat e Uashingtonit, u akuzua për përfshirjen e tij në një plan për të vrarë komandantin e ushtrisë rebele. Por ai nuk tha asgjë për vrasjen e Uashingtonit. Kur Uashingtoni ia raportoi këto zhvillime Xhon Hankok, presidentit të Kongresit, ai nuk përmendi në asnjë rast ndonjë kërcënim për jetën e tij.

Dhe ndërsa hetimet e Komitetit Sekret çuan në dhjetëra arrestime, Hikej ishte i vetmi i dyshuar që u nxorr në gjyq. Autorët thonë se tolerime të tilla të çuditshme, argumentohen me faktin se detajet e plota dhe tronditëse të komplotit u mbjatën fshehur nga udhëheqësit e Revolucionit, pasi ato do të kishin dëmtuar moralin e Ushtrisë Kontinentale në një moment krize.

Një shpjegim më i besueshëm, është se një dëshmi e zmadhuar e komplotit, u përhap për të forcuar kauzën e revolucionit. Në të njëjtën ditë kur u ekzekutua Hikej, flota britanike e pushtimit u pikas nga Long Ajlend. Ky ishte momenti për të mbledhur patriotët, kundër kundërshtarëve të tyre “tiranikë”, për të dekurajuar “armiqtë e brendshëm”, dhe për të nënvizuar rëndësinë e udhëheqjes së Uashingtonit.

Ndërkohë në Filadelfia, delegatët në Kongres kishin dëgjuar gjithashtu për “konspiracionin më më të ndyrë” që ishte gatuar në Nju Jork. Në fillim të korrikut, teksa debatonin për hapin e pakthyeshëm të shpalljes së pavarësisë, dëshmitë për një komplot të tillë, ishin një kujtesë në kohën e duhur, se deri ku mund të mbërrinte Mbreti anglez Xhorxhi III për të shtypur rebelimin kolonial.

“The Wall Street Journal” – Bota.al

Please follow and like us: