Albspirit

Media/News/Publishing

Gaqo Bicolli: Nga torturat në hetuesi pësova krizë mendore

Dëshmia e njeriut që kaloi pothuaj gjithë jetën në internim e burg. “Ditën që i thanë se u dënova, nëna nuk e gdhiu ditën. Mbeta vetëm”. Si i nxori Sigurimi i Shtetit fëmijët në mes të natës nga shtëpia vetëm me rrobat e trupit se ishin tregtarë.

Gaqo Bicolli, ish-i dënuar politik rrëfen persekutimet që i janë bërë atij dhe familjes së tij, duke filluar nga pushkatimet deri te vdekja e nënës, pasi mori vesh lajmin se i biri ishte dënuar me burgim. Bicolli iu përket atyre familjeve me traditë qytetare shqiptare korçare, i lindur në fshatin Terovë të Korçës, dhe ka përjetuar që në fëmijëri tmerret e regjimit komunist.

Pasi kaloi një fëmijëri dhe rini të vështirë për shkak të internimeve regjimi ia përgatiti kurthin dhe e dënoi me burg. Gjykata Ushtarake e Rrethit të Tiranës e dënoi për «tradhti ndaj atdheut» dhe «agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor» me 15 vjet heqje lirie.

Gjatë rrëfimit të tij për Kujto.al, ai tregon me detaje hetuesinë e tmerrshme, ku nga torturat e shumta, ai pati dhe probleme mendore.

Dëshmia e plotë:

“Kam lindur në 13 maj të vitit 1929 edhe fëmijërinë e kam kaluar këtu, paçka se ne kemi patur edhe toka në fshat. Kemi patur edhe një farë pasurie atje. Babai rrinte këtu, punonte, bënte një tregti, kishte një farë agjencie siç e quanin ata. Kishte tre makina, me këto tre makina, bënte tregti. Tregtia që bënte ishte e zakonshme… llogarite, me ato makinat e asaj kohe. Megjithatë, u quajt një tregtar shumë i pasur. Kur erdhi puna, pas ‘44 që filloi kalvari komunist, në tatimet e para, e kishte emrin te të dalluarit me 2 milionë e ca franga, se me franga ishte atëherë. Ne mbajmë mend vetëm një diçka nga jeta jonë, që ishim në një familje të mirë, të pasur, në një gjendje tamam, siç mund t’i takonte një familjeje të mirë në qytet. Erdhi momenti që ne këto i filluam me një rrëshqitje shumë të rëndë. Në vitin 1946, në tatimin e parë, e arrestuan babanë edhe i kërkonin paranë. Në prill të ’46, ne ishim të gjithë të vegjël. Vinte financa me 5-6 veta edhe konfiskonin të gjithë pasurinë që kishim në shtëpi. Bënë një inventar. Duke filluar që nga ora 12:00 e deri në orën 9:30 të darkës, bënë inventarin e plaçkave, ato që dinin ata, me detaje. Kur erdhi puna, ata e mbyllën shtëpinë dhe ne na nxorën jashtë, pa na lënë të marrim asnjë rrobë me vete, vetëm rrobat e trupit. Kemi ngelur jashtë se na mbyllën derën. Në atë kohë, s’e dinte njeri që ne na kishin nxjerrë jashtë dhe mbetëm te dera e shtëpisë. Nuk dinim ku të shkonim. U mblodhëm të gjithë, na mori mamaja edhe na mbante afër. Rrinim pas saj, nuk dinim ç’të bënim. Unë isha më i madhi, 16 vjeç. Mirëpo, në të gdhirë, një kushërira jonë që banonte aty afër, doli në mëngjes të fshijë oborrin, siç bënin gratë e Korçës që në mëngjes, që dilnin e fshinin. Na shikon ne te dera në të mbledhur të gjithë. Çfarë ka ndodhur? –tha. Kështu, kështu i thamë. Na kanë nxjerrë jashtë dhe na i mbyllën shtëpinë. Na mori ajo në shtëpi, na futi brenda, na shtriu në një korridor të saj, na shtroi rroba, disa nga ato që kishte mundësi, që ne të shtriheshim atje e të qetësoheshim. Por ne nuk na zinte gjumi, nga ajo tronditje aq e madhe. Sikur na erdhi një bombë që nuk e morëm vesh se çfarë ishte kjo për ne. Kështu e kemi kaluar me rrëmujë, duke kaluar sa në një kushëri, në një tjetër. Më në fund, u përmend gjyshja jonë, meqë kishte vetëm djalin, erdhi na mori në shtëpinë e saj. U futëm në shtëpinë e saj, mirëpo as atje nuk na lanë shumë gjatë, për arsye se kishin filluar që këto familjet e këtyre tregtarëve, i nxirrnin nga shtëpitë e tyre dhe i çonin ku iu desh qejfi atyre.

Në fund të ’50, e arrestuan babanë, bashkë me një grup tjetër të kësaj natyre si babai, duke e akuzuar se ka kryer krime të rënda kundra shtetit. Vazhdoi kalvari i këtyre në hetuesi. Çfarë përdorën në hetuesi, si e përdorën, unë nuk e di. S’kemi ndonjë të dhënë, se nuk tregonin ata. Në fund të vitit ‘51 kur u bë gjyqi, babanë tim e dënuan me vdekje. Në tetor, e pushkatuan. Erdhën na lajmëruan ne, që ka vdekur, jo se e kishin pushkatuar. Na erdhi një polic edhe vetëm me këtë fjalë na u paraqit. Mirëpo, nga t’ia mbanim ne, se ishte një vdekje bombë për ne. Ne po prisnim që ai të dënohej, jo që ta pushkatonin. Vetëm kaq morëm vesh ne. Babi u pushkatua dhe vetëm atë fjalë kemi marrë ne të dhënë, që ai vdiq. Më tepër se kaq… nuk na i dhanë as trupin, që kemi bërë edhe kërkesa dhe në asnjë mënyrë, nuk na është dhënë ndonjë përgjigje që ku është varri i babait, ose ku është varrosur, që ta dimë. Pas pushkatimit të babit, filluan peripecitë më të rënda me të cilat mund të përballeshim ne fëmijët e tij, që s’e dinim ç’ishte vuajtja dhe s’e dinim se ç’ishin këto ngatërresa. As ne nuk dinim se çfarë na kërkonin. Unë vazhdoja shkollën, vëllai i vogël e la shkollën, se duhet të futej një njeri në punë. Hyri në punë ai dhe këto tre muaj, unë thashë do bëj si do bëj, do e mbaroj shkollën. Pas mbarimit të shkollës, të punojmë të dy. Mirëpo, unë nuk vazhdova shumë. Një ditë, në shkurt të vitit ’52, që isha gati në mbarim të shkollës, u mblodh shkolla shpejt e shpejt, hajde më thanë mua, se të kërkojnë. Unë nuk mora vesh gjë, s’e dija kush më kërkonte. Kishte dalë sekretarja e partisë edhe më thërriste: Gaqo Bicolli, i biri i armikut, një familje e shkatërruar, – s’lanë gjë pa thënë aty. Përjashtohet nga të gjitha shkollat e Shqipërisë. Vajta në bankë, nuk mbaj mend, m’i dhanë librat a i mora vetë, se m’u prish mendja. Ika në shtëpi, ndenja nja 4-5 muaj. Vëllai kishte filluar punën, vajta dhe unë të punoj. Më pranuan dhe mua të punoj. Në ndërtim punuam të dy. Aty filloi përndjekja e të dyve, na pushuan nga puna në një ditë. Drejtori i ndërmarrjes, Raqi Katra na pushoi të dyve nga puna. Në dhjetor, na mobilizuan në ushtri. Të gjithë bënin ushtri nga 6 muaj. Ne u futëm në dhjetor dhe u liruam në shkurt të vitit ‘55. Nga ’52, në ‘55 jemi liruar. Një gjë s’kuptoj përveç këtyre… po armë dhe rroba ushtarake nuk pamë asnjëherë te ne. Na dhanë një palë kominoshe, një palë opinga, pastaj më vonë na dhanë rroba verore. Unë s’e marr vesh… atje ku na mobilizuan, ku vajtëm, atje ishte puna me bilbil. Në orën 5 të mëngjesit binte bilbili. Do shkoje, do merrje lopatat e do shkoje në punë. Punë krahu, jo në punë dokudo. Ngritëm Rrapin e treshit në Tiranë. E kryem dhe të drejtën ushtarake. Ishte gjë e rëndë në fakt, e quajtën ushtri, por ajo ishte një skllavëri e re që kishin përgatitur për ne, meqë hynim në kategorinë e njerëzve më të rrezikshëm, sipas komunistëve. Emrat tanë kudo ishin të regjistruar si në ushtri. Ushtarë na thirrën ne, po ne nuk e morëm vesh ku ishte ushtria. Armë s’pamë, ndonjë vend luftarak jo, që të bënim ndonjë stërvitje. Ne pamë vetëm kazmën dhe lopatën. Mësuam zanat atje të paktën. Pse na quajtën ushtarë, të na quanin skllevër… këtë s’e kuptoj unë.

Ku ishit në momentin e arrestimit?

Kjo është më e bukura… Ne ishim në listë, se skuadra që punonte me mua dhe unë që punoja me ta, ishim të gjithë të një kategorie. Fëmijët që punonin atje, ishin djem tregtarësh, djem pasanikësh. Kur më arrestuan, ne po bënim konviktin e shkollës Pedagogjike, këtu në Korçë. Në ’60, morën dy të parët, se i kishin planifikuar nga dy nga dy t’i arrestonin. Në janar, siç shkonim në punë, hëngrëm dhe drekë, se e kishim shtëpinë afër. Takoj unë atë shokun tim edhe i them: Çfarë janë këto makina që po na ndjekin mbrapa? E mo, do ketë ardhur ndonjë delegacion, – tha ai i gjori. I thashë unë: Po nga vijnë, nga Kina? Këtej është Greqia, nuk vijnë këtej. Kanë punën tyre… e kur u afruam atje, sa shkuam, ato makina siç ishin lartë, një të ardhur poshtë te ne. Na erdhën, i them shokut. Jo tha, nuk vinë për ne ata. Hyni brenda, tha. Mua më futën në dhomën e parë, atë në të dytën. Jeni të arrestuar. Në momentin që hymë në degë, po na hiqnin rripin, këpucët. Sa hymë ne atje, e bëri shënim ai, që keni këto plaçka, më thotë: Tani 15-shi të pret ty. Unë mbeta… çfarë po më thotë kështu?! Ku dinim ne nga këto. Më thotë një 15-vjeçar: E ke të mirë ti këtu, prandaj sillu mirë.

Çfarë kërkonin ata?

Në muajt e parë, qenë të zgjidhura këto probleme. Unë i thashë: Unë jam kundërshtar, e pranova. S’ka se si të jem me ju, kur ju këtë, këtë na i morët.

Akuza për çfarë ishte?

Agjitacion e propagandë dhe arratisje.

Në hetuesi si ju trajtuan?

Në fillim, na zbutën. Ne e pranuam që ishim kundërshtarë. Këta kërkonin gjëra të tjera. Veç kësaj, thoshte, keni bërë sabotime. Për këto sabotimet, s’i morëm vesh ne për çfarë ishin këto. Fillonin të na merrnin në orën 10 të darkës. Hetuesi, bashkë me një oficer kufiri, vinte i pirë dhe kusur s’na linte, rrënjë e degë na shante. Pastaj, me shkelma na bënte copë. Kjo hetuesia e këtij vajti 10 ditë, në mëngjes e në darkë. Mirëpo, pësova një tronditje pastaj, se hetuesia u bë shumë e rëndë dhe kërkonin gjëra që as nuk na shkonte në mendje ndonjëherë. Të tërë keni sabotuar. A mund të sabotoje në ndërtim? Ngarkesa e natës ishte shumë e madhe, të mbanin lidhur ata edhe sa t’u hante dora dhe këmba, të bënin copa. Pësova një lajthitje, më lanë ca kohë, thirrën doktorin. Nuk ngrihesha dot edhe nga mendja filloi lajthitja, flisja me veten. Thirrën doktorin atje. Kur shikoj, doktor Lonka, kemi qenë nxënës bashkë në një klasë. U Gaqo ti qenke? Po, unë jam, i thashë. Çfarë ke? As unë s’e marr vesh, i thashë. I tregova: Kam marrje mendsh, dhimbje koke. I tha oficerit ky: Ky do e bën. Iku ai. Unë sa vija e nuk përmirësohesha, u rëndua më tepër gjendja. Mirëpo, për fat, një ditë, një oficer roje, Pandi Beta, që kemi qenë bashkë nxënës në një klasë edhe ky. Më thotë: Ti këtu, edhe thirri atë oficerin roje. Çfarë? – i tha ai, e dëgjova unë. Një t’i rënë bilbilit ai edhe ma solli doktorin. Doktori që erdhi, ishte Baba Aliu edhe tha: Ç’ka djali? Unë i ngrita duart edhe nuk i thashë gjë, vetëm i ngrita duart. Më mori, më vizitoi. Ai lëshoi një deklaratë të mirë, më dha dhe ilaçe. Ai i pari tha: “Do e bën”, kurse ky më dha ilaçe. Pandi, oficeri roje tha t’i pija ilaçet. Fillova t’i pija që atë natë, edhe sikur u përmenda. E kështu, e mora ca veten. Hetuesia pastaj, nuk më thërriste më natën, vetëm ditën. Kështu vazhdonte, siç kishin qejf ata. Donin të më bënin armik me zor. Po unë nuk jam armik, i thashë, pse më bëni me zor?

Sa ju dënuan?

Unë u dënova 15 vjet burg, edhe Xhevdeti 15 vjet, se ishim të dy grup ne, se kishim biseduar për të ikur.

Pas vendimit, ku ju dërguan?

Na sollën në burgun e Tiranës. Pastaj, nga burgu i Tiranës, ngaqë i duheshin fuqi punëtore, i merrnin gati dhe i çonin nëpër kampe. Më erdhi radha mua, më dërgojnë në kamp në Laç, në ndërtimin e qytetit të Laçit. Ata ishin në përfundim, megjithatë, meqë unë isha specialist, ne na njihnin ata, na dilnin te ministria emrat, që kanë arrestuar grupin e karpentierëve. Ishte grupi më i mirë atëherë në Korçë. Ata kishin nevojë për kuadro të kësaj kategorie. Jo karpentier sa për të kaluar radhën, e qëndisnim gjënë. Megjithatë, sa vajta atje, më thanë: Ke një brigadë, edhe thashë: Nuk jam në gjendje për brigadë, do punoj me shokët. Fatkeqësia më e madhe është se në ditën që jam dënuar unë, shkojnë edhe i thonë mamasë: Ta kanë dënuar djalin me 15 vjet burg. Të nesërmen nuk u gdhi më ajo, vdiq dhe unë mbeta vetëm, hiç asnjë. Babai vdiq, nëna po ashtu, vëllezërit, njëri u martua, jetonte më vete. Vetëm ai i vogli ishte me mua. Në shtëpinë tonë, atë ditë që na kanë lajmëruar për vrasjen e babait, nuk ka shkelur më asnjë në shtëpinë tonë, as i vëllai nuk i erdhi babait. Pse? Se i vëllai kishte marrë të motrën e Ilo Dekes dhe Marko Dekes. Edhe ata e morën dhe izoluan në një shtëpi më vete, që mos të kishte më marrëdhënie me ne. Me përjashtim të tetos dhe disa kushërinjve të parë që kishte në fshat, tjetër njeri nuk shkeli në shtëpinë tonë. E kemi kaluar vetë…

Please follow and like us: