Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: “Ç’është poezia që nuk mund të shpëtojë kombe ose njerëz”?

 
Cselaw Milosz, vlerësohet si njëri nga poetët më të mëdhenj polakë dhe njëri nga më të respektuar e shekullit XX në botë. Në vitin1980, ai u laureua me Çmimin Nobel për Letërsi.
I lindur në Lituani, ku prindërit e tij kishin ikur për shkak të zhvillimeve dramatike politike, si i rritur, për t’i ikur shtypjes komuniste, iku në botën e lirë në Amerikë dhe atje jetoi nga viti 1960 deri në vdekje, më 2004.
Ndërkaq, në Poloni, poezitë e tija ishin të ndaluara, derisa ai fitoi Çmimin Nobel në vitin 1980. Kjo e dhënë tregon se ç’frikë dhe ç’mani kanë pushtet despotike nga arti dhe fuqia e fjalës artistike, të cilën e afirmonte letërsia e fantastike e Milosz-it.
Si një shkrimtar i dalë nga koha e përmbytjeve të mëdha ideologjike dhe politike, ai duket një Odise i kohëve bashkëkohore, që ka treguar në poezitë e tij vlerat fondamentale të artit, atë humusin transcendental të fjalës artistike, që aspiron të ruajë dhe shpëtojë njeriun dhe lirinë e tij nga tiranitë e ndryshme ideologjike, në shoqëri të robëruara.
Ai ka shkruar një sërë poezish fantastike, por mua më ka bërë përshtypje të madhe poezia “Dedikim” e botuar në Warsaw, në vitin 1945. Vetë viti i botimit tregon nga ç’ klithma, dhimbje, shkatërrime dhe lot ka dalë kjo poezi, ku ai me një ligjërim të thjeshtë dhe krejt të çiltër, shtron një pyetje që zgjon interesim të përhershëm kulturor dhe artistik:
“Ç’ është poezia që nuk mund të shpëtojë kombe ose njerëz?”
Poezia ka një fuqi shpërthyese dhe është e aftë t’i ndriçojë rrugët e njerëzimit dhe t’i mësojë ata si t’i forcojnë armët e humanizmit, kundrejt armëve të urrejtjes. E, një poezi e tillë është edhe kjo e mëposhtmja e Cselaw Milosz, të cilën unë u përpoqa ta ktheja nga anglishtja në shqip, pa pretenduar të kem bërë ndonjë përkthim të mirë. Por, e bëra këtë, meqë besoj se, njerëzit e artit, kanë nevojë të rrëfehen, dhe të bëjnë pyetjen që shtroi Milosz derisa dilte nëpër rrënojat e Luftës së Dytë Botërore.
Czeslaw Milosz nuk i drejtohet vetëm popullit polak, ai drejtohet njerëzimit dhe ndërgjegjes së tij: të zgjohet nga letargjia dhe të mos bashkëjetojë me gënjeshtrat. Thirrja e tij ka patur vlerë dje, vlen sot dhe do të vlejë edhe nesër. Ajo vlen sidomos në kohë të turbullta, siç janë këto tonat, ku ka shumë mjegull e paqartësi dhe ku bashkëpunimi i heshtur me gënjeshtrat zyrtare është bërë rregull.

Czeslaw Milosz: Dedikim

Më dëgjoni mua,
Ju që s’munda t’u shpëtoja.
Përpiquni ta kuptoni këtë fjalim të thjeshtë sikur unë të isha i turpëruar nga një tjetër.
Betohem, në mua s’ka magji të fjalës.
Unë ju flas me heshtje si një re ose një pemë.

Ajo që më forcoi mua, për ju ishte vdekjeprurëse.
Ju përzitë lamtumirën e një epoke me fillimin e një të reje.
Inspiruar nga urrejtja me lirika të bukura.
Forcë e verbër me formë të përkryer.

Këtu është një luginë e lumenjve të cekur të Polonisë. Dhe një urë e madhe.
Që shkon në mjegull të bardhë. Këtu është një qytet i shkatërruar.
Dhe kur unë flas me ju,
Era gjuan britmat e pulëbardhave në varrin tuaj.

Ç’është poezia që nuk mund të shpëtojë kombe ose njerëz?
Një bashkëpunim i heshtur me gënjeshtrat zyrtare,
Një këngë pijanecësh, fytet e të cilëve do të priten në një çast
Lexime për vajza të paedukuara mjaft,
Unë doja poezi të mira pa e ditur këtë,
Atë që e zbulova vonë, është qëllim mirësie.
Në këtë dhe vetëm në këtë, gjej shpëtim.

Ata përdorën fara meli në varre ose ato të lulëkuqeve
Të ushqejnë të vdekurit që do të vijnë të maskuar si zogj.
Kam vënë këtë libër këtu për ju, që dikur jetonit
Kështu që ju nuk duhet t’na vizitoni më shumë.

Warsaw, 1945

Please follow and like us: