Albspirit

Media/News/Publishing

Emil Asdurian: AJO MË E DASHURUARA

(pse jo më e dashura)

Përse vallë e kish pikturuar të tillë, me një flamur që duhej të ish më i rëndë se ato llërë të brishta, mbi kokën e kthye më nj’ane, në sulm thërriste ata që i vinin pas dhe gjoksin e zbuluar hapur për bajoneta, nën këmbët vdekja përkulej e në heshtje vdiste prapë. Tym, zjarr e gjak në një simbol dhembjeje, pa fitore dhe ngadhnjim.
Une dhe ndoshta Nitzce, do ta kishim bërë ndryshe dhe natyrisht jo mbi një telajo ngjyrash. Përse e zhveshur për gjysëm? Pse s’e kish hequr petkun e florinjtë apo në hovin e betejës e kish harruar të shpërthente e patrembur? Se nuk qe se francezet kishin turp! Pra diç ish qe s’kish arritur ta thoshte as lëvizja e ngrirë, as forma e ëmbël gruaje ndjellëse, se në fakt ishte dhe ajo valë që bie të shpërthejë mbi trupa të pafrymë, gri, të verdhë me një nuancë të gjelbërt në mavi ngrirë, të gjithë të rinj. Ta mendosh hollë duhet të ishte e kundërta: do të duhej të shtrirët të ngriheshin rreth saj dhe ata heroikisht me pushkë nën këmbë e në baltë. Se do ishin të rinjtë që do ta humbnin të parët, pa e kuptuar se më shumë se çdokush nuk do të ish Puna, me trysninë e rëndë të mbijetesës në një treg pylli a stepe të egër, që çuditërisht vetëm ata të marrë që ëndërruan një utopi shoqërie e ndjenë se vargonjtë s’ishin vetëm nga jashtë, por Zot, në thellësinë e një shpirti. Dhe zhurma, ku ish ai tingëllim tamburësh në atë heshtje, në atë pozë statujë që mezi priste të ish “shpirt i lojes krijuese”a.

Si mundet të rrëzohet shpirti, kur gjithë njerëzimi e menduan të ngrihej lart drejt qiejve, për t’i dërguar të digjeshin në trupa të tjerë të parëndësishëm, si Odiseu, të ecnin më këmbë kryelartë. A mund të ish ajo duke parë me sy mbrapa a në anë, për thirrje dhe jo përpara? A ish kjo një shenjë, që dhe pse qysh ndër shekuj të lashtë e menduam të lidhur me zinxhirë a litarë, a në mure ngujuar me një gji jashtë, (kush do ta mendonte si gur në mur, veç ata më të lirët, se i vërtetë je kur asaj Çirçe të mallkuar i shpëton me urti e forcë shpirti. A duhet të jetë ajo e bukur, e butë, e egër, e ëmbël, e ndjeshme, e përkryer, perëndeshë? Kur askush nga të lashtët e parë s’e panë si Hyjni, veç disa patricë romakë, diademë i vunë kurorë kur e derdhën ne një monedhë dinari. Ajo, si Drejtësia ish lloj i veçantë. Më vonë, me plisin frigjian, që skllevërit e thurrën me ëndërra, diku e rrëmbyen nga ai gadishull i lashtë tepër i vjetër. Dhe me dritë, flakadan, se ç’tjetër mund të ish në atë errësirë vetje, ku as ajo s’kish hyrë ende dot. Që kur në një pellg a akull të ngrirë veten pa dhe u mahnit, për bukurinë e saj dhe e pëlqeu çmëndurisht. A për ta mbrojtur, nga të tjerët u var i robëruar të jetojë dhe pak më shumë, të shpëtojë, nga ajo ndjenjë humbje, i mbijetuar. Çliruar nga një Kontratë marrëdhënie ndërvarësie megjithëpërreth dhe unin e tij. Burgosur dyfish.

Sheshi. Sheshet si fusha beteje shtrirë si një njollë e gjërë në zemër të qytetit në kohët e reja, ashtu si katedralet e mëdha, ishin krijuar të zvogëlonin, grimconin individin apo çfarëdo grupi. Nën kubenë e kthjellët, qielli, shtypte me një ndjenjë frike dhe pafuqie këdo dhe çdo gjë brenda saj. Kolonat sado të veçuara a një dhëmb minareje s’bënin tjetër veç përkuleshin nën peshën e saj. Ndaj sheshet gëzueshëm kërkonin njerëz dhe trishtimi shi të rrëshqiste e të derdhej diku gjetkë. Dhe sa më të vegjël bëheshin ata në një shoqëri, tashmë pa gardhe e sinore, pa mure ndarëse, (disa ende i kishin, disa ndërtonin të rinj), aq më i madh bëhej sheshi të tregonte parëndësinë vdektare, i trembur për vdekje sidomos nga njemendësia e tyre. Dhe ish këtu ku tradhëtisht ndërhynin rrugët, parqet si arna mbi petk dhe shtatoret mbi gurë të mëdhenj kështjelle që mundoheshin t’u merrnin mendjen, me një fytyrë të veçantë kombësie. I gjithi ish ideuar i tillë, i madh, plloçak, qysh nga rrethimi i parë.
Tani që fushata kish mbaruar, ose më mirë per t’u mos shkruar si humbje, kur dihej se fajtor qe dimri në këtë humbëtirë korbash, se ndryshe do të bënte kërdi më shumë seç bëri, nëse do të qëndronin aty. Si ndihmës kronikan i devotshëm nga dera e fisme e Qypajve, kish filluar të mblidhte dhe vinte sipas radhës dorëshkrimet e kopjuara nga zoti i tij, i cili u nis për t’u kthyer, me detyrën të mblidhte fjalët pakuptim të grahmave të fundme. Ndërsa ai, shërbëtor i përunjur do të nisej ndoshta andej me ndonjë karvan nga mesi i tërheqjes me ato pak trofe të luftës. Dhe tenda e lagur dhe ajri i lagësht brenda saj me boshllëkun e humbjes e bënin të vështirë përqëndrimin në detyrë, por dhe dalja jashtë në baltë, sillte avaze të tjera të mundimshme, ndaj herë pas here pinte çaj, që nga të zierit e shumtë ish i hollë si ujë.

Kush mund të varroste një shesh lufte më shumë se balta? Malet, kishin vënë plisat mbi kokë dhe vëngër i shikonin tek iknin. Daullet e dimrit po binin! Dhe fati i të mundurve dihej, se ç’tjetër ish zbythja dhe atij s’i duhej gjë tjetër veç të mblidhte gjurmët e saj të mbetura, të ndërtonin një histori të re. Ndoshta jo për herë të parë, jo atë të fitimtarëve, por të humbësve të mëdhenj!

Bukuria ka vlerë dhe në vdekje. Këngë u patën kënduar herojve, që në litar vanë të krehur, kaçurrelat mënjanë dhe mustaqet kaleshe, sa dhe ata bashkëkohës, si Merimangburri, apo Kapiteni e gjithëtjerë janë të bukur, me maska dhe pa to, të verbër dhe pa, me rrecka janë të bukur. Ndaj, në një fare mënyre, dhe fotot mbi gurë varresh nuk janë ato shpirt-thithur e vyshkur nga koha, por diku të një moshe të fisme. Ndaj do të ishte, ishte më mirë, që lëvizjet të vdisnin të reja. Në fëmijërinë dhe rininë e tyre. Aq më tepër që askush s’merret t’i varrosë, ato vdesin të reja për t’u lindur përsëri, rishtazi. Me të njëjtin ngazëllim çelje, bulëzim e shpërthim sythi. Lëvizjet lindnin në mendjet e njerëzve dhe s’ka asnjë dyshim për këtë, me arsye nga më të ndryshmet, tarifash, apo gjoba të tërthorta taksash a ndoshta dhe vetëm për një grua, gjoksin e saj të bukur, siç bëri Minella, burri i Helenës, që nuk harronte ta përkëdhelte kohë e pa kohë dhe ajo prapë se prapë i iku me një birbo, djalkë, që s’qe as burrë. Dhe kur i fusin nën dhe, janë po aty, në nëndërgjegje, ku ruhen të gjitha ato që në më të shumtën u kthyhen në kujtime, para se të kish një gjuhë dhe aty palë palë, ngurtësohen dhe mbidhen si dragonj prehistorikë syzjarrtë të zgjohen papritur një ditë, siç bën çdo kafshë e gjallë.
As vetë, s’e kuptoi përse duhej të kthehej tek ajo, sa herë për faj të tij e humbiste. Dhe po të mos ishte për shapkën fringje, shpesh të harruar, gjithkush do të mendonte se po fliste për dikë tjetër! Por jo, ish për të që kish kohë q’e merrej me të dhe nuk ish as në fazën e parë të dashurisë, intimitetit dhe sigurisht as në të dytën, romantiken. Ish në të gjitha bashkë, ku ajo ish idhul, shoqe, mike dhe hyjni, ish dhe plotësisht, siç ish më e vërteta, e njëanëshme. Se s’kish dëgjuar që ajo të kish dashuruar ndonjë, dhe pse të gjithë. Sfinks që zgjidhjen e gjëagjëzës e kishe përpara syve dhe mjaft që të dëshëroje, eh, jo dhe aq paqtë, por me zjarr e shpirt. Mendimi Perëndimor e ndjen, (nëse mendimi mund të ndjejë, sot flitet për një binom të tillë), se ajo është nmbrojtësja e vullnetit (will) të plagosur. Dhe kur Erosi i botës të bëhet një me atë të njerëzve, aq sa qenia e tyre e mbushur me të, të bëhet një me natyrën e botës, ndeshja midis tyre do të shuhet dhe Edeni do të kthehet ribëhet**.
Liria!

Faza e tretë e Burokratizimit** kërkon nivele të larta organizimi me një strategji koalicionesh në mënyrë që të organizoje dhe koordinoje veprimet e asaj mase të madhe popullsie. Ky drejtim i specializuar me rrogëtarë, partitë, me të keqen e tyre uzurpuese dhe forca më e fuqishme do t’i dorëzohet vetiu elitave, pa mundur te qetësojë ndezjen emocionale të atyre që e mbartën lëvizjen mbi shpinë. Si ajo dhe aza e katërt, Rënia, e cila do të vinte afërmendsh, s’i kish pëlqyer kurrë, se kish të bënte me ndarrjen e një gjahu të vjedhur. Sipas tij, si lëvizjet bashkëkohore dhe ato që do vinë, faza e tretë nuk do të ishte e nevojshme në demokraci, ku qeëlimi kryesor është evolutiv, drejt një shoqërie më demokratike, drejt një vlere barazie në vetëqeverisje. Me këto mendime, ende pa rënë muzgu, por dhe pa mbaruar mesdita e vonë, u kthye majtas në rrugën e Barikadave, dëgjoi një bubullimë, një goditje në kokë sa i plasën tamburët e veshëve, një vetëtimë përgjatë shpinës gjarpëroi…

 

*a,b Rethinking Freedom/ Why Freedom Has Lost Its Meaning and What Can Be Done to Save It nga C. Fred Alford, Palgrave, 2005.
** Theories of Social Movements Copyright © 2011 by Salem Press.

Please follow and like us: