Albspirit

Media/News/Publishing

Izet SHEHU: MIDIS ËNDRRAVE

 

Shoh me mijëra ëndrra para,
Lè me mijëra ëndrra prapa.
Midis tyre paq u vara,
Fët një fije bari kapa.

Edhe thirra:
Ja shpëtimi!
U rrëqeth fija e barit.
Si feniks brofur prej hirit
Krahët rrahu shpend i mallit.

S’gjen qetësi kjo bot’ e rreme.
Dimrit ngrica,
Verës vapë.
Fija e barit – blerim shprese
Midis ëndrrave u shtang.

​* * *
Midis ëndrrave vrapoja,
Midis mjegullave pafund.
Ujk i zi që nga zgërbonja
Doli edhe bishtin tund.

S’di në ballë të shpurës isha,
A në fund, mirë s’e di,
Pyll i tërë mbushur me bisha,
Pllaj’ e tërë plot me gjarpërinj.

Po nga vija?
Po nga shkoja?
Pse vrapoja si i marrë?
Mbi një trung klithte shqiponja,
Qyqja qante mbi një varr.

Si u ndodha atypari?
Si e si, bëja çudi.
Veç vrapoja rrëzë një mali
Midis ëndrrave mavi.

Please follow and like us: