Albspirit

Media/News/Publishing

Një libër poetiko-filozofiko-social i Nikolin Gurakuqit

 

Albert Z. ZHOLI

 

Libri i ri  me poezi “Nëse …A e di ?!”, i autorit Nikolin Gurakuqit, vjen pas 3 botimesh cilësorë që ky poet modern ka sjellë tek lexuesi për afro 6- vjet. Duke shfletuar librin e ri, them me ndërgjegje të plotë, se pashë një Nikolin të ri, me një poezi moderne, me një poezi bashkëkokohore, me një ndërthurje tematikash interesante, me një ndërthurje idesh plot vizion, me një ndërthurje mendimesh në evolucion, me një ndërthurje  ndjenjash të pleksura ku optimizmi dhe pesimizmi kundërshtojnë njëra-tjetrën dhe njeriu gjen rrugët e zgjidhjes në jetë. Në tërë kohështrirjen e tyre, poezitë janë paraqitur pa ndarje tematike, por sipas ditës së ngjarjes, frymëzimit të çastit sipas një kronologjie vjetore që poetin e ka ngacmuar ideja, fabula, gjetja e veçantë artistike. Në kontekstin letraro-artistik, poezitë janë renditur mjaftë mirë, vlera estetike e tyre nga poezia në poezi shënon ngritje. Gjithë libri frymohet nga përpjekja e çiltër për të sjellë para lexuesit një varg, një strofë, një ngjarje, një fabul, një ide të besueshme tërësisht dhe të ngritur në art mjeshtërisht. Këto cilësi i bëjnë poezitë e autorit më transparente dhe të tejdukshme. Ky vëllim poetik dhe pse nuk ka një ndarje sistematike kapitujsh, nëse e studion me kujdes përcjell benda teje tre kategori poezish. E para janë poezitë lirike, e dyta poezitë filozofike dhe e treta poezitë social-politike. Poezitë për nga koncepti tematik janë nuancime të larmishme, që pasqyrojnë përjetimin real, i cili mund të interpretohet edhe si një ofshamë e thellë që del nga gjoksi i poetit për çdo ngjarje, për çdo fenomen negativ, për çdo situatë politike që cenon interesat e shoqërisë shqiptare dhe më tej. Në poezitë lirike si gjini e mirëfilltë letrare, autori herë i përmbahet traditës, herë shpërthen në mënyrë individuale si një intelektual me botë të madhe njohurish duke shpalosur ndjesi të veçanta që atë e ngacmojnë. Ndryshe nga autorët e parë që lëvruan poezinë lirike shqipe e cila vinte nga një traditë gojore shekullore dhe shërbeu si gur themeli në letërsinë tonë, autori në lirikat e tij më shumë bazohet tek vargu modern, tek abstraksioni mendimit, tek e panjohura jetësore, tek zhbirimi substancial i idesë.  Dhe pse njeh shumë mirë fillesat e dokumentimit të poezisë së hershme që fillon me Mesharin e Buzukut (1555), vjershat e Budit e Bogdanit ku spikati lirizmi tardicional, autori i kapërxen këta kufij duke e ndërthurur poezinë e tyre me zhvillimet kohore, me kërkesat kohore, me prurjet e reja në poezinë abstraksioniste si një detyrim i ri qytetarie. Thënë thjeshtë, lirikat e Nikolinit shënojnë një qasje të dukshme ndaj poetikave moderne pasi vihen re tipare e procedime stilistike të simbolizmit, formalizmit tipare të pranishme në krijimtarinë lirike të këtyre viteve të fundit.

Poezia filozofike

Poezia filozofike është një tipar tjetër i këtij vëllimi poetik. Ndoshta duke njohur mirë poetin tonë të parë filozof, Naim Frashërin, autori ka shkruar  një numër të dukshëm poezish filozofike, të cilat tregojnë botën e tij të madhe intelektuale, njohjen e ideve të filozofëve të mëdhenj botëror, pasi shtjellon natyrshëm në poezi ligjet e natyrës, Në këto poezi autori tregon se ç’është natyra, cilat janë ligjet e saj dhe pse duhen respektuar. Pse filozofia është udhëheqëse në përditshmëri. A ka fund natyra dhe a përjashtohen në raste të veçanta ligjet e saj? Pyetje dhe përgjigje,  Këtë etje për dije për të përsiatur për gjithçka dhe për të nxjerrë konkluzione jetësore të dobishme, poeti e shpreh më shumë vargje.

Poezia social-politike

Motivi social në letërsinë shqiptare në përgjithësi është rrahur fort mirë edhe nga poetë të tjerë nga e gjithë gjeografia shqiptare, duke filluar nëpër kohë më të largëta e që lanë gjurmë të pashlyeshme në letërsinë shqiptare. Kështu, Migjeni në poezitë e tij dhe në tregimet e skicat temë kryesore ka pasur mjerimin dhe rastet sociale të asaj kohe, të cilat mjeshtërisht i ka vargëzuar gjithnjë i censuruar nga pushteti i asaj kohe, por që ato shkrime të karakterit social mbeten vulë e kohës dhe një lidhshmëri ndërmjet kohëve dhe gjeneratave të poetëve nëpër kohë. Në Kosovë nuk mund të mos e përmendim pionierin Esad Mekulin, i cili po ashtu në shkrimet e tij poetike e ka trajtuar bukur mirë brengën dhe problemin social të shqiptarëve të Kosovës, të cilët shkonin nëpër vende të ndryshme për ta siguruar kafshatën e bukës, madje edhe si sharrëxhinj nëpër Beograd. Nikolini na prezantohet me disa poezi në të cilat e rreh mjaft mirë motivin social dhe politik të shoqërisë shqiptare. Në libër autori me vargje na paraqitet me sfidat e shqiptarëve për të siguruar kafshatën e bukës, të cilët, përpos rreziqeve të shumta, përsëri janë të detyruar të punonjnë jashtë atdheut në mërgim por edhe në Shqipëri me pagesë në kushtet e egzistencës. Autori tregon se të gjitha prapësitë, problemet sociale, vijnë nga politika e mbrapshtë shqiptare, nga politikanët arrogantë dhe prepotentë, nga deputetët të cilët nuk janë lidhur me popullin, me hallet e tyre. Vuatjet e shqiptarëve në atdheun amë vijnë nga korrupsioni galopant, nga vjedhja e pabesueshme e bankës në mes të ditës, nga egërsia mes tyre e partive politike. Duket se në këto raste autori luan në mënyrë të pavetëdijshme rolin e një analisti, të një analisti të pavarur dhe pa asnjë ndikim politik. Pra libri i ri i Nikolinit është një qasje e re në poezinë shqiptare ku ai në çdo hap të jetëës shikon, vëzhgon problemet, anët e erëta të shoqërisë, shikon fenoment negative të shoqërisë dhe i kritikon ato dhe bën thirrje për zgjim qytetar. Por ajo që dua të veçoj dhe që vet lexuesit do ti bjerë në sy menjëherë është dashuria e pafund e autorit për detin. Deti për të është frymëzim, është ngasje, antistres, magji, relaks, bota e ëndrrave, tundimi i çdo kohshëm, parajsa  që nxit dëshira. Figurat letrare si krahasimi, metafora, në këto poezi kanë marë njgyrat më të bukura artistike dhe estetike. Ja si i dejtohet poeti detit:

‘”O det kaltërosh prilli,

që në pamje dukesh i qetë,

nën zë një këngë këndon,

nëpër dhëmbë i trishtuar murmuron!

Të dielave, kur njerëzit Uik- ende përtypin,

një këngë e lashtë dhe e lagësht

nga shpirti yt buron.

Po sa i bukur je o det edhe pa tualet!

Sykaltër, vetullshkruar, buzët pa botoks!

Flokët krela-krela krehur si Poseidoni,

të varen hijshëm

mbi trupin tënd lakuriq…”.

Please follow and like us: