Albspirit

Media/News/Publishing

Historia e panjohur e mbytjes të diplomatëve serbë dhe grekë në Shën Naum, zhdukjet e mistershme dhe arratisjet e bujshme në liqenin e Pogradecit

Image result for bardhyl berberi"

 

 

Bardhyl Berberi

 

 

 

 

 

Pogradeci është qyteti që e ka liqenin në gjirin e tij. Shëtit nëpër rrugë dhe ndjen llokoçitjen e valëve, kërcitjen e peshkut dhe klithjen e pulbardhave. Por s’ke si ndan nga ky liqen peshkatarët, varkat e veta dhe mjetet e peshkimit me të cilat ata kanë jetuar në shekuj duke siguruar të ardhuara për familjet e tyre. Në vitin 1662 kronikani turk Evilha Çelebiu në librin e tij të shkruar “Udhëtimet”, ndër të tjera thotë: “Pogradeci një qytet i ëmbël buzë gjolit (liqenit) me katër lagje dhe katër xhami, një medrese, dy shkolla fillore, një teqe, tre hane, një banjë e 600 shtëpi me tjegulla e me kopështe. Çelebiu thotë se në atë periudhë në Pogradec kishte 150 dyqane dhe në breg të liqenit ishin tabakët që regjeshin lëkurët. Vendasit merreshin me gjuetinë e peshkut me disa gjemi si kore. Peshkimi dhe tregëtia ishin mjetet e jetesës së këtyre banorëve…

 

Rrëfimi i Vladimir Peshkatarit

 

Peshkatërët e vjetër tregojnë se me kalimin e viteve mjetet e lundrimit pësonin evolimin e tyre. Inxhinieri i talentuar i peshkimit Vladimir Peshkatari, djali i Kolo Peshkatarit një nga mjeshtrit e peshkimit që njihej nga pogradecarët si “Ujku i Liqenit” na tregon se gjemia e parë (varka) e parë ka ardhur aty rreth viteve 1919 nga gjyshi i tij Maxhari, një peshkatar i vjetër dhe me shumë përvojë nga Ohri, i cili erdhi të jetojë familjarisht në Pogradec. Ai erdhi nga Ohri me një gjemi (varkë) të gjatë rreth 8 m, rreth 2,5 m e gjërë dhe 1m e 20 cm e lartë. Atë varkë e punonin katër veta, tre lopataxhinj dhe një tjetër që mbante drejtimin. Xha Kolua më ka treguar se Maxhari solli dhe rrjetat e para të peshkimit nga Ohri. Por sjellja e kësaj varke kaq të madhe dhe funksionale filloi të përdoret përveç peshkimit edhe për transport mallrash në vijën ujore nga Pogradeci në qytetin e Ohrit. Ustallarët e Ohrit filluan të prodhojnë gjemi e varka edhe për fqinjët e tyre pogradecarë. Këta të fundit iu çonin dërrasa prej gështenje, ndërsa ndërtimin e bënin mjeshtrat në Ohër. Tashmë varkat që prodhoheshin në Ohër jo vetëm që përdoreshin për peshkim dhe për transport mallrash, por dhe shumë pogradecarë shkonin me këto varka të mëdha nëpërmjet liqenit në Ohër dhe Strugë për tregëti, çonin fruta dhe zarzavate në Ohër dhe prej andej sillnin vajguri dhe kripë. Por me këto varka pogradecarët shkonin në manastirin e Shën Naumit në Ohër në Strugë edhe për festa familjare apo fetare. Varkat përdoreshin edhe për piknik në liqen apo festa familjare për argëtime të ndryshme…

 

Varka e parë nga inxhinieri francez

 

Por varka e parë në qytetin e Pogradecit nga vendasit është prodhuar rreth viteve ‘20. Ka qënë inxhinieri francez Albert Gariku i cili solli fillimisht projektin dhe mjetet e ndërtimit të tyre. Zbatuesi dhe prodhuesi i parë i varkës në Pogradec është mjeshtri Sotir Shkurti i cili më vonë këtë zanat ia trashëgoi djalit të tij Koços. Duke vazhduar deri në ditët tona që vazhdojnë të prodhojnë varka si Mondi Bashua apo Raqi Matua…

Por, ky liqen me bukuritë e tij të pafund prej shumë vitesh numuron shumë tragjedi me varkat në liqen që nga kohët më të lashta kur një princeshë ilire është mbytur në këtë liqen me një varkë gjatë një shëtitje në liqen në afërsi të Shën Naumit (vendi quhet Zaum që do të thotë për mend).

Por, tragjeditë e liqenit me varka kanë vazhduar deri në ditët tona por ato më të bujshmet të cilat mbahen mend kanë qenë më të mëdha, ndonese kanë kaluar shumë vite ato janë të veshur me një mister dhe shumë prej tyre kanë ngelur me shumë enigma.

 

Ja si u mbytën 9 persona me motovarkë?  

 

Adhon Polena është djali i mjeshtrit të madh të kirurgjisë shqiptare doktor Kristaq Polenës. Ai ngjarjen tragjike të xhaxhait të tij Niko Polenës e ka ruajtur të gjallë dhe të freskët me të gjtha detajet, sipas tregimit të prindërve të tij e cila ka lënë gjurmë të thella.

Ka qenë ditë e djelë më 30 mars 1930. Me katër makina të vogla janë nisur herët në mëngjes në drejtim të Pogradecit, konsulli grek në Korçë Joan Lazarou së bashku me bashkëshorten e tij, konsulli serb, doktor Aristidhi, doktor Nikollaq Polena së bashku me të fejuarën e tij Julia Fundo, sekretari i konsullatës serbe së bashku me të shoqen, dr Nikollaq Zografi së bashku me të shoqen si dhe disa nëpunës të vegjël të konsullatës greke dhe serbe në Korçë. Rreth orës 9 e 30 minuta mbërritën në Pogradec dhe prej andej u nisën për në manastirin e Shën Naumit. U futën në kishë dhe, pasi shëtitën manastirin, ujin e bekuar dhe varrin e Shën Naumit duke kryer ritualet fetare, afër drekës u ulën për të drekuar, por në çast marrin një njoftim nga qyteti i Ohrit se është nisur me një varkë me motor prefekti i Ohrit si dhe një kolonel i ushtrisë. Nuk vazhdoi as një orë dhe tek manastiri mbërritën nga Ohri, prefekti dhe koloneli i ushtrisë jugosllave…

Në një nga mjediset e manastirit u shtrua dreka rreth orës 13 dhe nuk zgjati shumë e cila kaloi në mënyrë shumë të gëzueshme dhe me shumë humor.

Vizitorët sapo mbaroi dreka dolën jashtë dhe dalluan të ankoruar buzë liqenit atë tip motorvarke që kishte srdhur prefekti i Ohrit dhe koloneli. Disa nga gratë propozuan që të bënin një shëtitje në liqen. Rreth orës 14 e 30 minuta të gjithë u vendosën tek kabina e motovarkës, gjithsej 9 persona. U nisën drejt burimeve të Drinit dhe ishin larguar rreth 100 m nga bregu kur papritur drejtuesi i motorvarkës merr një kthesë të papritur duke hedhur në ujin e liqenit posagjerët rreth 6 m larg varkës, e cila ishte anuar dhe të parët që ranë në ujë ishin doktor Aristidhi dhe doktor Zografi. Ata po ngjiteshin në motovarkë, kur vijnë klithma nga të tjerët, që mundoheshin me not t`i afroheshin skafit, por për fat të keq asnjëri prej tyre nuk dinte not mirë. Paniku ishte i madh, klithma dhe tmerr. Njerëzit e Manastirit me telefon kërkuan ndihmë nga Pogradeci dhe nga Ohri. Nga të gjithë personat që ishin në motorin e varkës me not doli vetëm prefekti i Ohrit, i cili sapo doli në breg, hoqi rrobat dhe u fut për të shpëtuar konsullin serb të Korçës, i cili doli me anën e një kamardare emergjence që kishte motovarka. Ndërkohë që këmbanat e manastirit binin pa pushim. Konsulli serb rifutet në liqen për të shpëtuar gruan e sekretarit të konsullatës serbe, por sapo i afrohet asaj ishte në rrezike dhe sekretari i konsullatës serbe; kështu që ata ngelën të tre në fund të liqenit. Tashmë në sipërfaqen e liqenit mungonin edhe Niko Polena, e fejuara e tij Julia Fundo, koloneli serb dhe konsulli grek. Pas 20 minutash iu vjen një barkë nga Shën Naumi, por ishte tepër vonë .ndërkohë që nga Pogradeci vjen një skaf tjetër për ndihmë.

Gjithçka kishte mbaruar, bilanci ishte krejt tragjik, 9 persona të mbytur: Konsulli grek Jean dhe zonja e tij Llazarou, Niko Polena dhe e fejuara e tij Julia Fundo, Zonja Margarita, Gaqo Turtulli, zonja e sekretarit të konsullatës srrbe të Korçës, prefekti i Ohrit si dhe koloneli i ushtrisë jugosllave dhe një marinar i motovarkës.

Rreth ngjsrjes tragjike jugosllavët nuk zhvilluan asnjë ekspertizë, por shumë indinjuese ishte se të mbyturit shqiptarë u lanë jashtë në anën e bregut të liqenit në rërë, ndërsa ata serbe dhe grekë u futën në një nga dhomat e manastirit. Nga ana tjetër autoritete jugosllave e fshehën përgjegjësinë, e hoqën gjatë natës motovarkën e prishur nga vendngjaria.

 

Fotografia e Alb-Spirit.com

Doktor Niko Polena dhe e fejuara e tij, Julia Fundo, të mbytur më 30 mars 1930.

 

Tragjedia e shokëve të klasës

 

Ata ishin katër shokë klase që kishin qënë që në gjimnaz dhe kishin profesione të ndryshme. Mjeku Gjergji Topalli që në fëmijëri kishte hobi gjuetinë e peshkut dhe enkas para pak ditësh kishte ndërtuar një varkë për të gjuajtur peshk. Ai takon paraditen e 27 prillit të vitit 1993 tre shokët e klasës së gjimnazit inxhinierin e ndërtimit Koço Ruvina, doganierin Qazim Zgjani dhe inxhinierin Nuçi Icka. Pasi pinë kafe Gjergji iu bën një ftesë për të parë varkën e tij të sapo ndërtuar, që e kishte ankoruar fare pranë hotel turizmit. Vendosën që të futen pasdreke në liqen për gjueti korani, po më tepër edhe për t’u argëtuar. Por në orët e mbasdites, kur kanë qënë në drejtim të fshtit Hudënisht, varka ka filluar të futi ujë dhe me gjithë thirrjet e tyre në drejtim të bregut, janë mbytur në liqen mjeku Gjergji Topalli, babai i dy vajzave të vogla atehere ishte 30 vjeç, Koço Ruvina, ing. i urbanistikës së qytetit, që kishte dy fëmijë të vegjël dhe Qazim Zgjani i pamartuar dhe të nesërmën është gjetur mbi bazamentin e varkës të kthyer përmbys ing. Nuçi Icka në mes të liqenit i cili ka qënë i traumatizuar dhe i ngrirë, por pa asnjë pasojë… Ai nuk tregon asnjë fjalë rreth asaj tragjedie, përveç spjegimeve që ka dhënë në prokurori të cilat nuk janë bërë kurrë publike. Megjithë interesimin e familjarëve të personave të mbytur, ai nuk ka treguar asgjë. Por tragjedia mori përpjestime më të mëdha, pasi trupat e tyre nuk u gjendën në liqen dhe vetëm pas një muaj bashkia e qytetit organizoi një promemorie duke hedhur tufa lulesh në liqen. Ata ngelën pa një varr…vetëm pas disa muajsh në breg të liqenit u gjend një xhaketë e njërit prej të mbyturve…

Dhe tragjedia vazhdon pas dy vjetesh kur një mësues historie Kozma Burnazi kishte dalë për gjueti, ai u mbyt në liqen aksidentalisht dhe trupi i tij nuk u gjend asnjëherë.

Fotografia e Alb-Spirit.com

Mjeku Gjergj Topalli.

 

Mister i dy djemve të Linit

 

Erio Bice, student në ekonomik në Elbasan dhe gjimnazisti Klarent Qyshko mbytjen e tyre e kanë të veshur vërtet me një mister që i kalon përmasat e një tragjedie. Erion Bice dhe varka e tij me jastëkë anash ajri dhe motorë të fuqishëm dhe konstruksion metalik kishte dhënë prova se nuk mund të mbytej. Vetëm disa muaj para aksidentit në vjeshtën e vitit 2000 kur ata u deklaruan nga policia se janë mbytur, Erion Bicja në ujrat teritoriale ndiqet nga një skaf i policisë maqedonase që patrullonte në liqen, madje edhe i hapin zjarr në muajin prill të vitit 2000 por Erioni ia lidh timonin varkës në drejtim të bregut të fshatit Lin dhe e lëshon me motor të ndezur ndërsa vetë hidhet në liqen dhe del me not duke notuar në një distancë të gjatë  ndonëse uji i liqenit në muajin prill ishte shumë i ftohtë. Ky person, Erion Bice, vetëm pas pak muaj, në vjeshtën e po atij viti sëbashku me gjimnazistin Klarent Qyshko zhduket në mesnatë në liqen duke gjuajtur peshk. Atë natë, thonë banorët e fshatit Lin, kishte të shtëna në liqen dhe është mbytur në drejtim të fshatit Lin, një maqedonas Mile quhej ai iu merrte në liqen vendasve peshk Koran, takimi bëhej natën në ujrat teritoriale tek shenja e kufirit midis dy shteteve. Mile sapo mori peshkun në varkën e tij, ka marrë një sasi shumë të madhe, rreth 3 kv thonë peshkatarët e Linit dhe tëhere e zë një dallgë dhe ai njofton për ndihmë në Strugë se miqtë e tij se po mbyten. Pas pak vjen skafi i policisë maqedonase, por ai ishte mbytur ndërkohë që atë natë pranë maqedonasit Mile ka qënë duke gjuajtur peshk Erion Bice dhe Klarent Qyshko. Banorët kanë dëgjuar të shtëna, babai i Klarent Qyshkos, Gaqua thotë se e ka kërkuar djalin e tij përgjatë gjithë bregut, por nuk ka parë asnjë shenjë të dyshimtë apo ndonjë send, madje edhe nga policia maqedonase nuk ka patur një përgjigje zyrtare…Ndonëse po kalojnë 8 vjet prindrit e tyre nuk binden se fëmijët e tyre janë mbytur në liqen.

 

Një kafkë njeriu në rrjetat e peshkatarve

 

Në 24 shtator të vitit 2003 disa peshkatarë pogradecarë gjatë mbledhjes së rrjetave të peshkimit në liqen, midis peshqve të kapur, u gjet edhe një kafkë njeriu e cila kishte vetëm pak flokë në pjesën e mbrapme dhe i mungonte nofulla e sipërme e krahut të djathtë. Tek të gjitha familjet që kishin humbur të afërmit në liqen u krijua një ankth i paparë, madje një pjesë prej tyre kërkuan me ngulm indentifikimin e saj dhe të paktën ai që e kishte të kishte një shenjë prej të afërmit apo një varr ku të qante. Por policia kriminale nuk mund të indentifikojë kafkën me anënë e fotove në kompjuter, pasi mungonin nofullat dhe AND-ja nëpërmjet flokëve nuk iu bë pasi kushtonte shumë dhe kështu kafka ngeli në frigoriferët e kriminalistikës në Tiranë. Por përveç personave të mbytur aksidentalisht në liqen ka patur në vitet 1980 që liqeni ka nxjerrë pjesë trupi të dy personave, njëri nga fshati Potgorie i cili punonte në Pogradec dhe një i ri nga qyteti i Pogradecit që ende nuk janë zbuluar…Megjithatë kafka solli shumë pështjellime në familjet që kanë patur tragjedi në liqenin e Pogradecit. Në tetor të vitit 2009 në afërsi të Piskupatit, një peshkatar nga ky fshat, kur ka nxjerrë rrjetën e peshkimit brenda ka gjetur një kokë njeriu të prerë me flokë të gjata.

 

 

Varkat në diktaturë edhe për arratisje nga liqeni

 

Por varkat në kohën e diktaturës komuniste janë përdorur edhe për arratisje nëpërmjet tyre në shtetin fqinj nëpërmjet liqenit. Kuptohet në vitet e diktaturës varkat ishin jo vetëm në inventar dhe vetëm për ndërmarrjen e peshkimit dhe ruheshin tek moli i qytetit nga policia. Por në 3 korrik të vitit 1975, ishin16 persona të familjes Fezollari, që i bënë sfidë diktaturës komuniste, pikërisht në atë kohë kur ishte me pushime Enver Hoxha në këtë qytet. Ata u arratisën me një varkë primitive, nëpërmjet liqenit dhe sot varka ndodhet në muzeun e Maqedonisë dhe ruhet aty si relike e veçantë që ka, me këtë mjet është realizuar një nga arratisjet më të mëdha, me varkë primitive u kalua liqeni që nga dy fëmijë të vegjël 6 muajsh dhe 3 vjeç e deri tek një plakë e moshuar nënë Kushja dhe djemtë e saj me nuset dhe fëmijët e tyre. Sot varka ndodhet në muzeun e Shkupit.

Sot numri i varkave ka arritur shifra marramendëse. Vetëm në qytetin e Pogradecit janë mbi 400 varka dhe po kaq edhe në fshatin Hudënisht e Lin, të cilat përdoren për gjuetinë e peshkut. Sot liqeni shfrytëzohet barbarisht dhe pa kriter duke dëmtuar rëndë peshkun duke e gjuajtur edhe në kohën e shumimit.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

.

 

 

Please follow and like us: