Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Berberi: Udhëtim i trishtuar, në një krahinë të lashtë!

Ne, sot nuk e dimë se si e kemi atdheun tonë, nuk jemi anës lumenjve, por shumë larg. Lumenjtë i kemi bërë HEC-e nga tërë anët, edhe disa lumenj po i thajmë, madje edhe fushat e gjëra me lule e me lisa të lartë nuk i shohim më në atdheun tonë. Ato janë djerrë, djemtë mokrarë shkojnë dhe ruajnë tufat e dhive në Greqi dhe dhia e famshme, Caporja e Mokrës nuk ka ngelur as për mostër, të gjitha malet me lisa janë duke u prerë dhe tokat janë mbjellë me hashash. Nuk këndojnë më bilbilat dhe zogjtë, por vetëm kukuvajkat në orët e vona të mbrëmjes. Nuk blegërojnë qengjat më dhe zëri i bilbilit nuk jehon nëpër livadhe dhe lugjet e verdha, por Qyqja ja ka filluar të vajtojë. Korbat krrokatin nëpër degët e trungjeve me rrënjët e kalbura në dhe hanë mbeturinat e ndonjë bagëtie që kanë shqyer ujqit.
 Vaji i Bilbilit me mall mundohet të na kujtojë, se jemi në Atdheun e transformuar si mos më keq… Ku janë ato kroje të argjendta, ku janë 2 liqenet e mrekullueshëm të Lukovës në Mokër, në afërsi të Bishnicës, nuk shkon dot sepse rrugët janë bllokuar nga persona të maskuar dhe të armatosur që ruajnë parcelat e hashashit. Mjalti i famshëm i Mokrës me nektar lulesh erëmira nëpër lugje dhe kodrina të sjell aromën e kanabisit. Bletët nuk kanë se ku të shkojnë, ato marrin nektar nga lulet e kanabisit, marijuanës. Djemtë tanë si azganë sot punojnë në vendet e huaja! Të mërguarit, vendlindjen e kanë shëmtuar: Qindra shtëpi me dru dhe oxhaqe që nuk lëshojnë tym. Shkollat janë mbyllur në shumë fshatra si në Zëmcë, Llëngë etj., sepse nuk ka fëmijë, rrallë sheh ndonjë të moshuar nëpër pragje portash, duke tymosur duhan…
Trishtimi si hije të stërzgjatura që mbulojnë atë mjedis të zymtë, me shtëpi të ndërtuara me gurë dhe të mbuluara me rrasa guri qëndrojnë si shkëmbinj të latuar nga erërat e forta në Mokër. Udhëheqësit tanë nuk çajnë kokë dhe ditë më ditë nga injoranca e tyre zhvillohen karvanët e mërgimtarëve, se në atdhe nuk ka bukë për gjithë ne. Këta politikanë hajdutë na e morën në qafë Atdheun, duke na e mbytur shpresën, ditë pas dite zgjaten hijet dhe trishtimi mbi nurin e Atdheut.
Një kontradiktë e thellë midis një administrate të paaftë dhe mediokre dhe një niveli të lartë të intelektualëve shqiptarë, të cilët përpëliten që të sjellin diçka progresive atdheut, por nuk i lenë mediokrit e administratës. A do të vijnë në pushtet burra të ndershëm që ta drejtojnë Atdheun, ne presim që të dalë tymi nga Oxhaqet, e dasmat të fillojnë me zërin e Gajdes e Lahutës dhe shkollat të rimbushen me fëmijë. Të korruptuarit shesin hekurin e Mokrës drejt furrnaltave të Kavardacit në Maqedoni. Një fjalë e urtë në Mokër thuhet “Debrova e bën Romën, ndërsa Roma nuk e bën dot Debrovën…”. Këtë thesar të rezervave shtetërore për “rast lufte”, që ruheshin që në kohën e diktaturës në vitet ’50, ky hekuri i cilësisë së lartë ndodhet nëpër kodra të mëdha. Me hekur ngarkohen në kamionë dhe shkojnë drejt furnalatve të Maqedonisë në Kavardac. Me këtë hekur të cilësisë së larët po mbushin xhepat e kontrabandistëve. Banorët e varfër të Mokrës në këto fshatra gëlltitin urinë, pasi jetojnë mbi pasuri përrallore, ata janë mes skamjes, urisë dhe pasigurisë së jetës. Sepse ata janë injoruar nga pushtetarët që iu grabitin pasuritë e tyre. Nuk kemi se çfarë t’ju bëjmë,- thotë një i moshuar, duhet të funksionojë shteti, përndryshe këto shushunja do të na pinë gjakun… e vetmja gjë që mund t`i driskeditojmë është t’ua bojkotojnë dasmat e varrimet e familjeve të tyre, t’i lemë në vetminë e tyre dhe të fryhen me para, por paratë para nderit dhe dinjitetit nuk kanë asnjë vlerë… Këta qenkan pa cipë, po ku kanë cipë ata që t’iu plasi!?
Please follow and like us: